Alkan Nallbani: Nga arratia e
viteve’90, në Firence e New York

Alkan Nallbani: Nga arratia e<br />viteve’90, në Firence e New York
“Eksploratorët”, një ekspozitë ku ndërthuren frymëzime të hershme dhe aktuale të artistit Alkan Nallbani, u çel mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita ndërthur punët më të hershme deri tek ato të periudhës së fundit, përfshirë dhe vizatimin, një pjesë shumë e rëndësishme e proçesit kërkimor të artistit.

Sipas kuratorëve të kësaj ekspozite Artan Shabani dhe Esmeralda Dalipi “Ekspolatorët” bazohet mbi një këndvështrim analitik e përgjithësues, një përzgjedhje e momenteve kyçe të zhvillimit të punës, duke i dhënë prioritet atyre që hapin debate e ngrenë probleme thelbësore.

Vetë artisti Nallbani shpjegoi dje para çeljes së ekspozitës gjithë linjën e krijimtarisë së tij e cila ndërlidhet shumë me eksperiencat jetëosre të artistit.

“Duke parë këtë ekspozitë unë do të përqëndrohesha në katër projektë kryesore që e përshkojnë atë nga kreu në fund. E filloj me projektin e “Ikjes”. Unë bëj pjesë në brezin e artistëve që e lanë shqipërinë pas përfundimit të Akademisë në vitet 90, dhe pata fatin të vendosem në Firence. Ndjesia e ikjes nga Shqipëria, sidomos tek të rinjtë shqiptarë, ishte shumë e pranishme kudo. Unë këtë ndjesi e mora me vete dhe u mundova ta kap e ta vendos në punët e mija në periudhën e Firences. Figurat janë në ikje dhe ngjyrat janë të errëta. Më vonë me stabilizimin tim në jetë në përgjithësi fillova të punoj me figurën e fshatarit, I cili vinte nga kujtimet e fëmijërisë. Me gjithë ndryshimet në jetën time këto kujtime nuk kishin ndryshuar. Gjithë ndjesitë e të qënit në fshat, përjetimi i jetës, puna që bëhet aty me tokën, me kafshët, ndikimi I natyrës, era e tokës, vështirësitë që vijnë nga ekspozimi ndaj natyres, djersa etj, u rikthyen tek unë për ti përdorur si subjekte. Edhe pas Italisë, në fillimet e mija në Amerikë, këtë temë e vazhdova edhe aty. Fati deshi që të shpërngulem në New York, dhe ky qytet me madhështinë e tij në fillim më zbrapsi. Fillova nga pak të vendosem e të influencohem pak edhe nga piktura abstrakte që lëvrohej aty në atë kohë. Ndryshoi mënyra ime e të përafruarit me veten dhe punën. Mua nuk më mjafton ta përdor subjektin vetëm për një pikturë por për një seri më të gjatë punësh, duke i shkuar më në thellësi këtij subjekti. Puna eksploruese është shumë e rëndësishme dhe proçesi në studio, qëndrimi aty nga mëngjesi deri në pasdite, është shumë i shenjtë për mua. Dhe kështu hap pas hapi ngrihen edhe projektet…”, tha Alkan Nallbani.

Duke sjellë ndërmend imazhet e fëmijërisë ai e kujtoi kështu ngacmimin për punimet me këtë temë: “Me kthimet e herë pas hershme në Firence, në dyqanet e antikuareve mes gjërave të tjera gjeta një revistë të viti 51, fillimet e shtypit me ngjyra, një lloj shtypi ku ngjyrat dukeshin si akuarel, ku koha kishte punuar mbi to. Disa imazhe mu dukën interesante aty.

Nga këto imazhe mu kujtua fëmijëria, dokumentarët që shikonim në ato kohë me eksploratorë të ndryshëm. Duke mos pasur heronj si Spiderman, heronjtë e fëmijërisë time ishin këto personazhe të këtyre dokumentarëve. Ky projekt ka filluar në 2012 dhe vazhdon për katër vite, e unë dua ta vazhdoj si një kërkim në kujtesë”, tha Nallbani. 
Sa i takon temave të aktualitetit, në veprat e tij artisti ngacmohet nga gjithçka që serviret si informacion. “Në konfliktet e botës së sotme bombardimi i një fshati apo vrasje nuk na bëjnë përshtypje dhe i kalojmë shpejt.Unë nuk dua ti kaloj kaq shpejt, por dua ti bëj njerëzit të ndalojnë. Nuk them të ndaloj patjetër në momentet e luftës por të jetë ky si një moment meditimi, moment ndalese nga stresi i përditshëm”.

Alkan Nallbani e ka prezantuar kësisoj historia e dy dekadave të krijimtarisë së tij. Duke I ftuar vizitorët në fund ta eksplorojnë seicili në mënyrën e tij këtë ekspozitë,që prezanton një udhëtim artistic njëzet vjeçar. 

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 4 shtator 2016.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë