Një konsorcium ku bën pjesë ish-sulmuesi i Milanit, Chelseat dhe kombëtares së Brazilit, Alexandre Pato, është pranë blerjes së shumicës së aksioneve të klubit të League Two, Northampton Town, sipas BBC Sport.

Sports Alpha Capital kishte zhvilluar bisedime më herët këtë vit për të marrë në pronësi Colchester United, por u tërhoq nga marrëveshja e mundshme pas diskutimeve fillestare. Mësohet se Alexandre Pato është pjesë e këtij konsorciumi, por nuk është figura kryesore që e udhëheq atë.

36-vjeçari u tërhoq nga futbolli profesionist vitin e kaluar. Ai njihet më së shumti për periudhën pesë vjet e gjysmë te Milani, ku shënoi 63 gola në 150 ndeshje dhe fitoi titullin e Serie A në sezonin 2010-11. Në gjysmën e dytë të sezonit 2015-16, Pato luajti si huazim te Chelsea nga Corinthians dhe shënoi në debutimin e tij nga pika e penalltisë, në fitoren 4-0 ndaj Aston Villas.

Ky zhvillim vjen pasi kryetari i Northampton Town, Kelvin Thomas, konfirmoi muajin e kaluar se investimi i propozuar nga një grup "me mbështetje të fortë financiare" ishte "praktikisht i dakordësuar".

Northampton Town ra sezonin e kaluar në kategorinë e katërt të futbollit anglez (League Two), pasi e mbylli sezonin në vendin e fundit të League One. Në prill, klubi publikoi një humbje financiare prej afro 3.5 milionë eurosh. Thomas kishte deklaruar më parë se investimi i ri do ta çlironte klubin nga të gjitha borxhet.

Në maj, Northampton emëroi Chris Hogg si trajner të ri, ndërsa deri tani gjatë afatit kalimtar ka afruar shtatë lojtarë të rinj, mes tyre sulmuesin Matty Warhurst nga Manchester City dhe mesfushorin Connor Lemonheigh-Evans nga MK Dons.