Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së në Maqedoni, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi  në Tiranë.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale Ahmeti shprehet se në fokus të këtij takimi ishin zhvillimet aktuale politike në rajon, proceset euroatlantike dhe ecuria e dy vendeve për integrimin në Bashkimin Europian.

Ahmeti thekson gjithashtu se rruga drejt Brukselit është diçka e përbashkët si për Shqipërinë e cila është një fazë të avancuar të negociatave me BE-në dhe për Maqedoninë e Veriut. Sipas tij kjo rrugë është gjithashtu një projekt strategjik që bashkon të gjithë në rajon dhe që garanton paqen, zhvillimin dhe perspektivën tonë evropiane.

"Gjatë qëndrimit tim në Tiranë, në kuadër të pjesëmarrjes në protestën gjithëkombëtare “Liria ka emër – Drejtësi për Çlirimtarët”, zhvillova takim vëllazëror me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, z. Blendi Klosi.

Në fokus të takimit kishim zhvillimet aktuale politike në rajon, proceset euroatlantike dhe domosdoshmëria e bashkërendimit të veprimeve midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

Theksova se Shqipëria tashmë gjendet në një fazë të avancuar të negociatave me BE-në dhe se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah saj, me përkushtim të plotë dhe respektim të standardeve demokratike e evropiane.

Rruga drejt Brukselit është rrugë e përbashkët, një projekt strategjik që bashkon të gjithë në rajon dhe që garanton paqen, zhvillimin dhe perspektivën tonë evropiane", shkruan Ahmeti në Facebook.

Ali Ahmeti ndodhet në Tiranë në kuadër të protestës që do të zhvillohet sot në Sheshin Skënderbej për ish-luftëtarët e UÇK-së të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.