TIRANË - Idetë e hedhura nga mazhoranca për të bërë ndryshime kushtetuese që mund të prekin edhe organikën e institucioneve duhet të këshillohen në një rrafsh mjaft të gjerë jo vetëm me konsensus politik, por edhe publik. Ky ka qenë opinion i ish-deputetit të Partisë Demokratike Enkeled Alibeaj, i cili në një intervistë për A1Report ndonëse i sheh të largëta këto ndryshime, shprehet se konsensusi kushtetues është një konsensus politik.
 
"Ajo çfarë duhet të ndodhë para se të mendohet një ndryshim kushtetues është fakti që do të duhet të piqet mendimi politik i opinionit publik, por dhe më gjerë se sa kaq për nevojën e këtyre ndryshimeve kushtetuese. Përsa i përket ligjeve me shumicë të cilësuar, atyre që kërkojnë 84 vota, ligjet për institucionet kryesore kushtetuese, edhe për këto edhe pse sot mund të thuhet që mazhoranca i ka 84 vota, ndoshta mund të marrë dhe më tepër, kurrsesi nuk do të ishte e pranueshme dhe e këshillueshme që të mos kishte një konsultim jo thjesht dhe vetën me palët politike, kundërshtarin në këtë rast me minorancën, por edhe më gjerë se sa kaq", shprehet ish-deputeti i PD, Enkeled Alibeaj.
 
Nëse do të duhen këto ndryshime Alibeaj thekson se duhet të ruhen dy vlera.
 
"Të ruhet përvoja e deritanishme, së paku nga '98 dhe deri më sot është një kohë relativisht jo e shkurtër jo e gjatë, por që ka krijuar një lloj tradite institucionale. Dhe e dyta, ato që janë të themi risitë që do të mund të sillen do të duhet të jenë të tilla që të jenë të testuara më së pari dhe së dyti të jenë të gjithëpranuar jo vetëm politikisht, por dhe nga vetë institucionet të cilat do të duhet të pësojnë këtë lloj ndryshimi", - tha Alibeaj për A1Report.
 
Alibeaj shprehet po ashtu se ndonëse janë hedhur ide të cilat ai quan si testuese për publikun, kjo mazhorancë nuk ka asgjë te qartë se cilat institucione do të preken, apo se cili do të jetë model i ri që do të zëvendesoj atë aktual.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)