PD hap fushatën, Alibeaj: S’ka më vend për 'non grata'-n! Bejko-Berishës: Largohu, hiqi duart! Lejoi demokratët të fitojnë, s’votojnë grabitqarin Meta

TIRANË- Partia Demokratike hapi sot zyrtarisht fushatën për 14 majin. Mesazhet ishin të qarta, thirrje për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara. Kjo do të jetë edhe pika e fortë e Partisë Demokratike në këtë garë elektorale, të cilët po luajnë shumë fort me shpalljen e Berishës non grata nga dy aleatët më të mëdhenj të vendit tonë, si edhe koalicioni me Ilir Metën. Kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj i bëri edhe njëherë të qartë Sali Berishës, se dera për të është mbyllur dhe nuk do të ketë vend kurrsesi në gjirin e PD-së.

“Asnjë non-grata i çfarëdo lloji nuk ka vend në Partinë Demokratike, aq më pak të na udhëheqë, aq më tepër të na përdorë apo manipulojë demokratët e Shqipërisë”, tha Alibeaj.

Edhe më i fortë ishte mesazhi i kandidatit për Tiranën, Roland Bejko i cili i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë Sali Berishës që të largohet dhe t’i lërë demokratët që të fitojnë përballë Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

“Kam edhe një mesazh për ty Sali Berisha. Hiqni dorë nga sulmet mbi Partinë Demokratike. Hiqni dorë nga pengimi i Partisë Demokratike në misionin e saj për të demokratizuar Shqipërinë dhe për ta çuar atë në europë. Sali Berisha hiqi gishtat nga sytë e demokratëve. Hiqi duart Sali Berisha dhe lëri demokratët të firojnë, lërini shqiptarët të ndryshojnë, ta largojnë nga pushteti këtë dyshe të keqe, Edi Rama dhe Erion Veliaj”, tha Bejko.

Njëzëri, Alibeaj dhe Bejko thanë se votat e demokratëve nuk do të shkojnë tek socialisti Ilir Meta, duke e akuzuar Berishën se kjo ka qenë një strategji për të dëmtuar PD në mënyrë që ajo të mos futej në zgjedhje.

“Ai refuzoi çdo bashkëpunim me Partinë Demokratike në këto zgjedhje duke i çuar demokratët te  socialisti Ilir Meta, duke pasur vetëm një qëllim: të dëmtojë sa më shumë shanset e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit”, tha Alibeaj.

“Ne jemi këtu sot , unë jam në  këtë garë pikërisht për të shpëtuar nderin dhe historinë e Partisë Demokratike që mos të rrëshkasë në duart e një autokrati lindor dhe në dorën e një grabitqari politik si socialisti Ilir META, të cilin Sali Berisha e ka futur në mënyrë të pabesë në gjirin e demokratëve, që ai votat e tyre  ti marrë dhe ti çojë nesër te pazari i radhës me  Edi Ramën”, tha Bejko.

Duke ironizuar premtimet e tyre, Bejko nuk la pa sulmuar as dy kandidatët e garës për Tiranën të Partisë Socialiste e “Bashkë Fitojmë”.

"Vizioni im për Tiranën, vizoni ynë për Tiranën, nuk bazohet te premtime utopike me autobusë falas  apo me dy million pemë, por te një vizon realist dhe tërësisht i mundshëm", tha Bejko. 

‘Frymëmarrje për Shqipërinë’ është slogani i PD-së, ndërsa përballë demokratëve të mbledhur në Pallatin e Sportit Fahrie Hoti, Roland Bejko prezantoi edhe programin e tij për Bashkinë e Tiranës. Programi me 15 pika prek disa fusha, nga arti, sporti, ekonomia apo transporti.

Të pranishëm në këtë takim ishin deputetët e grupit parlamentar që kanë mbështetur Bejkon, si Oriola Pampuri, Kreshnik Çolalku, Lefter Gështenja. Ndërkohë, u vu re mungesa e Jorida Tabakut, ndërsa i pranishëm edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ndonëse deri më tani nuk është parë në asnjë nga takimet publike të Bejkos me qytetarët. Ndërkohë, u vu re edhe mbështetja e ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha, përmes rrjeteve sociale. Ai nuk ishte i pranishëm në takim, por e shpërndau atë live në Facebook.

Pikat kryesore të programit

  • 1.       Arsimi para universitar dhe universitar: Krijimi i infrastrukturës për të pritur në Tiranë deri në 250 mijë studentë deri në 2030.
  • 2.       Arsimi parashkollor: Kopshte dhe çerdhe funksionale, sipas parimit jo më tepër se 15 min larg
  • 3.       Arti. Zero taksë bashkiake për organizatat artistike dhe individët e pavarur që organizojnë aktivitete kulturore në Tiranë.
  • 4.       Bujqësia. Ç’ monopolizim i tregut ushqimor. Hapja e 5 tregjeve në pikat hyrëse të Tiranës dhe promovim i ushqimit të 'Kilometrit 0'.
  • 5.       Ekonomia. Tre zona të lira ekonomie në zonën e Krrabës, Arbanës dhe Ndroqit, për fuqizimin e ekonomisë së Tiranës.Inicim, ligj i ri për Tiranën.
  • 6.       Kujtesa: Shpallja muze e burgut 313, vend i vuajtjes së vuajtjet të dënimit. Vila 31 e Enver Hoxhës do të shpallet qendër edukimi dhe informimi për kujtesën.
  • 7.       Mjedisi. Afrimi i normave evropiane mjedisore mbi ndotjen e ajrit dhe ujit deri në fund të mandatit.
  • 8.       Strehimi. Mundësi strehimi për të gjithë. Luftë çmimeve të larta të banesave. Ulje e taksës lokale nga 12% në 5% ndaj ndërtuesit. Transparencë për ndërtimet në Tiranë.
  • 9.       Shëndetësia. Kujdesi shëndetësor jo më larg se 15 minuta nga banesa e qytetarit. Rikonceptim shërbimit spitalor.
  • 10.   Taksa për të gjithë por të ulëta. Përgjysmim me 50% të taksave aktuale. Eliminim i gjysmës së tarifave dhe ulje të informalitetit.
  • 11.    Turizmi. Turizëm gjatë gjithë vitit dhe i shumëllojshëm. Pesë vite zero taksë për sipërmarrjet turistike, bujtinave, start up, etj.
  • 12.   Transporti. e-Transport. Biletë unike elektronike, pra s’ka radhë. Formatimi i stacioneve të kronometruara.. 5 parkime të mëdha publike në hyrje të Tiranës, mbi dhe nën tokësore.
  • 13.   Territori. Do të bëhet zonim i Tiranës, zona rekreative, industriale, shërbime spitalore dhe sportive. Përqendrimi i kullave me infrastrukturë të përshtatshme në bulevardin e ri.
  • 14.   Sporti. Krijim i abonesë bashkiake për sportin. Subvencionim dhe abonime për aktivitetet sportive, e mundur për të gjithë qytetarët.
  • 15.   Trashëgimia: Shpallja monument kulture i katër zonave, zona e trashëgimisë otomane, e paraluftës,  e komunizmit dhe shpallja muze e ansamblit arkitekturor qendra

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:33
Bardhi ndan foto me kandidatët për Këshillin Bashkiak: PD ka paraqitur një listë të shkëlqyer

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka ndarë një foto me dy kryesuesit e listës për Këshilla Bashkiak pas hapjes së fushatës për 14 majin. Bardhi shkruan se PD ka zgjedhur një listë të shkëlqyer për Këshillin Bashkiak.

“Me dy kapitenët e listës së Partisë Demokratike për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Prof. Enriketa Papa dhe Gentian Muça. PD ka paraqitur një listë të shkëlqyer për Këshillin Bashkiak Tiranë, me gra e burra, djem e vajza, që e duan Tiranën dhe qytetarët e saj. Voto PD, voto nr.9”, shkruan Bardhi.

Ora 19:15
Bejko prezanton vizionin e tij për Tiranën: Nuk premtoj autobusë falas dhe as 2 mln pemë

 

Kandidati i Partisë Demokratike, Roland Bejko ka prezantuar vizionin e tij për Tiranën. Ai ironizoi premtimet e 2 kundërshtarëve të tij, Erion Veliaj dhe Belind Këlliçi duke i cilësuar si të paarritshme, e ndërsa u ndal në disa çështje. Ai premtoi zerim të taksave për sipërmarrjet kulturore dhe artistike, për ulje taksash, një muze për viktimat e komunizmit, ulje të ndotjes në kryeqytet dhe vende pune.

“Vizioni im për Tiranën, vizoni ynë për Tiranën, nuk bazohet te premtime utopike me autobusë falas  apo me dy million pemë, por te një vizon realist dhe tërësisht i mundshëm. Një vision qartësisht i djathtë ku në thelb janë vlerat më të mira njerëzore si  merita, konkurenca, morali politik, ndershmëria. Ku në qendër të këtij vizioni  janë identiteti, kultura dhe historia e Tiranës. Ky është një vizion totalisht i kundërt me  dy alternativat majtise që kemi përballë.

Në fakt, ne mund ti premtonim qytetarëve të Tiranës jo vetëm autobusë falas, por edhe një euro për cdo person që merrte transportin publik, apo nga një pemë në cdo shtepi, por ne jemi njërëz serioz. Ne e shikojmë politikën dhe qeverisjen me seriozitet dhe ndershmëri, dhe jo me mashtrime populiste që si beson askush.

Ne jemi për një Tiranë, qytet mikëpritës për studentët me të gjitha infrastrukturat nevojshme, e cila të jetë e gatshme  për të pritur  150 mijë studentë, shqiptar dhe të huaj brenda vitit 2030.

Ne jemi për një Tiranë, ku cerdhet, kopshtet dhe shkollat mos të jenë më shumë se 15 minuta larg shtëpive të cdo familjeje.

Ne jemi për një Tiranë, ku taksat lokale për sipërmarrjet kulturore dhe artistike, apo individë, janë zero.

Ne jemi për një Tiranë, ku tregjet e ushqimeve nuk janë monopol. Dhe ne për këtë, do të ndërtojmë 5 tregje në pikat hyrëse të Tiranës dhe do të nxisim konsumin e ushqimeve me ‘’kilometër zero’,’ për të ndihmuar shitjen e prodhimit të   zonave rurale të tiranës.

Ne jemi për një Riranë, me taksa të ulta dhe taksa për të gjithë. Për të nxitur dhe për ti dhënë frymarrje ekonomisë lokale. Për nxitjen e keonomisë lokale dhe tregut të lirë në do të ndërtojmë  tre zona të lira ekonomike.  Në zonën e Kërrabës , Arbanës dhe Ndroqit.

Ne jemi për një Tiranë, që kujton dhe respekton sakrificën e atyre njërzve që dhanë jetën në kohën e kumunizmit, ku falë sakrificës së tyre ne sot jetojmë në pluralizëm. Për këtë, do të ndërtojmë muzeun dhe monumentin në nderim të të gjithë viktimave të regjimit komunist. Është një turp që në  Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, nuk ka ende një monument dhe muze të mirëfilltë për viktimat e komunizmit. Aq më shumë është turp që e djathta në 33 vite se ka ndërtuar atë.

Ne jemi për një Tiranë, që zbaton dhe i afrohet normave europiane të mjedisit dhe ajrit  deri në fund të mandatit , 350 mikro grimca m3. Dhe jo për një Tiranë, ku smogu dhe ndotja po u merr jetën njërzve duke shkaktuar sëmundje nga më të ndryshmet. 60 përqind më shumë është rritur vdekshmëria si pasojë e demtimit të rrugve të frymëmarrjes në Tiranë, sipas të dhënave të shëndetësisë dhe ekspertëve të saj në Tiranë.

Ne jemi për një Tiranë ku të gjithë kanë mundësi të strehohen. Dhe këtë gjë mund ta bëjë të mundur ulja e barrës fiksale dhe lufta kundër parave të pista në ndërtim. Shtrenjtimi i pronave  nuk tregon aspak zhvilim sic thote  erion veliaj. Përkundrazi, tregon pamundësi jetesë për shumicën e njerzve dhe familjeve që jetojnë në tiranë apo cifteve të reja, që u duhen tre jetë për të blerë një apartament. Rritja e cmimve e cila nuk përputhet me rritjen e rrogave dhe ekonomisë, tregon se këto apartamente janë apartamente që ndërtohen nga paratë e korrupsionit dhe të krimit të cilat kanë prishur cdo rregull të ekonomisë së tregut dhe normalizimit të çmimeve.

Ne jemi për një Tiranë ku shërbimet shëndetsore, klinikat e ndryshme  mos të jenë më shumë se 15 minuta larg çdo familje.

Ne jemi për një Tiranë, ku turizmi është për gjatë gjithë vitit dhe i shumëllojshëm. Dhe për këtë, do do të ketë zero taksa ndaj siperrmarjeve turistike bujtinave dhe startupeve për turizmin në pesë vitet e para.

Ne jemi për një Tiranë ku   transporti publik është  i  kronometuar,  siç ndodhë në të gjitha qytetet europiane dhe ndërtimin  e pesë parkimeve të mëdha në hyrje të Tiranës për të zbutur trafikun brenda qytetit.

Ne jemi për një Tiranë ku zonat e ndryshme historike , ajo otomane, ajo para luftës, e komunizmit dhe asmbali arkitekutror i qendrës të përbëjnë zonat e trashgimisë kulturore të Tiranës.

Ne jemi për një Tiranë ku dallohen qartësisisht pesë zonat urbanistike. Zonat industriale, spitalore, universitare, moderne me kulla  dhe  ajo historike. Dhe jo për një Tiranë kaotike sic është sot, ku nuk kuptohet asgjë dhe që ka reflektuar një mungesë identiteti total dhe, ku reflektohet mungesa e cdo standarti europian për një qytet të banueshëm dhe efikas nga ana ekonomike,  sociale dhe urbanistike. Ne nuk jemi kundër ndërtimit dhe zhvillimit. Industria e ndërtimit përbën një pjesë të rëndësishme të ekonomisë së Tiranës dhe Shqipërisë, ku punësohen mijëra njërëz. Por ne jemi për një qytet ku cdo sektor ka zonën e vet të mirëpërcaktuar, që edhe ekonomia të zhvillohet, dhe njërzit të punueshmet, por edhe që qyteti të jetë i jetueshëm me identitet dhe me hapësirat përkatese sipas funksioneve”, tha Bejko.

Ora 19:04
Roland Bejko: Belo, kandidati i LSI, u vu në dispozicion të antiamerikanizmit! Fotokopje e Veliajt

Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko në hapjen e fushatës ka pasur edhe një koment për Belind Këlliçin, kandidatin e koalicionit Meta-Berisha. Duke e quajtur si kandidat i LSI, Bejko tha se Belo është vënë një dispozicion të politikës antiamerikane. Bejko tha se Belo dhe Lali, referuar Erion Veliajt, janë fotokopje e njëri-tjetrit. 

"E keni dëgjuar ju ndonjëherë Belind Këllicin të denoncojë ndonjë oligark apo ndonjë kullë?!! Si ka mundësi se bënë ndonjëherë? Është shumë e thjeshtë . Shefat e tij, Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk ja lejojnë, sepse i kanë të lidhura interesat me oligarkët e Tiranës dhe Shqipërisë. Belind Këllici, me keqardhje e them, është vënë në dispozicion të politikës antiamerikane në Shqipëri. Po përdoret si levë e politikës së vjetër Meta -Berisha. duke përfaqësuar politikën e vjetër 33-vjeçare në Shqipëri . Prandaj, si Belo si Lali janë fotokopje e njeri tjetrit. Nuk ka asnjë dallim midis tyre në qëllimet që kanë për këto zgjedhje. Trinomi Berisha Meta RAMA janë bashkë dhe kjo ska asnjë pikë dyshimi.  Nuk mund të ketë jetë politike gjysma e sistemit pa gjysmën tjetër! Dhe interesat lidhen pikërisht te ndërtimet e Tiranës  të  Erion Veliajt. Shikoni se çfarë po u bëjnë pronarëve të tokave në Tiranë. Po ja u zhvatin. Në disa raste kemi shpronësime me dhunë. Në disa raste shpronësime jashtë çmimeve të tregut. Vetëm e vetëm që oligarkia politike të qerasë oligarkinë ekonomike që i mban këta në pushtet. E megjithatë, megjithëse kemi përballë kastën e vjetër politike  shqiptare dhe interesat e tyre financiare, ne jemi besimplotë në betejën tonë se do t’ia dalim. Sepse do të kërkojmë votën e demokratëve, votën e njerëzve të lirë, votën e atyre që nuk e durojnë dot këtë kastë politike sepse i ka marrë frymën për 33 vite , sepse mbi 70 përqind e qytetarëve shqiptare janë kundra trinomit Rama-Berisha-Meta dhe do të jenë kundra edhe dy çirakëve të tyre Këlliçi dhe Veliaj", tha Bejko. 

Ora 19:00
Bejko-Berishës: Mos i mbaj më peng demokratët, PD është shtëpia e tyre dhe jo partia e Ilir Metës

 

Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko i ka bërë edhe një herë thirrje Berishës që të mos i mbajë peng demokratët.

 “Ne jemi këtu sot , unë jam në  këtë garë pikërisht për të shpëtuar nderin dhe historinë e Partisë Demokratike që mos të rrëshqasë në duart e një autokrati lindor dhe në dorën e një grabitqari politik si socialisti Ilir META, të cilin Sali Berisha e ka futur në mënyrë të pabesë në gjirin e demokratëve, që ai votat e tyre  ti marrë dhe ti cojë nesër te pazari i radhës me  Edi Ramën. Kjo është një tradhti historike, një thikë mbas shpine që i ka futur demokratëve dhe të djathtës Sali Berisha. Kjo është pabesia më e madhe politike që i ka bërë atyre demokratëve të ndershëm, që janë të gjithë miqtë dhe shokë tanë. Por ne, kurrsesi nuk mund t’ja jepnin këtë kënaqësi. Ne jemi këtu, pikërisht për të ndalur këtë pabesi. Ne jemi këtu, për ti thënë të gjithë shokëve tanë demokratë që kjo është partia e tyre, Partia Demokratike është shtëpia e tyre dhe jo Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës”, tha Bejko.

Ora 18:49
Roland Bejko-Berishës: Hiq duart dhe ik, lëri demokratët të fitojnë! E ke futur grabitqarin Ilir Meta në gjirin e së djathtës, tradhti historike

 

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës Roland Bejko i ka bërë thirrje Sali Berishës që të ikë dhe të mos i mbajë më peng demokratët. Ai e ka konsideruar aleancën e tij me Ilir Metën si tradhti historike.

“Unë e shikoj politikën si mision dhe jo si përfitim. Jam një idealist i pandreqshëm, siç më thotë një miku im. Si mund të pranonim një ‘non grata’ nga Perëndimi. Si mund të pranonim ne që demorkattë të përfaqësoheshin nga një socialist si Ilir Meta. Ne nuk mund ta pranonin këtë poshtërim. Grabitqarin politik Ilir Meta Sali Berisha e ka futur në gjirin e demokratëve. Kjo është tradhti historike, një thikë pas shpine që i kë futur demokratëve dhe Shqipërisë Sali Berisha.  Hiqni dorë nga sulmet mbi Partinë Demokratike. Hiqni dorë nga pengimi i PD në misionin e saj për integrimin e Shqipërisë. Sali Berisha hiqi duart dhe lëri demokratët të fitojnë. PD nuk është pronë e juaja. Sali Berisha, e djathta shqiptare nuk ka lindur me ju dhe nuk ka për t’u shkatërruar nga ju. Jep dorëheqjen, i je futur një rruge të pashpresë dhe kërkon të futesh në këtë rrugë gjithë Shqipërinë”, tha Bejko.

Ora 18:49
Alibeaj thirrje demokratëve: Më 14 maj votoni Roland Bejkon

 

Enkelejd Alibeaj u bëri thirrje demokratëve që më 14 maj të votojnë Roland Bejkon.

“Në këto zgjedhje kudo që kemi paraqitur kandidat për kryetar bashkie, i kemi përzgjedhur njerëz me integritet dhe njerëz me vlera. Pikërisht kjo është forca jonë në dallim me kundërshtarët tanë. Kandidatët tanë për këshillat bashkiak në të gjithë Shqipërinë janë njerëz me kontribute për Partinë Demokratike, janë njerëz që vetëm kanë sakrifikuar për këtë parti dhe jo njerëz që kanë përfituar prej saj. Dhe unë jam i bindur që ata do të zhvillojnë një fushatë shembullore, me njerëzit dhe për njerëzit me dore ne zemër. Kjo gjë ka ndodhur edhe në Tiranë, sidomos në Tiranë. Tirana është një betejë politike shumë e rëndësishme për të gjitha qëllimet e të ardhmes për Partinë Demokratike. Kandidati ynë në Tiranë, Roland Bejko, është një kandidaturë që e nderon këtë garë për të gjithë kontributin që ka dhënë për këtë parti, dhe të gjitha vlerat që përfaqëson.

Prandaj unë sot ju bëjë thirrje që ta mbështesim Rolandin në këtë garë për të mirën e Tiranës dhe të mirën e Partisë Demokratike. Për këto qëllime që kemi, lipset kontributi i gjithsecilit, ashtu sikurse po e jepni deri më tani. Ndoshta kemi edhe ndonjë mosmarrëveshje midis nesh, është normale në një parti ku liria ekziston, por le ti lëmë për momentin mënjanë dhe të mbështesim të gjithë  kandidatët tanë për anëtarë të Këshillit Bashkiak për Tiranën  dhe kandidatin tonë për kryebashkiak Roland Bejkon. Rolandi dhe ekipi i tij deri më tani kanë kryer një punë fantastike dhe dua t’i përgëzojë  për këtë. Kanë arritur të ndërtojnë me programin e tyre një alternativë qeverisëse për Tiranën  dhe unë besoj se është alternativa më e mirë për Tiranën, dhe qytetarët e saj do ta votojnë pa me të voglin dyshim.

Ora 18:38
Alibeaj: Berisha refuzoi bashkëpunim, çoi demokratët tek socialisti Ilir Meta! Bashkë me veglat e qeverisë dhe KQZ, bëri gjithçka që të mos futeshim në zgjedhje

 

Enkelejd Alibeaj thotë se Sali Berisha bëri gjithçka që PD të mos futej në zgjedhje, duke hedhur akuza se ka bashkëpunuar me ato që i quan vegla të qeverisë, duke përmendur edhe KQZ. Alibeaj tha se Berisha refuzoi çdo bashkëpunim dhe i çoi demokratët tek socialisti Ilir Meta.

“Ai refuzoi çdo bashkëpunim me Partinë Demokratike në këto zgjedhje duke i çuar demokratët te  socialisti Ilir Meta,  duke pasur vetëm një qëllim: të dëmtojë sa më shumë shanset e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit. Bashkë me veglat e qeverisë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lloj-lloj pengesash dhe stërkëmbshash i nxorën demokratëve për të konkurruar në zgjedhje.

Ja pra, ky është Sali Berisha, që përçau Partinë Demokratike dhe e përçau në momentin kur ai nuk e kishte një instrument kundër perëndimit, me qëllimin për t’ju kundërvënë politikës amerikane në Shqipëri.  Partia Demokratike ka lindur si partia e parë pro-perëndimore në Shqipëri dhe e ka për detyrë të jetë aleate e pakorruptuar e perëndimit në Shqipëri.  Të jesh aleat me perëndimin nuk mjaftojnë vetëm deklarata si ato të Sali Berishës, Ilir Metës apo Edi Ramës. Të jesh me Perëndimin duhet të luftosh për standardet e perëndimit në shoqërinë shqiptare dhe jo të flasësh si perëndimor dhe të sillesh si diktator i korruptuar”, tha Alibeaj.

Ora 18:33
Alibeaj ia bën të qartë Berishës: Asnjë non grata s’ka vend në Partinë Demokratike

 

Kryetari i Komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ia ka bërë edhe njëherë të qartë Sali Berishës se një person non grata nuk ka më vend ne atë parti. Alibeaj në fjalën e tij para demokratëve, u ndal edhe në një pasqyrim të gjithë situatës që ka ndodhur brenda PD-së, që prej përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar. Alibeaj tha se Berisha ishte ai që refuzoi çdo bashkëpunim dhe i çoi demokratët tek Ilir Meta.

"Në lidhje me Sali Berishën i qëndrojmë vendimit të 9 shtatorit. Ai ka qenë një vendim i drejtë dhe i arsyeshëm i ish-kryetarit të Partisë Demokratike, proporcional në raport me zgjedhjen themelore që kjo parti ka bërë në dhjetor të vitit 1990, qëndrimin euro-atlantist. Asnjë non-grata i çfarëdo lloji nuk ka vend në Partinë Demokratike, aq më pak të na udhëheqë, aq më tepër të na përdorë apo manipulojë demokratët e Shqipërisë, njerëzit më të vuajtur, më energjikë dhe më besimplotë të këtij vendi, në shërbim të qëllimit të tij. Në këto 18 muaj është koha të bëjmë një bilanc. Pas 9 shtatorit, në vend që të tërhiqej në jetën e tij dhe të trajtonte personalisht problemin me SHBA, në rrugë ligjore, Sali Berisha iu fut një fushatë për t’i vënë kazmën Partisë Demokratike. Ai ndërtoi një proces anti-statutor dhe të paligjshëm duke ndërtuar organe dhe struktura paralele në PD dhe duke mbledhur në 11 dhjetor një kongres të paligjshëm të cilin Gjykata e Apelit e rrëzoi dhe e quajti nul.

Por nuk u mjaftua me kaq. Ai erdhi në 8 janar dhe sulmoi fizikisht selinë e Partisë Demokratike duke dhënë shembullin e një barbarie të pashoqe për jetën publike kombëtare dhe ndërkombëtare. Në 6 mars të vitit të kaluar në një koordinim perfekt me trekëndëshin, në zgjedhje krejt të sajuara, mori demokratë dhe i çoi nëpër sigla të tjera socialiste, duke goditur shanset e demokratëve për të fituar këto zgjedhje. Aktet e tij kundër PD nuk përfundojnë këtu! Edhe pse ish-kryetari Lulzim Basha dha dorëheqjen për të mos e vazhduar përçarjen, me pretendimin logjik që të njëjtën gjë ta bënte dhe Sali Berisha, me qëllim që demokratët të shkonin drejt një procesi dhe të ndalej kjo përçarje dhe dhuna e brendshme verbale ose fizike, Sali Berisha vazhdoi veprimet e tij të njëanshme.

Ai bëri kongres të njëanshëm në 30 prill, bëri zgjedhje të njëanshme duke u zgjedhur apo vetëzgjedhur kryetar i PD-së dhe duke përmbysur çdo rregull apo logjikë politike. Ai, vazhdoi duke mashtruar demokratët se është njeriu që do ti çonte në fitore, dhe kush?!  Ai që humbi në vitin 2013!  Jo vetëm kaq. Ai që në fund të korrikut të këtij viti prej qeverisë konservatore britanike u shpall non-grata. Dhe ajo nuk ishte qeveri soroiste, ishte qeveri e partisë sonë simotër, ishte qeveri anti-soroiste dhe e shpalli me të njëjtat terma non-grata Sali Berishën, tashmë me një dosje të plotë të vënë përpara syve të tij. Duke pretenduar se do të rrëzonte për disa ditë qeverinë apo Edi Ramën, por në koordinim të thellë me të, ai organizoi procesin e njëanshëm të primareve duke manipuluar dhe gënjyer demokratë për shanset për pushtet të një partie të udhëhequr nga non-grata, shanse të cilat thjesht nuk ekzistojnë.

Megjithatë, qëndrimin tonë të arsyeshëm për bashkim ai e refuzoi duke bërë një proces të njëanshëm primaresh. Negociatat Bardhi – Paloka dështuan sepse Sali Berisha nuk pranoi asgjë, sepse kërkonte jo bashkim por imponim, jo fuzion por nënshtrim dhe asimilim. Kulmi i veprimit shkatërrimtar të tij ndaj Partisë Demokratike qe pas 3 marsit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, vendim i mbajtur peng gjatë nga qeveria e Edi Ramës. Gjëja më absurde, që dëshmon qartë se qëllimet e Sali Berishës që nuk janë për demokratët, nuk janë për shqiptarët, nuk janë për simpatizantët, por janë për të krijuar një moment imponues për hallin e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është refuzimi nga Sali Berisha i ofertës sonë zyrtare që kandidatët e primareve të ishin kandidatë të Partisë Demokratike dhe të vinin të kandidonin në shtëpinë e tyre, me logon e tyre", tha Alibeaj.

Ora 18:27
Alibeaj hap fushatën: Rama, Meta e Berisha bën gjithçka për asgjësimin e PD-së! Edhe oligarkët i kanë bashkë

 

Kryetari i Partisë demokratike, Enklejd Alibeaj ka hapur fushatën për 14 majin. Në fjalën e tij për mediat, Alibeaj hodhi sërish akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, Sali Berishës dhe Ilir Metës, për të cilët thotë se kanë bashkëpunuar për asgjësimin e Partisë Demokratike. Alibeaj tha se ata të tre, po vijojnë ende sulmin ndaj PD-së pa u ndalur.

“Ky është një moment reflektimi për të gjithë ne, demokratët që kanë përjetuar kohëra të vështir, moment për ti bërë thirrje të shkuarës për të kuptuar se ku jemi, ç’kemi bërë dhe ku do shkojmë, më shumë se 1 vit e gjysmë se një sulm i pashembullt vazhdon të zhvillohet ndaj PD, partisë së parë opozitare të vendit. Kjo parti ka rëndësi historike për fatet e orientimit perëndimor  të Shqipërisë, parti që ka bërë gjërat më të mëdha dhe më të rëndësishme për vendin. Që ky vend të dalë jo vetëm nga prapambetja e regjimit komunist, nga dhuna, nga varfëria, por si partia që e ka futur Shqipërinë në rrjetën e qytetërimit perëndimor.

E pra, sot kjo parti është nën agresion. Partia Socialiste, pasardhëse e ish-komunistëve shqiptarë, me në krye një kryeministër mafioz si Edi Rama, një pazarxhi politik si Ilir Meta, bashkë me Sali Berishën, ish-kryetarin tonë dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë të shpallur non-grata nga aleati ynë madhor, SHBA,  si minues i demokracisë dhe inkurajues i korrupsionit madhor në vend, në koordinim të hapur dhe të fshehtë me veglat e tyre në pushtet me sistemet mediatike dhe mafioze të tyre, me korrupsionin e 30 viteve, i janë futur një sulmi që nuk po njeh të ndalur.

Partia Demokratike dhe çdo simpatizant i saj ka qenë në një agresion të shumëfishtë. Agresion politik, agresion mediatik, agresion ligjor, madje dhe agresion fizik. Dhe  e dini pse?  Sepse kjo parti, ju dhe të gjithë demokratët që e duan dhe kanë kontribuar për të janë ndryshe nga ata. Ata nuk e durojnë dot - e kam fjalën për kastën e vjetër politike, dinozaurët e tranzicionit shqiptar - që të ekzistojë një forcë politike me integritet, që të ekzistojë një forcë politike që në themel të saj ka vlerat më të mira njerëzore, që ka në themel të saj lirinë e çdo individi, demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, tha Alibeaj.

Ora 18:17
Çelja e fushatës së PD-së, Alibeaj e nis fjalimin me një minutë heshtje në kujtim të gazetarit Nebil Çika

 

Kryetari i komanduar i PD-së Enkelejd Alibeaj e ka nisur fjalimin e tij në çeljen e fushatës elektorale të Partisë Demokratike me 1 minute heshtje, në kujtim të gazetarit Nebil Çika i cili ndërroi jetë pak ditë më parë.

‘Kjo është një moment feste, moment feste në kohë të vështirë për ne, megjithatë jeta ka ngritjet e saj, ka edhe uljet e saj. Dua të përkujtoj një mik, një gazetar, publicist, siç është Nebil Çika, njeriu për të cilin do doja t’iu ftoja të mbanim një minutë heshtje, në kujtim dhe respekt të tij.’- tha Alibeaj.

Ora 17:59
Preç Zogaj: PD sot nuk është parti e vulës por e busullës kah perëndimi! Të tjerët kërkojnë ta bëjnë parti anti SHBA

 

Partinë Demokratike politikani Preç Zogaj e sheh si të vetmen forcë politike e destinuar të rritet dhe që përfaqëson të vetmen forcë që qëndron në këmbë me vlera perëndimore. Në fjalën e tij në hapjen e fushatës zgjedhore të PD-së në Tiranë, Zogaj tha se PD lindi si forcë pro SHBA dhe nuk mund të funksionojë si forcë anti SHBA sicc kërkon ta bëjë Berisha.

“Na ra nderi i papërsëritshëm që të prezantonim për herë të parë në Evropë PD-në që kishte 2 muaj që ishte formuar.  Mendoni ti rivendosni përpara apo pas zgjedhjeve të 31 marsit marrëdhëniet me SHBA-në. kjo pyetje i ishte bërë më parë por ne nuk kemi pasur vendim.  Por përgjigja ishte direkte: Po menjëherë që nesër. Nuk kishte nevojë për takim, për vendim. Përgjigja ishte në arsyen pse ishte themeluar ajo parti, arsyeja e ekzistencës së saj. Orientimi perëndimor ishte në statutin e parë. PD ka përjetuar divergjenca të lloj-llojshme.

Për herë të parë që nga shtatori 2021 PD fillon dhe vazhdon të përballet me një çështje që sipas pikëpamjes sime është përtej diversitetit normal që duhet të mbajë të bashkuar një parti, çështje e orientimit. Me kë është PD sot në botë? Kush e do PD-në sot në botë. Është një parti që do t’i mbajë dyert e hapura për miqtë e saj demokratikë apo do t’i mbajë marrëdhëniet e prishura me SHBA-në, Britaninë e Madhe apo me Evropën. Kjo është një çështje serioze.

PD është në gjenezë dhe në gen vetëm euroatlantike. Nëse nuk është e tillë ajo nuk është më PD. Mund të jetë çdo gjë tjetër por nuk është më PD.  Do të ishte e trishtë dhe e turpshme për të djathtën shqiptare që marrëdhëniet me perëndimin t’i mbante PS. Për këtë qëndron në këmbë Partia Demokratike perëndimore.  Marrëdhëniet me SHBA dhe BE janë më të rëndësishme se vetë pushteti.  PD aktualisht nuk është e thënë të jetë shumicë, por pakicë krijuese e vendimeve të mira. Kjo është partia e busullës dhe jo thjesht e vulës. Kjo parti është e vetmja që mund të rritet”, tha ai.

 

Ora 17:58
Lulzim Basha 'rikthehet' në fushatë, mbështet Alibeajn dhe Bejkon

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deri më tani ka qëndruar i distancuar nga politika aktive, por sot ai ka dhënë një sinjal që u komentuar edhe si një ‘rikthim’ në fushatë për garën elektorale të 14 majit.

Basha deri më tani nuk ka marrë pjesë në asnjë takim te kandidatin të PD-së për Tiranën, Roland Bejkon, por sot në hapjen e fushatës, Basha nuk ngurroi të tregojë mbështetjen për të.

Ish-kreu i PD-së, publikoi live në Facebook-un e tij, hapjen e fushatës.

“Takimi hapës i fushatës zgjedhore për kandidatin e Partisë Demokratike për bashkinë Tiranë, Roland Bejko, si dhe për listën e këshilltarëve të bashkisë”, shkruan Basha.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Unë propozoj, ju miratoni:: 18/04/2023 23:48

    Ashtu si Saliu dhe ju nuk i realizoni dot objektivat. As Rama nuk po mundet më. Tani i bie investimi po duket që është piramid.

    Përgjigju
  • vlonjati: 18/04/2023 22:13

    O Alibeaj, ne rast se shumica e demokrateve rane dakort qe me mire nje koalicion me Meten se me ty dmth qeti nuk i meriton. Ti Alibeaj ishe ai qe ulerie se ishe kunder nongrates dhe se nuk beje aleance me ate,me vone fillove ti lutesh dhe tani i ve fajin Berishes se nuk pranoi te bente koalicion me ty. Si ka mundesi qe nuk thua asnje fjale kunder Rames por lufton opoziten kur e di mire qe ti nuk je i zoti tebesh opozite!

    Përgjigju
  • Miri: 18/04/2023 21:55

    Ky Rolandi merr shume vota ne Tirane. Eshte intelektual i mirefillte. Besoj se do te marre nga 10-15 mije vota.

    Përgjigju
  • Rolandi: 18/04/2023 19:49

    Salla plote me socialista ????

    Përgjigju
  • tironci: 18/04/2023 19:26

    Pse se coni ne gjirokaster ate per kruetar bashkie ate apo atje i japin k… si gjthm, dhe ketu me te gjatin do mori

    Përgjigju
  • Semi: 18/04/2023 19:16

    Kur do keni per ta kaptuar qe pd-ja ka mbaruar si parti nuk beni me

    Përgjigju
  • Ani: 18/04/2023 19:02

    Kshu lehni gjithmone ju e ne fundi asgje sbeni

    Përgjigju
  • joni: 18/04/2023 19:00

    Ja dhe sherbimi i fundit qe po i bejne edi rames kta.

    Përgjigju
  • Bjordi: 18/04/2023 18:57

    Ju nuk jeni per asnje gje e jo me te fitoni percarja nuk sjell asnje gje te mire

    Përgjigju
  • Eni: 18/04/2023 18:57

    Prisni humbjen si gjithmone

    Përgjigju
  • Mondi: 18/04/2023 18:56

    Si keni katandisur keshtu more te shkrete u percate te gjithe

    Përgjigju
  • beni: 18/04/2023 18:56

    ju paska pagujte mire basha

    Përgjigju
  • Ham ham ham: 18/04/2023 17:44

    Sikur Saliu do ta quante stadiumin jo me Air Albania si e ka tani por Arena e Lirise. Kur ne stadium nuk i shkoi njeri po ne 14 Maj as 0.001% te votave nuk ka per te marre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, arrestohet 40-vjeçari i shpallur në kërkim, Apeli e kishte dënuar me 3 vite burgim për shitje narkotikësh (EMRI)

Tiranë, arrestohet 40-vjeçari i shpallur në kërkim, Apeli e kishte dënuar me 3 vite burgim për shitje narkotikësh (EMRI)