Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se operacionet e fundit të SPAK-ut kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave po nxjerrin në pah lidhje që, sipas tij, prekin jo vetëm mazhorancën, por edhe njerëz të afërt me opozitën.

I ftuar në "Sot Live në Shqipëri" me Nertil Agalliun në Report Tv, Alibeaj tha se hetimet e fundit tregojnë se pas skemave të pastrimit të parave qëndrojnë biznesmenë dhe interesa ekonomike të lidhura me të dy kampet politike.

“Ja dhe në historinë e këtyre dy dosjeve të fundit shihen fare qartë fijet, lidhjet dhe interesat ekonomike e financiare që shkojnë sa në qeveri, aq edhe në opozitën e Berishës”, u shpreh ai.

“Këta bëjnë sikur janë kundërshtarë politikë. Poshtë tyre qëndron një shtresë e përbashkët biznesmenësh, që kanë qenë dikur pranë njërës palë dhe sot pranë tjetrës”, deklaroi ai.

I pyetur për protestën kundër projektit turistik në Zvërnec, Alibeaj kritikoi qëndrimin e Partisë Demokratike, duke e cilësuar mbështetjen e saj të vonuar dhe jo bindëse. Sipas tij, qëndrimi real i kreut të PD-së, Sali Berisha, mbetet ai i shprehur që në fillim, kur ka mbështetur investimet e huaja në zonë.

“Situata e vërtetë dhe vullneti i vërtetë është ai që tha ditën e parë dhe nuk e ka mohuar as sot. Sali Berisha vazhdon të thotë se investimet e huaja në rastin e Zvërnecit duhen mbështetur”, deklaroi Alibeaj.

Ai shtoi se, ndonëse disa deputetë demokratë janë shfaqur në protestë, kjo nuk ndryshon qëndrimin politik të Partisë Demokratike ndaj projektit.