Alibeaj ia bën të qartë Berishës: Asnjë non grata s’ka vend në Partinë Demokratike

 

Kryetari i Komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ia ka bërë edhe njëherë të qartë Sali Berishës se një person non grata nuk ka më vend ne atë parti. Alibeaj në fjalën e tij para demokratëve, u ndal edhe në një pasqyrim të gjithë situatës që ka ndodhur brenda PD-së, që prej përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar. Alibeaj tha se Berisha ishte ai që refuzoi çdo bashkëpunim dhe i çoi demokratët tek Ilir Meta.

"Në lidhje me Sali Berishën i qëndrojmë vendimit të 9 shtatorit. Ai ka qenë një vendim i drejtë dhe i arsyeshëm i ish-kryetarit të Partisë Demokratike, proporcional në raport me zgjedhjen themelore që kjo parti ka bërë në dhjetor të vitit 1990, qëndrimin euro-atlantist. Asnjë non-grata i çfarëdo lloji nuk ka vend në Partinë Demokratike, aq më pak të na udhëheqë, aq më tepër të na përdorë apo manipulojë demokratët e Shqipërisë, njerëzit më të vuajtur, më energjikë dhe më besimplotë të këtij vendi, në shërbim të qëllimit të tij. Në këto 18 muaj është koha të bëjmë një bilanc. Pas 9 shtatorit, në vend që të tërhiqej në jetën e tij dhe të trajtonte personalisht problemin me SHBA, në rrugë ligjore, Sali Berisha iu fut një fushatë për t’i vënë kazmën Partisë Demokratike. Ai ndërtoi një proces anti-statutor dhe të paligjshëm duke ndërtuar organe dhe struktura paralele në PD dhe duke mbledhur në 11 dhjetor një kongres të paligjshëm të cilin Gjykata e Apelit e rrëzoi dhe e quajti nul.

Por nuk u mjaftua me kaq. Ai erdhi në 8 janar dhe sulmoi fizikisht selinë e Partisë Demokratike duke dhënë shembullin e një barbarie të pashoqe për jetën publike kombëtare dhe ndërkombëtare. Në 6 mars të vitit të kaluar në një koordinim perfekt me trekëndëshin, në zgjedhje krejt të sajuara, mori demokratë dhe i çoi nëpër sigla të tjera socialiste, duke goditur shanset e demokratëve për të fituar këto zgjedhje. Aktet e tij kundër PD nuk përfundojnë këtu! Edhe pse ish-kryetari Lulzim Basha dha dorëheqjen për të mos e vazhduar përçarjen, me pretendimin logjik që të njëjtën gjë ta bënte dhe Sali Berisha, me qëllim që demokratët të shkonin drejt një procesi dhe të ndalej kjo përçarje dhe dhuna e brendshme verbale ose fizike, Sali Berisha vazhdoi veprimet e tij të njëanshme.

Ai bëri kongres të njëanshëm në 30 prill, bëri zgjedhje të njëanshme duke u zgjedhur apo vetëzgjedhur kryetar i PD-së dhe duke përmbysur çdo rregull apo logjikë politike. Ai, vazhdoi duke mashtruar demokratët se është njeriu që do ti çonte në fitore, dhe kush?!  Ai që humbi në vitin 2013!  Jo vetëm kaq. Ai që në fund të korrikut të këtij viti prej qeverisë konservatore britanike u shpall non-grata. Dhe ajo nuk ishte qeveri soroiste, ishte qeveri e partisë sonë simotër, ishte qeveri anti-soroiste dhe e shpalli me të njëjtat terma non-grata Sali Berishën, tashmë me një dosje të plotë të vënë përpara syve të tij. Duke pretenduar se do të rrëzonte për disa ditë qeverinë apo Edi Ramën, por në koordinim të thellë me të, ai organizoi procesin e njëanshëm të primareve duke manipuluar dhe gënjyer demokratë për shanset për pushtet të një partie të udhëhequr nga non-grata, shanse të cilat thjesht nuk ekzistojnë.

Megjithatë, qëndrimin tonë të arsyeshëm për bashkim ai e refuzoi duke bërë një proces të njëanshëm primaresh. Negociatat Bardhi – Paloka dështuan sepse Sali Berisha nuk pranoi asgjë, sepse kërkonte jo bashkim por imponim, jo fuzion por nënshtrim dhe asimilim. Kulmi i veprimit shkatërrimtar të tij ndaj Partisë Demokratike qe pas 3 marsit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, vendim i mbajtur peng gjatë nga qeveria e Edi Ramës. Gjëja më absurde, që dëshmon qartë se qëllimet e Sali Berishës që nuk janë për demokratët, nuk janë për shqiptarët, nuk janë për simpatizantët, por janë për të krijuar një moment imponues për hallin e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është refuzimi nga Sali Berisha i ofertës sonë zyrtare që kandidatët e primareve të ishin kandidatë të Partisë Demokratike dhe të vinin të kandidonin në shtëpinë e tyre, me logon e tyre", tha Alibeaj.


Lajmi kryesor:

PD hap fushatën, Alibeaj: S’ka më vend për 'non grata'-n! Bejko-Berishës: Largohu, hiqi duart! Lejoi demokratët të fitojnë, s’votojnë grabitqarin Meta


SI.E./KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë