Antipodet jetë-vdekje apo dashuri-vdekje janë lajtmotive universale të secilës fushë arti, të cilësdo epoke qysh nga fillet e ekzistencës njerëzore e gjer në bashkëkohësi. Madje, motivi i vdekjes dhe kërkesa e dëshpëruar e individit për përjetësi ka lindur në letërsi qysh në Mesopotaminë antike, në gjurmët e para letrare, tek Epi i Gilgameshit, ndër veprat e para letrare që bota njeh. Autorë të shumtë e shfrytëzojnë këtë lëndë duke e bërë pjesë të laboratorit krijues ku dhimbjen nga vdekja e dashurisë e sublimojnë në një vepër arti.
Pa dyshim që edhe Gjovalin Gjadri është pjesë e këtij grupi. Duke u ndierë i mallkuar nga vdekja e gruas, e bën të pavdekshme figurën e saj, i ngre kult përmes artit. Dostojevski thoshte “Më jepni një dhimbje të madhe, t’jua jap një kryevepër”, duke krijuar kështu lidhjen e pashkëputshme në mes të dhimbjes njerëzore dhe artit sublim. Nekrologjia e Gjadrit për Zejnepen ka bazë historike, me fakte të dukshme biografike, pa tendencën që këto fakte të fshihen mes rreshtash.
Receptuesi informohet qysh në fillesë për ngjarjen tragjike të gruas, ku pjesa tjetër duket të jetë si një homazh, por krejt i veçantë për nga struktura e narracioni. Edhe pse gruaja veçse ka ndërruar jetë, Gjadri ndërton një narracion epistolar, përmes katër letrash (“Të parat fjalë pikëllimi”, “Shtëpia e braktisun”, “Fat dhe letra dashunie”, “Sëmundja dhe vdekja”), të cilat i drejtohen gruas, me plot ndjenjë e mall. Figura e gruas përshkruhet përmes cilësish të nxjerra në pah për gruan shqiptare ndër shekuj:
“Të gjitha cilësinat e mirë që populli ynë i thjeshtë dhe i rreptë kishte shpëtue në rrjedhë të shekujve ishin mishnue plotnisht tek ti. Fjala yte e urtë, të ndamit në shenj, primja me kursye, ndjenja e mikpritjes, drejtësia dhe besnikia jote, ishin tiparet e tua dalluese që do të nderonin çdo zonjë t’ni familjes së mirë kudo nëpër botë.” (Letra gruas seme të vdekun, f.2).
Megjithatë, si jo rrallë, për periudhën kohore të cilën romani rrok, mes dy të rinjve janë vendosur barriera sociale konvencionale si besimi fetar e klasa shoqërore. Pengesa të cilat i neutralizon dashuria. Në pamje të parë një fund i lumtur, por pikërisht këtu fillon tragjizmi. Fundi i jetës së gruas është fillimi i ngjarjes. Rrëfimi autobiografik i Gjadrit përpos përshkrimit të pikëllimit, dhimbjes e zbraztisë së madhe që i sjell mungesa, është i mbushur edhe me kujtime personale dashurie, reflektime filozofike mbi jetën dhe vdekjen, mbi marrëdhëniet e individit me botën etj. Edhe pse në thelb kemi të bëjmë me një roman që si temë strumbullar ka një dashuri jo të zakonshme dhe mëton të jetë historia tragjike e një dashurie që pavarësisht fatit, nuk mbaron kurrë, teksti na jep më shumë se kaq. Vdekja e shpirtit binjak, Gjadrit, i jep shumë shkas që të ketë ide hakmarrëse e suicidale, por një fuqi mistike është ajo që e ndal.
“Jeta jeme asht bjerrë. Kam arsye të mjaftueshme me vra veten, por ngurroj,
pse nji dorë, nji fuqi mistike më ndalë.” (Po aty, f.4)
Por sidoqoftë, sërish e lakmon vdekjen dhe e lut gruan e vdekjen që ta marrë –
“Të lutem e dashun, me merr me vete! S’mund të rrnoj pa ty! Më libró!
Due me vdek e me u varrosë së bashkut me ty.” (Po aty, f.4)
Fenomeni i dëshirës për vdekje shihet vetëm si mundësi bashkimi me dashurinë dhe përjetësinë. Rrëfimi merr tone të ndryshme, varësisht nga ndjenjat e rrëfimtarit. Herë tone sentimentale, e herë akuzuese, të rrepta e revoltuese, për t’u rikthyer te urtësia stoike, dhe mënyra krejt e veçantë e të parit të botës. Kjo lëvizje që të ngjan me ndërrimin e stinëve, na shfaqet edhe përmes përshkrimeve të natyrës, që në pamje të parë mund të ngjajnë të një rëndësie të veçantë, por janë pikërisht ato që e përplotësojnë narracionin, duke na dhënë një pasqyrë të brendshme të ndjenjave të përziera të Gjadrit. Fati tragjik, familja e Zejnepes (e sidomos vëllau), pakujdesia e joprofesionalizmi njerëzor e ndoshta edhe kokëfortësia e saj, janë disa nga arsyet që i numëron një shpirt i tendosur, duke u munduar të gjejë fajtorin e prishjes së parajsës së tij. Trazimi shpirtëror arrin deri aty sa individit i duhet që të bëjë një zgjedhje tejet të vështirë, sepse kur njeriu është fatkeq, i vijnë në kokë gjithfarë idesh duke bërë që të ketë edhe vagulli mendimi:
Tash që ke vdekë, në këtë pikë e kam mendjen shumë ma të qartë, e di se do ta kisha sakrifikue fëmijën për ty,
pse fëmijën mund ta kishim zëvendësue. (Po aty, f.10).
Poezia “Vaje” e Çajupit, është ndër të rrallat poezi të traditës letrare shqipe që ka nota të thella vaji për vdekjen e gruas, duke e bërë autorin të njihet si një zë i veçantë i poezisë shqipe. Duket sikur atë që Çajupi e bën në poezi, e shtyn në një stad tjetër Gjadri, përmes prozës. Edhe pse shkruhet në gjuhë tjetër (gjermanisht dhe vjen në shqip e përkthyer nga Ardian Ndreca), lënda që e brumos poetikën e Gjadrit, vjen pikërisht nga trualli shqiptar, duke e bërë mjaft të përafërt. Këtë na e thonë edhe vargjet mjaft të bukura të elegjisë së Çajupit:
Doje dritë o qiell more dritën time
dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj
Se dhe perëndinë tani s’e besoj.
Ajo që e çon në një nivel tjetrër thellësie romanin e Gjadrit është se përveç ndjenjës fatkeqe të bashkëshortit, teksti të jep dilema filozofike si ekzistenca e Zotit, jetës dhe vdekjes, konceptit të lumturisë, jetës pas vdekjes, balancin mes të keqës dhe të mirës, raporti mes idesë dhe ndjenjës, e shumë risi të tjera. Të gjitha këto i vë në dyshim, vetëm nga shkaku fatkeqësisë që i servon jeta. Rrëfimi është i mbushur me figura dhe me përsiatjet e autorit, që e bëjnë romanin mjaft tërheqës si për lexuesin empirik, ashtu edhe për atë model (Koncepte të U. Ekoderiss).
Gjadri ka një kërkesë të vetme, bashkimin me dashurinë e tij, nuk ka rëndësi mënyra se si, që ai vdes apo gruaja t’i ngjallet, e për zgjidhjen i lutet Dhuruesit të madh. Në roman shfaqet edhe koncepti i metempsikozës, doktrinë filozofike kjo që njihet edhe si “shpërngulja e shpirtit”, që sugjeron se shpirti i individit kalon nga një trup te tjetri, derisa të bëhet purifikimi i tij, për ta arritur Nirvanën. Koncept ky që gjendet në tradita të ndryshme fetare dhe shpirtërore kudo në botë.
“Nëse të vjen me mendue se më ke njohtë ma përpara, ti edhe në këtë kandvështrim je e ngjashme me mue, por mos kujto se jemi të vetmit që kemi këtë bindje. Edhe njerëz të tjerë e besojmëme se kanë jetue ma përpara dhe pikërisht kjo asht pika kyçe që duhet me na ba me mendue. Ndoshta kam ra në luftë ose jam vra në duel pa të pas dashurue sa duhej.”
Gjadri beson se është kthyer në trupin që sot ka, për ta vazhduar një dashuri të papërmbushur më parë, por që sërish nuk mjaftoi, duke e bërë të lutet për një ribashkim të ri.