Aliaj: Çako s’pyeti Llallën
oficerët pa çertifikatë sigurie

Gjyqtari Arjan Aliaj ka argumentuar në vendimin e tij për caktimin e masës së sigurisë, pezullim nga detyra për Drejtorin e Policisë Haki Çako, se ky i fundit jo vetëm që ka neglizhuar detyrën, por ka pranuar të futet në territorin shqiptar, paisja përgjuese,duke mos u konsultuar me personin përgjegjës të përgjimeve, Kryeprokurorin Adriatik Llalla. Në vendimin e gjykatës thuhet pas nisjes së hetimeve Çako, e ka informuar Llallën nëpërmjet dy shkresave, duke dhënë një informacion lakonik dhe jo shumë të hollësishëm. Nga ana tjetër në vendimin e gjykatës thuhet se Çako nuk ka respektuar procedurat ligjore, duke mos paisur me çertifikata sigurie oficerët e policisë që janë ngarkuar me detyrën e përdorimit të kësaj paisjeje.

Vendimi i gjykatës  
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar procedimin penal nr. 3946 të vitit 2016 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar  nga neni 248 i Kodit Penal. Shtetasi Haki Çako mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndikimi dhe marrëdhënia e tij në lidhje me çështjen hetimore nga pikëpamja dokumentare ka filluar në datën 09.05.2016, kur ka nënshkruar shkresën me numër protokolli 581. Në këtë shkresë ky shtetas, në funksion të detyrës së tij, jep sqarime për Prokurorin e Përgjithshëm në lidhje me aparaturën “IMSI CATCHER”. Kjo shkresë është lakonike dhe konfirmon vetëm tri pika.
a) Në Republikën e Shqipërisë ka hyrë një aparaturë e quajtur “IMSI CATCHER”.

b) Kjo aparaturë është sjellë nga specialistë të policisë italiane në kuadër të bashkëpunimeve me policinë shqiptare për trajnimin e kësaj të fundit.
c) Pajisja shërben për të identifikuar numrat IMSE dhe nuk shërben për përgjim.
Momenti i dytë është shkresa me numër protokolli 581/3, e datës 13.05.2016. Në këtë shkresë përcaktohet se gjatë gjithë kohës pajisja është disponuar nga partnerët italianë. Nga krahasimi i dy shkresave rezulton se në një periudhë katërditore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka kryer asnjë verifikim të situatës reale duke ngritur dyshimin se fsheh realitetin e konsumuar në terren deri në këtë datë.

Në datën 17 maj 2016 ky shtetas ka dhënë deklarime rreth dijenisë së tij për këtë ngjarje nga ku vërehet se ka shtuar faktin se kjo pajisje është në gjendje të identifikojë numrin IMEI të çdo aparati telefonik. Gjithashtu ai deklaron se Policia e Shtetit Shqiptar dhe partnerët e saj nuk ofrojnë trajnime në kundërshtim me legjislacionin shqiptar. Në këtë deklarim, megjithëse kishin kaluar tetë ditë nga shkresa e tij e parë për sqarimin e situatës, ai shprehet se nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor të hyrjes së pajisjes. Është e qartë që nuk e ka kryer detyrën e tij pasi në hapësirën kohore duhej të kishte krijuar panoramën e plotë të ngjarjes. Këto pretendime dhe dyshime bazohen në faktet e mëposhtme:

1.Përcaktimin se aparatura është në gjendje të evidentojë dhe numrat IMEI të aparateve telefonike duhej ta përcaktonte që në shkresën e datës 09.05.2016 pasi administrimi i numrave IMEI është një pjesë e mirëfilltë e procesit të përgjimit.
2. OPGJ të Prokurorisë Tiranë kanë hyrë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit në datën 13.05.2016 midis orës 11:45 dhe 12:00 (ka edhe foto). Në këto ambiente nuk gjendej shtetasi Haki Çako dhe OPGJ-të kanë vijuar të prisnin ardhjen e tij. Në orën 12:00, nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve në ambientet e FPO-së,
automjeti që mbarte pajisjen ka dalë nga këto ambiente nën drejtimin e shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj, pra rreth 10 minuta pasi OPGJ-të ishin paraqitur në DP të Policisë me vendimin për sekuestrimin e kësaj pajisjeje. Nga krahasimi i periudhës para datës 12 maj 2016 dhe pas kësaj date, është e qartë se për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjesëtarët e grupit trajnues ka ndodhur diçka thelbësore, pasi automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambienteve të FPO-së dhe pas kësaj date ka dalë për të mos u kthyer më. Ka dyshime që hapësira kohore prej gjysmë ore ka shërbyer për të bërë të pamundur sekuestrimin e aparatit.

3. Shtetasi Haki Çako pretendon në formë konsekuente se aparatura nuk është përdorur në asnjë moment nga shtetas shqiptarë, por nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve në FPO dhe nga pyetja e specialistëve të mbajtjes së librit rezulton se, të paktën në dy raste, automjeti ka qenë në posedim të shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj, i vetëm.Pra, shtetasi Haki Çako tregon se ka një inkoherencë të plotë me realitetin.

4. Bazuar në marrëveshjen dypalëshe të datës 19 qershor 2007 rezultoi se palë për zbatimin e marrëveshjes janë nga njëra anë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për Republikën e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër, Departamenti i Sigurisë Publike për Republikën e Italisë. Neni 8/3 fjalia 2 ngarkon palën shqiptare që, pavarësisht imunitetit që gëzojnë anëtarët italianë të Zyrës INTERFORCE, pala shqiptare të njoftojë Zyrën italiane INTERFORCE nëse ka mendimin që një ose disa anëtarë të kësaj zyre kanë kryer një krim të evidentuar jo në flagrancë. I ngarkuar me këtë detyrë, shtetasi Haki Çako, jo vetëm që nuk e ka njoftuar Zyrën italiane INTERFORCE, por as nuk ka kryer verifikimet minimale në lidhje me veprimet e kryera pranë zyrave doganore të shtetasve italianë që futën në Republikën e Shqipërisë aparatin objekt hetimi. Sikurse u tha më sipër, edhe tetë ditë pas shkresës së tij të parë, shtetasi Haki Çako shprehet se nuk ka për detyrë të dijë apo të hulumtojë regjimin doganor të pajisjes ndërkohë që marrëveshja dypalëshe e ngarkon me detyrën e evidentimit të krimeve (nëse do të rezultojnë të tilla) të kryera nga anëtarët e palës tjetër gjatë ekzekutimit të veprimeve dypalëshe.

Në rastin konkret, punonjësit italianë qukanë bërë të mundur futjen e aparaturës në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk kanë deklaruar ekzistencën e pajisjes në pikën doganore dhe nuk i kanë dhënë regjimin e përkohshëm doganor pajisjes sipas detyrimeve të VKM Nr. 205, datë 13.04.1999, nenet 350/d/e, ku përcaktohet detyrimi se pajisjet, mallrat që do të shërbejnë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një demonstrim sikurse është rasti konkret, regjistrohen dhe marrin regjimin e ndërmjetëm doganor. Pra, shtetasi Haki Çako shprehet i çinteresuar në ushtrimin e detyrës së tij që ia ngarkon marrëveshja dypalëshe.

5. Ky shtetas merr përsipër me përgjegjësinë e tij, pa kryer asnjë hulumtim të natyrës speciale apo administrative se, gjatë veprimtarisë së përdorimit të aparatit IMSI CATCHER nuk është kryer asnjë veprim i jashtëligjshëm. Nga hetimi ka rezultuar se aparati konkret funksionon duke u sjellë si një antenë e rrjetit telefonik Mobile dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton devijimin e komunikimit të aparateve fundore nga antena ligjore tek antena e gënjeshtërt. Kjo gjë bie ndesh me detyrimet e Ligjit Nr. 9918, neni 123/2. Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor – antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatet fundore që tentojnë të lidhen me të. Nëse kjo gjë ndodh, shkelen detyrimet e Ligjit Nr. 9918, neni 101, pasi dyshohet se krijohet një database jo e plotë e fondit arkivor të shoqërive telefonike.

Shoqëritë telefonike kanë detyrim ligjor të krijojnë një fond arkivor për dy vitet e fundit të komunikimeve ndërmjet tyre. Në rastin konkret, fondet arkivore dyshohet se nuk do të jenë të sakta pasi nuk do të kenë të regjistruara devijimet e kryera tek antena e gënjeshtërt. Çdo subjekt me interesa ligjore nuk do të ketë në dispozicion të vërtetën e komunikimeve. Në këto kushte është e qartë që shtetasi Haki Çako nuk ka shprehur të vërtetën e plotë në qëndrimet shkresore të tij apo në deklarimet procedurale. Nëse kjo gjë ka ndodhur nga neglizhenca ose paaftësia apo ka ndodhur me dashje, kjo gjë duhet të përcaktohet nga hetimi në vijim. Fakt është që Haki Çako paraqitet i çinteresuar për ushtrimin e detyrës së tij në të kuptuarin e plotë dhe në detaje të asaj që kishte ndodhur dy muajt e fundit me pajisjen dhe limitet e saj, tashmë që çështja ishte në vëmendjen e tij të plotë. Për të vijuar hetimin në mënyrë efektive, shtetasi Haki Çako nuk duhet të vijojë të mbajë detyrën e Drejtorit të Policisë së Shtetit pasi ndikon mbi institucionin dhe vartësit e tij.

6. Me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë duhej të kujdesej që një trajnim i tillë, me këto parametra, të kryhej nën regjimin e lejuar të DSIK-së sipas VKM-së Nr. 701, datë 22.10.2014, nenet 1, 2, 3/c, 4 dhe 16. Është e qartë se DP e Policisë së Shtetit duhej të pajiste çdo anëtar me certifikatë të DSIK-së.
7. Ligjit Nr. 9157, datë 04.12.2003, vendos si organ suprem të procedurave të përgjimit Prokurorin e Përgjithshëm. Kjo aparaturë zotëron, edhe vetëm sipas përshkrimeve të të pyeturve, disa prej proceseve të përgjimit. Kështu, kryesori është administrimi i IMEI, e dhënë e cila është cilësuar si personale dhe jo e administruar nga shteti apriori. Është e vërtetë që vetëm pasja e nr. IMEI, pa u lidhur me emrin konkret të shtetasit që e posedon, nuk shkakton përgjim në vijim, por që trajtimi të kishte trajtë transparente për tema të tilla delikate dhe për të shmangur çdo mundësi që individë apo grupe individësh të mund të shkojnë më tej me eksesin e tyre, autoriteti konkret shqiptar DP e Policisë së Shtetit duhej të ishte konsultuar paraprakisht për përdorimin e kësaj pajisjeje me Prokurorin e Përgjithshëm si autoriteti qendror dhe i vetëm i përgjimit me DSIK dhe me AKEP, në mënyrë që qëndrimi i kësaj pajisjeje në territorin e Republikës së Shqipërisë të kishte përkufizim ligjor dhe transparent për qëllimet e përdorimit dhe mundësitë teknike të tij.

cako dokument

cako dokument

Redaksiao online
a.n shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Superkupa 'deh' Milanin, Cagliari e ndal 1-1 në 'San Siro'! Alen Sherri në stol

VIDEO/ Superkupa 'deh' Milanin, Cagliari e ndal 1-1 në 'San Siro'! Alen Sherri në stol