Heqja e imunitetit të funksionarëve të lartë shkoi dje në parlament për t’u shndërruar në lojë politike. Paraqitja e projektamendamenteve Kushtetuese nga Kryeministria dukej më shumë një akt politik, për të sfiduar opozitën në gatishmërinë që ka treguar për heqjen e imunitetit. Ndryshe projekti nuk do të dilte nga zyra e Berishës dhe as do të mbrohej nga shefi i kabinetit të tij, por do t’i nënshtrohej një procesi konsensual në komisionin e ligjeve, si një iniciativë e përbashkët. Opozita është vënë sërish përpara faktit të kryer nga një maxhorancë që shpreson tek mosmarrvëshja, tek një lojë politike e njëjtë me të mëparshmet, për të justifikuar skepticizmin e Brukselit ndaj integrimit të Shqipërisë.
Projekt-amendamentet e propozuara u kundërshtuan sa kaluan derën e kryeministrisë nga deputeti Erion Braçe, që e sheh lirinë e pakufizuar për proçedimin dhe arresimin e deputetit si një “kërcënim putinist”. Mund të mos jetë ky qëllimi i Berishës, por erërat që e çuan letrën e kryeministrisë në krahun tjetër të bulevardit duket sikur vijnë nga Rusia e largët. Vetëm 1 muaj më parë, maxhoranca votoi emërimin e Presidentit nga kryetari i Partisë Demokratike. Në fund të korrikut ish-ministri do të ulet në krye të Shtetit për të firmosur gjithçka kalbet në sirtarët e Bamir Topit që nga viti 2008. Vetë Nishani ka thënë se nuk do të bëjë asgjë për ta armiqësuar me Berishën. Është e qartë që të gjitha iniciativat e kryeministrit për të kontrolluar institucionet e Pavarura si SHISH, Prokurori, Gjykatë e Lartë dhe Kushtetuese do të kenë firmën e Presidentit të emëruar. Aq i gatshëm është treguar Nishani, sa nuk përjashtohet mundësia që ta ketë depozituar firmën në Kryeminstri për të kursyer ecejaket burokratike, që mund të kushtojnë në këtë kohë krize. Kushtet po krijohen që maxhoranca të kontrollojë shtetin dhe t’ia drejtojë si armë opozitës.
Një vit e gjysmë më parë, Kryeministri akuzoi opozitën, Presidentin, Prokuroren dhe një grup gazetarësh për grusht shteti dhe, e mori aq seriozisht këtë, sa ngriti një komision të njëanshëm parlamentar, që thërriste “të pandehurit” dhe dëshmitarët në parlament. Po të mos talleshin shumica e shqiptarëve dhe e mediave dhe po të mos ishte rezistenca e Prokurorisë, komisioni nuk do të ishte vetëm komik. Por nëse atëherë kishte Institucione të pavarura që e pengonin sadopak abuzimin e Qeverisë me opozitën, sot ka filluar numërimi mbrapsht i rrëzimit të pengesave. Ato do të bien bashkë me imunitetin për të ngritur shqetësimin e opozitës dhe jo vetëm të opozitës për lirinë e tepruar që i jepet maxhorancës. Ndaj projekti, i dalë befasisht nga zyra e Berishës shpaloset si kërcënim për opozitën dhe nuk ka shanse për të marrë shumicën absolute të votave.
Refuzimi i opozitës ndaj projektamendamenteve të Berishës do t’i hapte rrugë lojës politike që kryeministri ka dashur të provokojë në këtë rast. Ai do të marrë shpatën e integrimit të ngecur dhe do të nisë sulmin e vjeshtës që është bërë i zakonshëm që kur u dorëzua kërkesa në Bruksel për statusin e vendit kandidat. Sulmi mund të fillojë që të hënën, nëse opozita e refuzon projektin në komisionin e ligjeve. Kështu maxhoranca i paraprin edhe takimit të Komitetit të Stabilizim Asocimit që do të mbahet në 11-12 korrik në Bruksel. Kjo luftë e mërzitshme dhe e pabesueshme, mund të shmanget nëse opozita paraqet propozimin e vet për heqjen e imunitetit. Para disa kohesh Skënder Gjinushi këshilloi socialistët të mos e mbështesin heqjen e imunitetit në kushtet që u krijuan me zgjedhjen e presidentit nga PD. Përveç klimës së dyshimtë, edhe projekti i shtoi argumentet kundër, por tërheqja nga kjo pikë rrezikon besueshmërinë e opozitës. Ka qenë Rama që e futi këtë pikë në “paketën e integrimit”. Kostoja e tërheqjes nga ky qëndrim do të ishte e dyfishtë, brenda dhe jashtë vendit. Refuzimi është opsioni më i keq për PS, ndërsa hartimi i drafti alternativ, është i detyrueshëm pas lëvizjes arbitrare të maxhorancës.
Imuniteti deri tani ka qenë vetëm një alibi e Qeverisë së akuzuar për superkorrupsion. Në raportet e fundit zyrtare, në takimet në Bruksel dhe në 12 prioritetet, korrupsioni është shqetësimi kryesor. Prokuroria ka arrestuar dhjetra zyrtarë të dyshuar që janë të gjithë të lirë, ka hapur hetime për 4 ministra. Tre nga dosjet kanë arritur të shkojnë në gjykatë dhe vetëm çështja “Meta” është marrë në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Vendimi ishte konsensual në favor të politikanit. Këto fakte tregojnë që korrupsioni nuk është mbrojtur nga Imuniteti, por nga vetë korrupsioni dhe presionet politike. Imuniteti vetëm sa është keqpërdorur si argument nga maxhoranca për të fajësuar opozitën, prandaj Berisha mbetet më i painteresuari për votimin e projektit. Imuniteti ka mbetur alibia e vetme e pushtetit. Rrëzimi i alibisë e shpall fajtor.