Në hyrje të Kuvendit, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka komentuar një protestë të thirrur nga Sali Berisha. Alibeaj tha se Berisha nuk mund të përfaqësojë njerëzit që vuajnë, ndërsa tha se mënyra më e mirë për të bërë protestë është në Kuvend.
“Do protestosh për krimin, duhet të flasësh këtu. Do protestosh kundër çmimeve të larta, kundër oligarkëve, unë besoj se mënyra më e mirë për të protestuar është këtu. Unë protestoj sot, protestoj në çdo rast. Detyra e çdo deputeti është kjo. Nuk mund të jetë Sali Berisha përfaqësimi i atyre njerëzve të cilët sot vuajnë gjithmonë e më tepër. Absolutisht jo. Më kuptuat mirë se çfarë thashë.
Nuk është ai shpresa e njerëzve. Para se të shkojnë te sheshi dhe t’u thonë njerëzve hajdeni të protestoni të vijnë këtu dhe të thonë një gjë. Kanë guxim ta thonë? Për të protestuar për çmimet e larta duhet të thotë se çfarë qëndrimi ka ndaj oligarkëve”, tha Alibeaj.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka ironizuar protestën e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha. Ai ka thënë se ka gjithmonë një arsye për të protestuar por shtoi se ai qëndron në krah të qytetarëve dhe jo të non gratave. Ndërkohë që pjesa tjetër e deputetëve kanë deklaruar se do të marrin pjesë në protestë. Për protestën kanë folur edhe Ervin Salianji, Tomorr Alizoti, Saimir Korreshi, Agron Duka, Grida Duma, Arbi Agalliu, Ina Zhupa, Ferdinand Xhaferri, Flutura Acka, Xhelal Mziu, Flamur Hoxha etj.
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi i pyetur nga gazetarët para seancës plenare në Parlament, konfirmoi pjesëmarrjen në protestën e thirrur nga Berisha. Ai ironizoi futjen në listën si organizator i protestës, duke thënë se “nuk ia kanë marrë masën e kostumit”.
“Masë për kostum nuk na kanë marrë me thënë të drejtën, nuk e di si do e qepin, por për të marrë pjesë në protestë unë kam thënë nuk e ndërroj, do të marr”, u shpreh Korreshi.
Pyetjes nëse do të punojë me strukturat në Lushnje, Korreshi iu përgjigj duke thënë se diçka e tillë është e vështirë, pasi Partia Demokratike është e ndarë dhe situata ka ngelur pa zgjidhje.
Për këtë, ai tha se në protestë duhet marrë pjesë si demokrat, pasi aktualisht nuk ka struktura.
“Strukturat janë dyzuar, të pyesin jo po me kë je ti. Nuk të pyesin më a je kundër qeverisë, po a je me Lulin apo me Saliun. Ka ngelur një pyetje që do zgjidhje. Dhe unë mendoj se duhet të ketë një zgjidhje në Partinë Demokratike dhe nuk ka më struktura, ka demokratë, njerëz kundër kësaj qeverie që duan të vijnë protestë. Kjo është zgjidhja që të shkohet në protestë kundër qeverisë, jo se je me njërin apo me tjetrin”, tha ai.
I pyetur në lidhje me batutën e tij “nëse do ta pranonte kostumin sido që të ishte”, Korreshi u shpreh: “Po tani nëse do të jetë një këmbë më i shkurtër një më i gjatë nuk shkon, jo për gjë, por duhet depiluar pastaj.”
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike është kundër protestave të organizuara nga Sali Berisha. Gazment Bardhi në një prononcim për mediat para se të hynte në seancë plenar ka ironizuar protestën e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha. Sipas Bardhit ka gjithmonë një arsye për të protestuar por shtoi se ai qëndron në krah të qytetarëve dhe jo të non gratave.