Alfred Moisiu: Debatet e
mia me Mehmet Shehun

Alfred Moisiu: Debatet e <br />mia me Mehmet Shehun
A e shihni që Alfred Moisiu nuk është këtu në mbledhje, atij i kam dhënë urdhër të ndjekë punimet në terren, nuk ka se çfarë të bëjë këtu...". Këto fjalë artikuloi Mehmet Shehu, në një mbledhje në Durrës me gjithë kuadrot e ushtrisë, ku Alfred Moisiu nuk ishte ftuar. Ishte atmosfera e trazirave në ushtri. Ishte krijuar një përballje me debate mes Mehmet Shehut e Alfred Moisiut për mbrojtjen në rast veprimesh luftarake, për ndërtimin apo jo të transheve kudo, madje edhe në toka që nuk mbanin.
Kjo pjesë e tretë e kujtimeve të presidentit Alfred Moisiu, shkëputur nga vëllimi i dytë i sapobotuar nga Toena, nis pikërisht me këtë përballje që pati pasoja për Moisiun. Më tej ai tregon për mbledhjen tragjike të 12 dhjetorit 1974, ku dhjetëra gjeneralë e kolonelë u përjashtuan nga ushtria e të tjerë dolën në pension, mbledhje që pati pasoja për vite të tëra në ushtri, ku çdo strukturë u prek thellë, e ku gjuetia e shtrigave s'dinte të ndalej...

Me gjithë situatën e krijuar, ushtria vazhdonte detyrat e saj sipas programeve të hartuara. Ministri i ri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, kishte porositur të hapen transhe, pasi ato, deri atë kohë ishin neglizhuar në fortifikim. Çudi, vërtetë nuk e kuptoja pse me transhetë të gjithë përpiqeshin të luanin?! E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1982, kur Mehmet Shehu akuzohej për punën e tij armiqësore në ushtri. Sipas tij, flas për vitin 1974, nuk duhej të prisnim fillimin e veprimeve luftarake, por në përputhje me planizimin luftarak, njësitë duhej të hapnin transhetë në brezat e tyre të mbrojtjes. Gjatë debatit me të, bazuar në teorinë e ndërtimit të transheve dhe në praktikën tonë të deriatëhershme, ngrita shqetësimin se në qoftë se i hapim që tani kudo, ato, si pasojë e erozionit natyral, me kalimin e kohës do të shembeshin. Jo vetëm kaq, por struktura e tokës do të prishej, dhe në të ardhmen, në rast nevoje, nuk do të na lejonte të hapnim transhe sipas dimensioneve luftarake. Për këtë arsye propozova që punimet mund të kryheshin vetëm në tokat shkëmbore, pasi ato i rezistojnë më shumë erozionit, dhe në rast nevoje, kërkonin shumë kohë për t'u hapur.

Ai e pranoi propozimin tim. Për këtë qëllim më urdhëroi të kontrolloja organizimin e punimeve në zonën verilindore të vendit. Kur ato ditë isha për kontroll, në Durrës u bë një mbledhje me gjithë kuadrot e ushtrisë, ku ministri Mehmet Shehu shtroi disa probleme për punën në ushtri, që pavarësisht nga zhvillimet politike, të sigurohej ritmi i realizimit të programeve. Në atë mbledhje unë nuk u ftova. Kjo më bëri përshtypje dhe nuk dija si ta kuptoja. Megjithatë, vazhdova punën sipas urdhrit të dhënë. Ministri në mbledhje, kur kishte folur për problemet e fortifikimit, u ishte drejtuar pjesëmarrësve: "A e shihni që Alfred Moisiu nuk është këtu në mbledhje, atij i kam dhënë urdhër të ndjekë punimet në terren, nuk ka se çfarë të bëjë këtu!".

Viti 1974 ishte vit jubilar, pasi korrespondonte me përvjetorin e 30-të të çlirimit të vendit. Pavarësisht nga ngjarjet, u vendos që, si herët e tjera edhe këtë vit, parada ushtarake të bëhej. Përgatitja bëhej sipas përvojës së grumbulluar në vite, fillimisht pranë njësive të caktuara dhe pastaj dy javët e fundit në Fushën e Aviacionit në Tiranë. Gjithë përgatitja drejtohej nga Drejtori i Përgatitjes Luftarake Nikollaq Sallabanda dhe disa oficerë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm. Zakonisht parada komandohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, por këtë radhë kjo iu ngarkua Komandantit të Grupimit Operativ të Tiranës Bejto Isufit, gjë që tregonte se Meçollari nuk i kishte mirë punët. Por fakti që ndërtimit të tribunës iu kushtua shumë vëmendje, dukej qartë që ishte frika, ose kishte ndonjë informacion, se gjatë parakalimit dikush mund të tentonte të sulmonte udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit, në mënyrë të veçantë frika ishte nga tanket. Për këtë qëllim u projektua dhe u ndërtua një tribunë, që si parambrojtje kishte blloqe të fuqishme betoni, të cilat ishin llogaritur të mos lëviznin, qoftë edhe nga ndonjë goditje tanku. Po ashtu, Sigurimi i Ushtrisë u angazhua seriozisht: të mos kishte asnjë fishek në duart e ushtarëve që do të parakalonin, i cili mund të përdorej kundër tribunës. Pra, masat e sigurisë u morën të forta si asnjëherë.

Më 12 dhjetor 1974, pasdite, në sallën e Kolegjiumit të MMP-së, u organizua një mbledhje me kuadrot e rëndësishme të ushtrisë, të cilën e drejtoi personalisht Mehmet Shehu. Ka qenë mbledhja më e zymtë dhe më tragjike që mbaj mend në jetën time në ushtri. Ishte pas fjalës së Enver Hoxhës "Fshesa e hekurt në ushtri". Pikërisht, në këtë mbledhje, Mehmet Shehu përmendi fjalën "tërmet 12 ballësh", dhe ato çfarë ndodhën atë natë vërtetë mund të krahasohen me një proces të tillë natyror. Ai foli afro gjysmë ore, duke zbërthyer fjalën e Enverit, midis të tjerave përmendi disa herë me shumë forcë: "Të mos kujtojë njeri se do t'ia hedhë Partisë, duke bërë një autokritikë sa për të kaluar radhën!". Kur e tha këtë, ishte krejt i nxirë në fytyrë. Më pas morëm vesh që jo vetëm salla ku ishim, por e gjithë godina e Ministrisë ishte rrethuar nga forca të Sigurimit. Kjo u bë me qëllim për të neutralizuar çdo mundësi reagimi nga ushtarakët. Pas fjalës së tij, ai nxori një vendim të Byrosë apo urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, dhe filloi të lexonte emrat e ushtarakëve të lartë, së bashku me masën që iu jepej.

Secili që dëgjonte emrin, merrte urdhër të largohej menjëherë nga salla. Të gjithë dëgjonim me frymë të mbajtur, sepse asnjëri nuk dinte se kush ishte në listë. Na vinte shumë keq për emrat që dëgjonim, sepse ishin shokët tanë të punës dhe e dinim mirë se ata nuk kishin asnjë faj për atë që po ndodhte, por të gjithë ishim të pafuqishëm të bënim diçka. Më kujtohet, që kur u lexua emri i gjeneral Todi Naços, i cili, duke dalë, me shumë kurajë i lëshoi Mehmet Shehut një nga ato romuzet e tij, duke përmendur një nga fabulat e La Fontenit, të cilat ai i kishte shumë për zemër. Me atë që dëgjuam, na befasoi! Thamë me njëri-tjetrin se ku e gjeti ky njeri ndjenjën e humorit në këto çaste makthi?! Por situata e krijuar ishte aq e vështirë, sa absolutisht s'na bëhej për të qeshur. Mehmeti, kur e dëgjoi, menjëherë iu drejtua në mënyrë kërcënuese: "Borgjez i fëlliqur, gjithmonë i tillë ke qenë me anekdotat e tua kundër Partisë, dhe i tillë mbete, do ta shohim!". Todi Naço njihej shumë mirë me kryeministrin. Në kohë të Luftës ai kishte qenë komandant i Artilerisë së Brigadës I Sulmuese, që e komandonte Mehmet Shehu.

Në vazhdimësi kishin ruajtur njëfarë konfidence të kohës së Luftës, por në ato çaste as që bëhej fjalë për një afërsi të tillë.
Në dënimet që u lexuan nga Mehmet Shehu, pati tre grupe masash: grupi i parë - përjashtim nga ushtria. Deri atëherë nuk kishim dëgjuar për një masë të tillë disiplinore. Kjo donte të thoshte se përjashtoheshe përfundimisht nga ushtria dhe humbisje të gjitha të drejtat; grupi dytë - nxjerrje në pension para kohe, kjo masë ishte më e lehtë, pasi nuk humbisje të drejtat që të takonin si ushtarak; grupi i tretë - ulje në përgjegjësi, kjo ishte masa më e lehtë, mund të thuhet e privilegjuar. Me sa më kujtohet, u përjashtuan nga ushtria gjeneralët dhe kolonelët: Todi Naço, Ernest Jakova, Vaskë Gjino, Muhamet Prodani, Abaz Fejzo, Halim Ramohito, Nikollaq Sallabanda, Spiro Shalësi, Andon Sheti, Skënder Malindi, Faik Take e disa të tjerë; u nxorën në pension: Sotir Filto, Petrit Çobani, Hamdi Çobani, Luto Haxhiu, Abdi Mati, Bako Dervishi, Adnan Qatipi, Thoma Xhixho, Muharrem Kokomani e disa të tjerë; u ulën në përgjegjësi dhe u transferuan në repartet e ushtrisë: Xhemal Shehu, Aqif Ylli, Malo Harshova, Sami Meçollari e disa të tjerë. Në fund të mbledhjes u lexuan edhe emërimet e reja: Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësministër i Parë u caktua Veli Llakaj, ndërsa si zëvendësministra të Mbrojtjes Maliq Sadushi, Nazar Berberi, Llambi Gegprifti. Ky i fundit vinte nga jeta civile, kishte qenë Drejtor i Minierës së Bulqizës. Kurse në funksionin e Drejtorit Politik të Ushtrisë u emërua Gafur Çuçi, që nuk quhej më me emrin e mëparshëm, por u quajt Shef i Sektorit Ushtarak të KQ-së së PPSH-së. Ne të tjerëve, ministri Shehu na porositi të vazhdonim detyrat. Pasi mbaroi kryeministri, të gjithë sikur u lehtësuam, por ende pa ditur me siguri se çfarë do të sillte e nesërmja.

Arrestimi i Petritit Dumes, Hito Çakos dhe Rahman Parllakut, u krye katër ditë më vonë, më 16 dhjetor 1974, gjatë zhvillimit të seancave të Plenumit të KQ-së. Pasi, secili prej tyre mbaronte diskutimin, hidhej në votë propozimi i Enverit për masën ndaj tyre, që ishte përjashtim nga gjithçka dhe dërgimi për në gjyq si armiq. Pas kësaj, ata më radhë, menjëherë largoheshin. Në të dalë të sallës priteshin nga oficerët e Sigurimit, iu viheshin prangat dhe prej andej dërgoheshin drejt në Burgun e Sigurisë së Lartë. Kurse Beqir Ballukut, i cili ndodhej i internuar në rajonin e Reskovecit, edhe atij, arrestimin ia bënë atje, po atë ditë. Pas arrestimeve ua bastisën shtëpitë, duke u mbledhur çdo provë personale që mund të rëndonte akuzën. Ua sekuestruan blloqet e punës, blloqet personale, fotografitë dhe gjithçka tjetër që kishin në përdorim, vetëm e vetëm për të nxjerrë konkluzione rreth punës "armiqësore" të secilit.

Akuzat për ta ishin të tmerrshme. Më kryesorja ndaj tyre ishte se po përgatitnin një puç ushtarak dhe po vazhdonin se iu ishin kundërvënë Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, pra ishin kundër vijës së Partisë në ushtri; donin të linin në fuqi komandimin unik në ushtri; goditën rolin e organizatave bazë dhe të komiteteve të Partisë në ushtri; tentuan të shtrembëronin karakterin e Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, për ta kthyer atë në një aparat shtetëror; u përpoqën që të zëvendësonin ideologjinë e Partisë me ideologji borgjezo-revizioniste; kanë sabotuar në sistem masat për forcimin e Ushtrisë dhe fortifikimin e vendit; kanë sabotuar tërësisht organizimin e shkollës së lirë, duke penguar në çdo mënyrë aftësimin e Forcave të Vetëmbrojtjes Popullore. Gjithashtu, synonin ta kthenin ushtrinë në një shtet brenda shtetit. Ashtu sikurse dihet, Gjyqi Ushtarak dënoi Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon me pushkatim, kurse Rahman Parllakun me 25 vjet burg. Me sa më kujtohet, gjeneralët Muhamet Prodani, Spiro Shalësi dhe Kolonel Andon Sheti u internuan në Ballsh; gjeneral Ernest Jakova në Shijak; gjeneral Abaz Fejzo në Gramsh; kolonelët Nikollaq Sallabanda dhe Skënder Malindi në Elbasan; kolonel Faik Take në Lezhë etj. Ata që u nxorën në pension mbetën në qytetet ku ishin. Disa të tjerë u transferuan, konkretisht Xhemal Shehu në Krujë, Aqif Ylli në Durrës, Sami Meçollari në Kavajë, Malo Harshova në Ersekë etj.

Të gjithë nuk po kuptonim se çfarë po ndodhte. Fjalët: "punë armiqësore", "puç", "agjenturë", të thëna herë pas here, na dukeshin sa të çuditshme, aq edhe të pakuptueshme. Nuk mund ta imagjinonim që Ushtria Shqiptare paska qenë e mbushur me kaq shumë armiq dhe spiunë. Jo vetëm kaq, por ndjenim keqardhje për njollën që ushtria padrejtësisht po merrte. E kuptonim se pas invazionit të Çekosllovakisë nga Ushtria Sovjetike, Enver Hoxha dhe tërë udhëheqja kishin frikën e ndonjë veprimi të njëjtë ndaj Shqipërisë, kjo ndoshta ishte dhe arsyeja që u morën ato masa mbrojtëse. Dyshimet filluan edhe për drejtuesit e vjetër ushtarakë, që kishin influencë në rajone të caktuara që nga koha e Luftës. Pra, për Partinë ishte më mirë të kishe drejtues të rinj, që e dinin se ato vende i kishin zënë jo në sajë të meritave dhe kontributit personal, por për t'i shërbyer me besnikëri atij që i emëronte në ato funksione të larta të pamerituara.

Thuhej që Enver Hoxha, pas kalimit të sëmundjes, kishte filluar të mendonte për periudhën pas tij, se kush do ta zëvendësonte. Kuptohej qartë që Tezat e Këshillit të Mbrojtjes ishin shkaku për të bërë spastrime në radhët e ushtrisë dhe në udhëheqjen e Shqipërisë. Sigurisht që me shumë dinakëri u shfrytëzuan edhe mefshtësia e Ballukut për të reaguar, si dhe fakti i ekzistencës së problemeve midis tij dhe Mehmet Shehut. Këtë e vërtetojnë më së miri akuzat që Enveri i bëri Beqir Ballukut në mbledhjet e Byrosë Politike. Tregojnë që, sipas procesverbaleve, në gjyq, Beqir Balluku kishte thënë: "Është e qartë, kur përplasen dy vezë, njëra do thyhet!". Kuptohet që me këtë ai aludonte përplasjen me Mehmet Shehun.

Në intimitete të ngushta shoqërore, diskutonim dhe ishte e vështirë që apriori të pranonim se Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e të tjerë ishin spiunë dhe agjentë, apo do të bënin puç. Si ushtarakë me përvojë, gjykonim që veprimet ushtarake kundër Enverit nuk mund të bëheshin vetëm. Puçi do të bëhej duke punuar edhe me ne të tjerët, gjë që jo vetëm nuk e kishim spikatur në asnjë rast, përkundrazi, të gjithëve na kishte rënë në sy fakti që Beqir Balluku me Petrit Dumen nuk shkonin mirë. E thoshim këtë, sepse gjërat dukeshin. Në disa raste kemi qenë dëshmitarë të përplasjeve të hapura midis tyre. Kjo ndodhte jo vetëm se ata ishin natyra krejt të ndryshme nga njëri-tjetri, por edhe pse dukej një luftë e heshtur për kompetenca, e cila shpesh shprehej në ndryshimet që kishin në stilin dhe metodën e punës, secili prej tyre. Dinim gjithashtu se Mehmet Shehu e mbështeste Petrit Dumen, si kundërpeshë ndaj Beqir Ballukut, me të cilin kishte mospërputhje për shumë gjëra. Pra, nuk mund të ndodhte kurrë që ata të ishin në një mendje. E kam përsëritur dhe po e përsëris këtë disa herë, pasi ishte një akuzë pa asnjë shans për t'u besuar, por, megjithatë, ajo qëndroi deri në fund.
Ushtria vazhdonte të ishte nën presionin e një terrori psikologjik si asnjëherë. Kujtoj një mbledhje të Komitetit të Partisë të MMP-së në vitin 1981, pas arrestimit të ministrit të Brendshëm Feçor Shehu, ku në cilësinë e anëtarit të atij Komiteti, gjykohej Shefi i Sigurimit të Ushtrisë Çerçiz Xhelo. Në mbledhje, midis të tjerave, ai deklaroi se shefat e Sigurimit të korpuseve, çdo muaj i mblidhte ministri i Brendshëm Feçor Shehu dhe i kritikonte rreptë, në rastet kur nuk kishin realizuar planin e "goditjeve", d.m.th. arrestimeve. Kur e dëgjova një gjë të tillë, mbeta i befasuar, sepse kisha dëgjuar për planifikimin e bujqësisë, industrisë, ndërtimit, por që mund të kishte edhe plan për arrestimin e njerëzve, kjo m'u duk jo vetëm sensacionale, por edhe tepër kanibaleske. Nuk kisha menduar kurrë se punët te ne kishin arritur deri aty sa të shkatërrohej jeta e njerëzve pa asnjë të drejtë dhe pa pikën e mëshirës, vetëm e vetëm sepse i duhej treguar udhëheqjes së Partisë, se Sigurimi ishte vigjilent kundër armikut të klasës!

Këto mendime i shfaqa hapur kur diskutova në Mbledhjen e Komitetit të Partisë të MM-së. Gjatë gjithë kohërave, pas vitit 1990, kur më ka rënë radha për të folur për ngjarjet e kohës së diktaturës, këtë "çudi", gjithmonë e kam përmendur.
Por edhe pas përfundimit të gjykimit të gjeneralëve "puçistë", në ushtri filloi një gjueti e vërtetë shtrigash. Sigurimi i Shtetit vëzhgonte se kush guxonte të shprehte ndonjë mendim se si është e mundur që Beqiri të ishte kundër Enverit, kur dihej që besnikëria e tij ndaj udhëheqësit ishte e pakufishme, apo aludohej që e gjitha kjo lojë ishte e kurdisur nga Mehmeti, të gjithë ata ktheheshin në viktima. Në atë kohë, këto organe ishin gjithë sy e veshë. Fatkeqësisht, si pasojë e zellit të tyre të tepruar, pati shumë arrestime të oficerëve të ndershëm. Midis tyre, më kujtohet arrestimi i ish-komandantit të Brigadës së Këmbësorisë në Berat, Shaban Reçi, dhe i një grupi oficerësh në Shkodër etj. Të gjithë ata u dënuan me nga dhjetë-dymbëdhjetë vite burg, thjesht për ndonjë shprehje, ndonjëherë edhe me supozime se gjoja kishin pasur plane për t'u arratisur, apo trillime të tjera nga më të paimagjinueshmet. Organet e Partisë, në bashkëpunim me ato të Sigurimit, filluan të gërmojnë në biografitë e oficerëve, veçanërisht të atyre që kishin funksione të larta. Shumë prej atyre që kishin qenë në formacionet partizane apo në funksione të mëvonshme të ushtrisë pranë Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos dhe të tjerëve, filluan të përndiqen, duke marrë masa deri në përjashtim nga ushtria, ulje në përgjegjësi, ndërsa mjaft prej tyre përfunduan në burg.

Pra, si në gjithë sferat e tjera, edhe Ushtria Shqiptare gjatë periudhës së diktaturës, në vazhdimësi, herë pas here ka pësuar goditje dhe spastrime. Ato kanë qenë jo vetëm të pjesshme, por edhe masive, sikurse ndodhi në 1974-ën dhe në 1982-shin, ku me qindra oficerë të lartë u shkarkuan nga detyrat, u internuan, u burgosën dhe u pushkatuan. Enver Hoxha, sipas gjykimit tim, në spastrimin e ushtrisë, zbatonte Teorinë e Mao Ce Dunit: "Të zierjes e përzierjes së kazanit", por në një hapësirë kohore më të gjatë nga Mao, sepse i bënte jo në 3-4 vjet, sikurse sugjeronte Mao, por në çdo 7-8 vjet.

Krahas pastrimit, u morën masa të fuqishme për forcimin e rolit të Partisë në ushtri. Pasi, sipas konkluzioneve të nxjerra nga Komiteti Qendror i PPSH-së, si pasojë e punës "armiqësore" në ushtri, ky rol ishte dobësuar së tepërmi. Kështu funksioni i sekretarit të Komitetit të Partisë, në njësi e reparte, u shkëput nga funksioni i komisarit. Tani, në ushtri kishim tri figura kryesore: sekretar Komiteti, komisar dhe komandant. Shumë prej sekretarëve të komiteteve, sidomos në korpuse, u morën nga terreni. Disa prej tyre, jo vetëm nuk e njihnin ushtrinë, por edhe nga shkalla e intelektit dhe kulturës, stononin në krahasim me kolegët ushtarakë. Ata shpesh bënin veprime të tilla që u kthyen në anekdota, të cilat filluan të qarkullonin nën zë nga ushtarakët. Pas këtyre masave, roli dhe rëndësia e komiteteve të Partisë në ushtri u rrit së tepërmi. Një masë tjetër, që u mor nga Komiteti Qendror i PPSH-së, ishte ngritja dhe funksionimi i grupeve të kontrollit punëtor si dhe ushtarë në njësi e reparte. Këto grupe, shpesh më shumë ngatërronin, sesa bënin ndonjë punë për të qenë. Këto masa jo vetëm që nuk e ndihmuan ushtrinë, por përkundrazi zbehën shumë punën e ushtarakëve kompetentë, sepse dukej qartë që Partia më shumë iu besonte njerëzve të vënë nga ajo, sesa ushtarakëve të shkolluar dhe të specializuar për punët që drejtonin.

Nga pasioni i madh për të forcuar rolin e Partisë në ushtri, ndodhte që instruktorët e KQ-së, që vinin si të dërguarit e Partisë, të bënin edhe gjëra që nuk kishin kuptim. Më kujtohet, kur ishim në një mbledhje organizate dhe po diskutohej për disa probleme të zbatimit të detyrave vjetore, prezent ishte dhe një i deleguar nga KQ-ja. Meqenëse të tjerët po nguronin, unë e mora fjalën i pari. Kur mbaruan diskutimet dhe instruktori i KQ-së po bënte konkluzionet e mbledhjes, lëshoi edhe një kritikë për mua. Ai tha që drejtori, pavarësisht se është njeri i caktuar nga Partia, nuk ka pse të flasë i pari, sepse kjo duket sikur ai po jep direktivën për mbledhjen, në një kohë që ai është komunist si gjithë të tjerët, me të drejta të barabarta. Aty nuk reagova, por kur në Komitetin e Partisë të Ministrisë po bëheshin konkluzionet e kontrollit nga Mihal Bisha, që ishte i deleguar nga KQ-ja, ai përmendi që drejtorët nuk kanë pse të flasin në fillim të mbledhjes, megjithëse janë njerëzit më të zgjedhur. Ishte e qartë se fjala ishte për mua, ndaj gjatë diskutimit me atë rast, thashë se nuk e kam të qartë shumë se si po shtrohet ky problem?
E them këtë, sepse kur flitet në fillim, na thuhet që po japim vijën; kur flasim në fund, po japim konkluzionet; kur flasim në mes, nuk duhet të harrojmë që Partia na ka zgjedhur si më të mirët që mbajmë përgjegjësinë kryesore për zbatimin e direktivave të saj. Mandej, po të mos flasim fare, është akoma më keq, pra nuk po kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë?! Megjithatë, kjo qe një përçapje e kotë nga ana ime, sepse mendimet që shfaqa nuk u morën në konsideratë. Pra, askush nuk të jepte të drejtë, në qoftë se mendimi nuk përputhej me atë që thoshte Partia.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 20 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sharon Stone: Do largohem nga Amerika nëse fiton Trump

Sharon Stone: Do largohem nga Amerika nëse fiton Trump