E shtyu me krahë të ëmën si të qe një njeri i huaj. Advija e përsëriti hapjen e krahëve, akoma më përmallshëm, por e bija e vështroi ftohtë, pa lëvizur asnjë qepallë.
Atëherë ajo klithi: “Më paska harruar çupa!” Hana sërish si akull.
Advije hanëmi shpërtheu në lot. Kur të qarët e saj e gulç u bënë dënesë, e vogla iu hodh si mace e vogël në krahë dhe i tha “Jo, mama, nuk të kam harruar”. Këtë herë lotët e të jëmës qenë shi i rrëmbyer: “Nuk më paska harruar, nuk më paska harruar!” dhe e shtrëngonte fort në kraharor.
Mos na krijoni plagë të reja në marrëdhëniet me grekët!
Italianët nuk e kishin shpallur ende sulmin e tyre kundër Greqisë, kur e thirrën Ali Këlcyrën për t’i kërkuar bashkëpunim. Kishin muaj që njerëzit e Romës kontaktonin me shqiptarë me ndikim tek bashkëkombësit e tyre dhe në mënyrë të tërthortë u kërkonin përkrahje në një fushatë të gjerë propagandistike kundërjugosllave dhe antigreke. Gjithçka mbulohej me një ngulëkëmbje se shqiptarëve u kishte mbërritur ora e favorshme t’u kthehej e drejta e tyre historike për të marrë Kosovën dhe Çamërinë, duke krijuar kështu Shqipërinë e Madhe.
Ndryshe nga disa të tjerë Ali Këlcyrën e patën thirrur për t’i ditur opinionin dhe tërhequr në anën e tyre, vetëm disa ditë para se sulmi ushtarak të ndodhte realisht.
Pra duhet të ketë qenë mesi i tetorit 1940.
Ndryshe nga çfarë kishte diskutuar përballë Françesko Jakomonit, ngjarje të cilën nuk e zinte shumë në gojë dhe përherë kërshërisë së të tjerëve për ta ditur hollësisht i binte shkurt, çfarë polemike pati me rastin e Greqisë e ka përshkruar vetë. Hana Klissura e ruan të plotë këtë mbresë kujtimesh të të atit. Kur e ka mësuar doemos që i ka bërë shumë përshtypje.
Zyra e lartë e administratës italiane të pushtimit, e cila e thirri në një bisedë informuese, trupave kundër grekut, kështu duke luftuar kundër tyre, i Ali Këlcyrës se shteti helen vazhdonte të mbante të rrëmbyer prej trojeve shqiptare një krahinë të tërë si Çamëria dhe se ajo duhej të çlirohej dhe t’i bashkohej vendit amë. Sipas personit që e thirri, Benito Musolini pati shprehur dëshirën që me ushtrinë e tij fitimtare ta kryente këtë vepër miqësie me popullin ilir të shqiptarëve, por gjithsesi donte të dinte si e gjykonte një veprim të tillë një politikan, i cili kishte vuajtur shumë prej dhunës greke, duke pësuar madje djegien e vetë banesës së madhe kështjellore të familjes.
Aliu fillimisht nuk pati shprehur në fytyrë, as në vështrim, ndonjë lloj ndjenje entuziazmi apo refuzimi. Qe i ftohtë dhe indiferent, si të ishte një kryeneç që mbahej shumë më sipër se funksionari i lartë.
Tha qetësisht se italianët ai i kuptonte fare mirë në çfarë po projektonin ndaj Greqisë, por për rezultatin e ndonjë sipërmarrjeje ushtarake nuk qe i sigurt se kjo ishte mënyra e vetme për t’ia dalë mbanë.
Italiani i lartë i vuri në dukje se suksesi ushtarak qe fare i padyshimtë dhe se do të mjaftonin vetëm tri javë që trupat e tyre të ndodheshin në Athinë e pas kësaj Çamëria të bashkohej me Shqipërinë.
“Unë lutem që të mos e bëni këtë sulm!”-shqiptoi Ali Këlcyra. “Mos e bëni, sepse do të humbisni”, përsëriti.
“Përse?”, pyeti tjetri.
“Sepse nuk jeni të përgatitur. Po vjen dimri dhe ushtria juaj ende është me veshje vere”.
“Ju thamë se për tre javë do të jemi në Athinë”.
“Gaboheni. Grekët janë trima dhe do të rezistojnë shumë”.
“Ne i kemi paguar me para të thatë në dorë gjeneralët më kryesore të ushtrisë greke. Dhe jo vetëm ata”.
“Këtë e besoj, por ata paratë i kanë marrë dhe sërish do të luftojnë kundër jush. Greku nuk e tradhton atdheun e vet. Ai gruan e shet, por Greqinë jo”.
“Megjithatë ju, zoti Këlcyra, keni një rast shumë të mirë që të merrni hak për sarajet e djegura”.
“Nuk jam mësuar që për problemet e mia personale t’u qahem të tjerëve dhe t’i zgjidh ato me mundin e tyre. Sarajet tona u dogjën për Shqipërinë dhe historia e vendit tim më mëson të bëjmë kujdes në përplasjet me fqinjët. Veçanërisht në marrëdhëniet me grekët na janë hapur plagë të mëdha”.
“Përse i arsyeton kështu ngjarjet, sikur të duash të kapësh veshin e majtë me dorën e djathtë? Ne premtojmë që në çlirimin e Çamërisë të derdhim gjak italian. Ju thjesht bashkohuni mendërisht me ne”.
“Nuk ngul këmbë mëkot në marrëdhëniet shumë të vështirësuara të vendit tonë me Greqinë, sepse, dhe këtë po ua them drejtpërsëdrejti, lufta që do të kryeni do të na i shtojë edhe më plagët me helenët. Do të na lini pas një barrë të rëndë”.
“Ju dogjën sarajet, merrni hak!”
“Ju lutem, më mirëkuptoni! Midis Greqisë dhe Italisë unë, si të gjithë shqiptarët, kam zgjedhur si më të afërtën atdheun tuaj. Por, edhe njëherë tjetër ju lutem, mos e nisni këtë luftë sepse keni për ta humbur!”
“Bashkohuni me ne! Kini përpara një mundësi të shquheni si largpamës”.
“Nuk ua kuptoj besimin se do t’ia dilni mbanë”.
“Ne do të fitojmë. Për tri javë do të jemi në Athinë, por pas këtij refuzimi për të bashkëpunuar ju do të ndiheni i vetmuar”.
“Mos më bëni presion! Kur mora lejen nga autoritetet më të larta të Romës që të kthehesha në Shqipëri, para se të nisesha nga Parisi, ambasadori juaj më premtoi se mbi mua nuk do të binte asnjë presion politik”.
Funksionari i lartë italian nuk i ktheu përgjigje, por shfryu, madje gati shkrofëtiu.
Ai nuk e dinte se për sarajet e djegura Ali Këlcyra kishte marrë hak menjëherë. Ndërsa pas bombardimit me top ato po digjeshin, i ndodhur rastësisht në një vend tjetër, por në afërsi, shumë fshatarë iu mblodhën përreth dhe, ndërsa shihnin të trishtuar përflakjen e madhe të kështjellës, sapo zjarri dha shenjën se po fikej, i thanë të shkonin për të luftuar grekët. “Boll pamë”, thirri njëri prej tyre, i armatosur me pushkë dhe shpatë, kobure po ashtu. “T’u vërsulemi!”, shtoi.
Aliu nuk kundërshtoi, por sqaroi se kurrë nuk kishte prekur një armë me dorë. Nuk dinte të luftonte me to, përveç se me fjalë. “Luftojmë ne, u përgjigjën shumë prej vendasve, ti na rri në krye!”
Muhamet beu, i cili ndodhej aty, ndërhyri për të mos e lejuar Aliun të përfshihej në përleshje, sepse i paditur në përdorimin e armëve dhe i ndodhur në rresht të parë të përleshjes do të vritej menjëherë, por qe vetë i nipi që këmbënguli: “Kam dhënë fjalën”.
Luftoi kundër grekëve atë ditë, por edhe shumë më pas, duke marrë në mbrojtje vazhdimisht muhaxhirët e shumtë që prej dhunës së andartëve dhe ushtarëve shkuan për t’u strehuar në ullishtet e Vlorës. Aty ndodhi që priti Princ Vidin me mbretëreshën Sofie, të ardhur posaçërisht për të parë gjendjen.
Fjalën e pritjes së tyre, për shkak se Sofia nuk e kuptonte shqipen, Ali Këlcyra e mbajti në frëngjishten e tij të shqiptuar shkëlqyeshëm.
Ikje e shpejtë nga Këlcyra
Jeta e familjes Këlcyra vijonte në rrjedhën e saj të zakonshme, ku Aliu largohej drejt Tiranës për ndonjë kontakt politik e pastaj rikthehej për të vazhduar rindërtimin e dyqaneve. Shtatë apo tetë të tillë i kishte riplotësuar me punime, bërë me mure të fortë dyfish që të mos i druheshin një djegie tjetër, kur një paradite e fundtetorit 1940 Hana Klissurës i sjell ndërmend se si i jati hyri papritur në oborr të banesës së tyre në Këlcyrë, e kapi për mesi, e ngriti në ajër dhe e futi në një kamion që sapo kish ndalur në rrugë. Mori edhe Advijen. Hodhi mbi karroceri edhe disa valixhe dhe morën rrugën drejt Vlorës. Këtu e gjetën shtëpinë bujtëse, atë të tezeve vrionase Hedije hanëm dhe Ruhije hanëm, të mbyllur dhe fjetën në hotel. Hana qe e hutuar jo vetëm përse do ta gdhinte natën në një bujtinë, çfarë vërtet nuk i pëlqente fare, por edhe përse mungonin kushërirat, ku patën shkuar.
Një ditë më pas u nisën për në Fier. U sistemuan menjëherë në shtëpinë e Vrionëve, ku edhe Advija kishte çifligun e saj në fshatin Muçan. Nuk patën filluar të shplodheshin sadopak prej atij kalvari kur u kuptua përse Ali Këlcyra kishte zhvendosur me shpejtësi familjen e vet. Pati filluar lufta italo-greke, 28 tetor 1940.
Hana me të ëmën në vitin 1942
Arrestimi i dytë i Ali Këlcyrës nga italianët
Ndërsa zhvilloheshin luftimet mes ushtrisë italiane dhe asaj greke, madje pati nisur edhe tërheqja e trupave fashiste të Musolinit, të tre shkonin herë pas here në Muçan. Në të vërtetë Advija vinte rrallë dhe kështu rrugën për në çiflig Hana më shpesh e bënte e hipur mbi një qerre të stolisur enkas për të dhe Aliu ulur në një karocë të tërhequr nga kuaj.
Karabinierët duket e dinin saktësisht ku ndodhej përderisa automobili me dy prej tyre u ndal pothuaj tek këmbët e tij. Baba e bijë qenë në buzë të një pylli ngjitur me çifligun kur të porsaardhurit iu afruan Ali Këlcyrës dhe diçka i thanë mënjanë. Ky i dëgjoi në heshtje, ndërsa Hana prej gojës së karabinierëve ndjeu të shqiptoheshin plot mirësjellje fjalët “zoti kont”.
Aliu ndërkaq pohoi diçka me kokë dhe iu largua me kujdes grupit të disa bujqve që po punonin aty afër. “Hajde me mua”, i tha Hanës dhe e mori të bijën prej dore. Pastaj hipi qetësisht në makinën e karabinierëve. Kur shkuan në shtëpinë e tyre në Fier Ali Këlcyra nxitoi të futej në dhomën e gjumit dhe Hanës i bëri përshtypje se si njeri prej italianëve e ndoqi nga pas të atin, duke hyrë edhe ai në dhomë. Një sjellje e tillë qe e paimagjinueshme, sepse të huajt si edhe të gjithë miqtë Ali Këlcyra i priste për të biseduar vetëm në sallon.
E habitur dhe po aq e tronditur Hana iu avit derës së dhomës së fjetjes, e cila ato çaste qe pak e hapur dhe prej hapësirës së pambyllur mund të shihej çfarë ndodhte brenda saj.
Pamja që pa e ngriu në vend. Do ta ndryshonte krejt, sikur të qe bërë papritmas një njeri tjetër. Karabinieri i vuri prangat Ali Këlcyrës. Ato kërcitën lehtë, si t’i kishin kafshuar duart. Përherë Hana do ta rrëfente këtë moment përmbysës: “Si forcë apo mbështetje babai për mua që atë moment mbaroi, vdiq. Pashë se babai nuk ishte gjë. Deri atë minutë e kisha konsideruar zot, ai kishte qenë gjithçka, por nga ajo ditë nuk kam shkuar më tek babai për probleme që mund të kisha”.
Humbja e papritur e fuqisë mbrojtëse të të atit do të shkaktonte tek e bija edhe një ndjenjë të papritur, të pandehur kurrë më parë: donte të vdiste. Nuk dëshironte të ekzistonte më.
Nuk kapërceu e plotë java e parë e pas arrestimit kur doli vendimi. Ali Këlcyra qe dënuar me gjashtë muaj internim në Itali, në qytetin Kortona (Cortona) të Arecos (Arezzo).
1946, Abaz Ermenji u raporton britanikëve
Në 30 mars 1946 Abaz Ermenji do t’u rrëfente me shkrim britanikëve se pati lindur në vitin 1913, gjimnazin përfunduar në Shkodër e më pas studimet e larta për letërsi dhe histori në katër vite, në Paris. Në 1937 qe kthyer në Shqipëri dhe gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në vitin 1938 ishte promovuar si lejtënant i dytë. Në tetor të atij viti qe liruar nga ushtria dhe pati nisur punën si profesor i letërsisë dhe i historisë në Liceun Francez të Korçës, paralelisht me shumë emra të njohur, mes tyre edhe Enver Hoxha.
Në muajin prill të 1939-tës pati formuar një grup rezistence me studentët e kolegjit të tij, por Shqipëria qe pushtuar shumë shpejt, prandaj edhe ai ishte larguar për në Greqi nga ku nisi të punojë për qendresën e armatosur kundër fashizmit, veçanërisht krijimin e një organizate aktive jashtë vendit. Për të kryer këtë objektiv të tij në gusht të atij viti pati shkuar në Athinë.
Ndërkaq italianët i dërgonin njëra pas tjetrës ftesa për t’u rikthyer në Shqipëri dhe me dhënien e garancisë se asgjë e pakëndshme nuk kishte për t’i ngjarë. Me futjen në luftë të Gjermanisë, sipas pohimit të vetë Abaz Ermenjit për britanikët, ai mendoi se ditë më të mira do të vinin për lëvizjen e tij dhe më në fund e pranoi ftesën e italianëve. U rikthye në Shqipëri në tetor 1939.
Filloi këtu kontaktet me njerëz të rezistencës dhe krijimin e celula të luftës, duke u shfaqur publikisht edhe në 28 nëntor në një demonstratë me karakter kombëtar. U arrestua në 15 nëntor në Elbasan. Pas dy javësh në burgun e këtij qyteti, italianët e transferuan në Bari. Pas dy muajve më pas në qelitë e tij e zhvendosën në ishullin e Ventotenes, qendër e njohur internimesh prej fashistëve.
Për britanikët në raportin e tij të 30 marsit 1946 Abaz Ermenji rrëfen se pikërisht këtë çast i bëjnë të ditur se qe dënuar prej Gjykatës së Tiranës të mbyllej në atë ishull për plot pesë vite burg.
U lirua si pasojë e një amnistie të qeverisë Musolini. Kështu në 20 gusht u kthye në Shqipëri. Rifilloi sërish veprimtarinë e organizimit të rezistencës. E ndihmonte këtë frymë edhe hyrja në luftë e Bashkimit Sovjetik të sulmuar befasisht nga nazistët gjermanë. Kjo ishte edhe periudha, kur i vëzhguar nga policia politike italiane, u detyrua të dalë në mal. Këtu kishin filluar të krijoheshin mjaft çeta të armatosura, pohon në raportin për britanikët, Abaz Ermenji.
Arkitekti enigmatik Serkul
Pasi Ali Këlcyra kishte bërë tre muaj internim në Kortona Advije hanëmi ia doli të siguronte lejen për të shkuar bashkë me të bijën pranë të shoqit. Këtë mundësi ia dha kushëriri i parë, Shefqet Vërlaci, i cili ishte kryeministër.
Hana ngazëllente për rrugën që do të merrte përtej detit dhe “vëllanë”, kukullën djalë prej celuloidi, ia la Muhamet beut për ta ruajtur deri sa të kthehej. Kur mbërritën në Kortona dhe panë që Aliu jetonte në një shtëpi dhe ishte i lirë të vërtitej nëpër qytet e sigurisht jo me ikje prej tij, e kuptuan se internimi qe me kushte të mira, çfarë, siç mësuan aty, por edhe më pas, ishte një mënyrë e njëjtë sjelljeje për të gjithë të internuarit politikë të fashizmit, vendas apo të ardhur me dënim që nga Ballkani. Autoritetet e qytetit e ndaluan Ali Këlcyrën vetëm një herë, kur i nisi t’i dhembte një dhëmballë. Për ta kuruar atë jashtë Kortonës u detyrua të merrte një leje të shkruar.
Në Kortona Hana filloi mësimin me shkrim e këndim të gjuhës italiane. Ishte plot vullnet dhe prirje, përvetësonte shumë shpejt. Ndërkaq italianët në Shqipëri gjetën një mënyrë për të djegur shtatë dyqanet e rindërtuar të familjes në Këlcyrë.
Paralel me këtë lajm të zymtë, i cili paralajmëronte se fati i ngjashëm mund të qe edhe për afro dyzetë të tjerët, kushëriri kryeministër, Shefqet Vërlaci, mund t’i bindë autoritetet italiane të vendit se prej Aliut nuk do t’u vinte ndonjë e keqe, prandaj le ta linin të lirë.
Gjithsesi, kur Ali Këlcyra u kthye në Shqipëri, në internimin e tij në Kortona, pothuaj po i mbushte gjashtë muajt e dënimit.
Në vendlindje dëshmoi shumë përmallim për viset e saj dhe një ditë, me sytë që i përndriteshin si të qenë lagur prej ndonjë loti gëzimi, bëri të ditur diçka që duket e kishte menduar qetësisht nëpër ditët e porsakaluara larg Shqipërisë. Një meraku të tij të shprehur vazhdimisht me humor të lehtë “Kujt do t’ja lë Këlcyrën?”, e pati zgjidhur pak a shumë kështu: me pronat e tërë pjesëtarëve trashëgues të familjes në dy breza do të ndërtonin një spital.
Ky do të ishte sanatorium dhe do të kishte dy pavione. Njëri do të qe kundër veremit, tjetri kundër kancerit. Tuberkuloz dhe tumor, çuditërisht nëpër Këlcyrë dhe rrethinat e afërta e të largëta të saj, gjeje raste mjaft të shpeshta. Flitej madje se qarkullonte një virus i të dy sëmundjeve të liga. Një nga mjeket, e vijoi Aliu shpjegimin e projektit të vet, kur të rritej dhe studionte në universitet, do të qe Hana.
Bashkë me këtë ide ai paraqiti edhe një tjetër: me rindërtimin e plotë të mbi dyzetë dyqaneve të tyre mund të fillonin përreth Këlcyrës edhe ngritjen e qyteteve të vogla satelite të saj, duke e bërë kështu vendlindjen një mikrometropol. Si të thuash, sarajet e dinastisë së tyre do të zbrisnin nga thepat e malit e përhapeshin banesa për të gjithë në luginë.
Për të tëra këto Ali Këlcyra thirri edhe një arkitekt, i cili nisi punën. Në fund të vitit 1942 ky e kishte përfunduar tërë punën projektuese.
Qe i huaj. Kroat apo anglez, nuk ishte e qartë, nuk e la kurrë të kuptohej. Quhej Serkul. Mos ishte spiun?
Ali Këlcyra dhe Hana në Romë viti 1953
Ali Këlcyra dhe Hana në Romë viti 1959
(Vijon)
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com