Në botimin e Autoritetit të Dosjeve me titull: Roli i shkencës në zhvillimin e shoqërisë gjatë viteve të para të vendosjes së regjimit komunist (1945-1954), disa nga studiuesit tanë, hedhin dritë mbi këto personalitete të përgjuar jo rishtazi prej Sigurimit të Shtetit.
Sigurimi i Shtetit dhe shkencëtarët shqiptarë, vjen në emisionin Esencë të Report Tv, nga gazetari Eljan Tanini.
1. Dr. Ledia Dushku dhe Doris Pasha për Sabiha Kasimatin:
Vajza që dikur kishte lënë Turqinë e mandej Italinë për të bërë muze shkencash e studime shkencore, ishte tepër e lirë për Tiranën që kërkonte një tjetër model të gruas komuniste. Por vrojtimit disavjeçar i vjen fundi. Më 20 shkurt 1951, pas vënies së bombës në Legatën Sovjetike, Sabihaja do të arrestohej bashkë me 21 intelektualë të tjerë të akuzuar për sulm terrorist. Dosja hetimore i numëronte disa ‘mëkate’: “gjatë okupacionit ka pasur marrëdhënie me elementë fashistë, shqiptarë e italianë. Mban qëndrim armiqësor ndaj pushtetit, flet kundër reformave. Ka pasur kontakt me deputetin anglez Lester Hutchiston.
Ka mbajtur kontakte me njerëz të misionit anglez... dhe me J.S.Payne me të cilin ka pasur lidhje të ngushta. Armike e betuar e pushtetit të sotëm. Ka urrejtje karshi tij dhe sidomos karshi komunistëve, kritikon moralin komunist etj.”. Procesverbali i mbajtur nga Gjykata Ushtarake, pretendon se Kasimati e ka pranuar një pjesë të akuzave dhe ajo citohet të ketë thënë: “Kam qenë kundra pushtetit popullor sepse nuk përputhet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit, që me akte revolucionare të arrihet në komunizëm, jam lidhur me një grup shokësh te cilët edhe ata kanë qenë armiq të partisë Komuniste.
Ndër shokët e grupit tim ka pasur edhe njerëz që mendonin se duhet të hidheshin në aksione kundër pushtetit. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendim për akte terroriste. Ka bërë vaki që të kem folur se një luftë e re është e paevitueshme dhe se kjo është në interes të popullit shqiptar”. Një javë pas arrestimit, Sabihaja dhe 21 intelektualët e tjerë ekzekutohen, pa ju dhënë mundësia të kundërshtojnë vendimin. Studiuesit e vënë në dyshim procesin hetimor dhe kanë arritur në përfundimin se janë falsifikuar procesverbalet nga Gjykata Ushtarake, pas ekzekutimit pa gjyq të 22 pafajshmëve, mes të cilëve edhe Sabihaja.
2. Ledia Dushku për Eqrem Çabejn
Regjimi e la gjallë sepse Çabej kishte heshtur. Jeta e tij, pavarësisht se nuk la të shkruara kujtime e ndjesi, mund të mendohet si një luftë në heshtje me armiqtë që e dinte se e ndiqnin.
Më 1942 fashistët e më 1943 nazistët, do t’i propozonin postin e ministrit të Arsimit në qeverinë e Tiranës. Ai nuk pranoi, sepse siç tregoi më vonë “nuk pajtohej me nderin tim shqiptar dhe me të mirën e vendit dhe të popullit tim”. Përtej njeriut që nuk donte të merrej me politikë, për studiuesen Ledia Dushku dhe të bijën e Çabejt, ai nuk mund të bëhej ministër i nazistëve kur ata i kishin vrarë profesor Nobert Joklin “babanë e tij shpirtëror”.
Është shtatori i vitit 1946 dhe doktori i shkencave Eqrem Çabej është 38 vjeç kur Sigurimi i Shtetit e vë në përgjim. Një shënim i datës 29 të atij muaji interpreton jetën e tij me tone akuzash: “Çabej Sigurimi i Shtetit më 11 tetor të 1950-ës, e cilëson “armik të pushtetit popullor”, me një kunat të arratisur si ballist dhe me vëllanë e vrarë nga partizanët para çlirimit. Shtuar kësaj, agjentja “Prurësja” raportonte se në takimet mes Çabejt e Sabiha Kasimatit, “bisedohet rreth kulturës, shkencës dhe veprave ... të shkrimtarëve me kulturë borgjeze. Kultura marksiste për ta konsiderohet si hiç gjë, veprat e Leninit jo si kryevepra, por si ngjarje të rastit”.
Në vitet 1952-1955 Sigurimi harton gjashtë plane masash për përgjimin e Çabejt dhe i vë pas gjashtë agjentë me pseudonimet ‘Prurësja’, ‘Drojtja’, ‘Edija’, ‘Dhelpra’, ‘Çajupja’ dhe ‘Taraboshi’. Tanimë ndiqet çdo moment, i kontrollohet puna që bën, korrespondenca, me kë shoqërohet, ku shkon, kë takon nga Instituti në Bibliotekë Kombëtare a rrugës për në shtëpi, deri madje dhe hyrje-daljet në shtëpi. Për të, nuk po gjendej asgjë e rëndë. Një ish-student i tij, e më pas koleg që si bashkëpunëtor i Sigurimit raporton me pseudonimin “Edija”, thotë se ai ka kulturë borgjeze, është mjaft i zgjuar e inteligjent, por dinak. Dosja e tij në Sigurimin e Shtetit tregon se numri i njerëzve që ai takon mpaket vit pas viti. Nëse më 1948, Çabej kishte kontaktuar 62 persona, në vitin 1953 vetëm 17 ndërsa më 1956-ën gjatë 5 ditëve të survejimit, ai kishte takuar jashtë familjes, vetëm 2 veta, njëri prej të cilëve ishte i vjehrri.
kishte vite si ai 1954, kur diktatori shprehej se “dituria e njerëzve si Sejfulla Malëshova, Eqrem Çabej, etj., ...nuk na vlen për në Institut”. Kur më 1955 emri i Çabejt qe propozuar të hiqej nga Instituti i Shkencave bashkëshortja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, drejtore e sektorit të Agjitacionit e Propagandës do e zbuste situatën duke thënë: “Për Eqrem Çabejin, po të nisemi nga ana politike mund të hiqet, por unë them se ai nuk duhet të hiqet, duke marrë parasysh se ai sot [shkencërisht] punon për neve”.
3. Prof. Ass. Dr. Albert P. Nikolla Joana Doda për Gjovalin Gjadrin
Ai lë të kuptohet se e ka ndjerë gjithnjë atmosferën mbytëse në të cilën jetonte. Ndërsa pjesa e parë e jetës e kaluar në Europë përgatiti një njeri të lirë, pjesa e dytë, ia tkurri liritë dhe inxhinieri e dinte që jetonte mes mekanizmash frike.
Në dosjen pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, trajtohet herë si figurë e pastër e herë me hije dyshimi. Një raport i 1949-ës fillon me fjalët “për kategorizimin e aktivitetit kundërshtar të Gjovalin Gjadrit”. Hidhen dyshime për të kur vërehet se “ka qëndruar në Moskë... largimi i tij nga Bashkimi Sovjetik nuk dihet përse, meqenëse ka kryer universitetin në Austri, dyshohet të jetë kenë agjent i kontrollit austro-gjerman”.
Megjithë sa më lart, nga një vështrimi i detajuar që i kanë bërë dosjes së tij Albert Nikolla e Joana Doda për studimin mbi të cilin bazohet ky artikull, inxhinier Gjadri kishte marrëdhënie të ftohtë me regjimin. Ai e sheh regjimin si punëdhënës, madje më 20 korrik të 1949-ës dosja e tij, tregon se ka pasur debat për pagën. Gjadri ka kërkuar barazim të pagës së tij me të mjekëve, siç e përcaktonte ligji i punës dhe siç i kishin premtuar ministrat. Analiza e studiuesve Nikolla e Doda ka arritur në përfundimin se Gjadri është cilësuar gjithnjë si armik, por regjimi kishte nevojë për përgatitjen e tij e vlerësuar atë kohë edhe jashtë vendit. Ka rreth 30 raporte për aktivitetin e tij gjatë viteve 1946-1954, përmes të cilave raportohen biseda, takime e kërkesa. Raportet e dhëna në kushte anonimati merren më shumë me thashetheme se me çështje të faktuara për inxhinierin sikundër, hiperbolizohet ‘gabimi’ i të përndjekurit, bazuar në opinione si ky raport i vitit 1951 ku shkruhet “del se është menefregist në punë... Megjithëse nuk kemi fakte konkrete në duar, si opinion unë e them me siguri se është një fashist i fëlliqur mbasi megjithëse shpërblehet rreth 10.800 Lek në muaj është i pakënaqur për shpërblimin që merr. Në një mbledhje ose diskutim politik si informacion politik etj, nuk i pret mirë, dhe këto i shpreh me fjalë indirekte”.
Survejimi iu hoq më 1956 dhe i thinjur, u nda nga jeta në Tiranë në moshën 75-vjeçare duke lënë pas vetëm një dashuri, Egonin, birin e tij me Zejnepin. Kishte pyetur veten gjatë nëse do ta shihte më të shoqen, madje kjo ishte frika e tij më e madhe pasi e humbi. Mbase për këtë edhe nuk e pati frikë vdekjen dhe rrojti i lirë sa mundi.
4. Indrit Qehajaj për Arshi Pipën, profili i një studiuesi të padëshiruar
“Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë…
“Rebelimi” i tij dhe qëndrimi i të vëllait në gjyqin kundër deputetëve bëjnë që Arshiu të arrestohet në prill të 1946-ës. E akuzojnë për veprimtari kundër pushtetit me grupe tradhtare dhe në nëntor e dënojnë me dy vjet burg në Durrës. Sipas një studimi të Andi Pinarit e Indrit Qehajaj, mbi të cilin bazohet ky artikull, dënimi ishte arbitrar, çka pranohet më vonë edhe nga hetuesit. Por, ndërsa ai vuante dënimin, hetimi për të vijon dhe një dokument i 5 dhjetorit 1947 e cilëson dënimin e parë minimal, me argumentin se autoritetet nuk kanë pasur prova të mjaftueshme. Me pretendimin se ende nuk ishte zbuluar thellësisht organizata tradhtare-sabotore e deputetëve ku ai bënte pjesë, duke i shtuar akuzës edhe vëlla Myzaferin si tradhtar dhe armik i popullit, bëhet një proces i dytë gjyqësor.
I dobët dhe i sëmurë, arrin të dalë i gjallë prej aty në prill të 1956-ës. Ka ruajtur shënimet e 10 viteve të veta në burgje në letra cigaresh. I ka nxjerrë nga burgu të fshehura në rrobat e palara. Ndërsa veprën e filozofike e nxjerr të fshehur në një dyshek të vjetër që rojave nuk u shkon në mendje ta kontrollojnë. Rreket të shijojë lirinë me të ëmën e motrat. Mendon se vuajtjet mbaruan, por e kupton që nuk është krejt e vërtetë. Si ish i burgosur ka vështirësi të gjejë punë. Të tjerëve u jepeshin punë fizike, por ai është i dobët e i pafuqi. Pas shumë mundimesh e caktojnë mësues në një shkollë shtatë vjeçare në Shkodër, por kjo nuk e kënaqte.
5. Dr. Andi Pinari: Aleks Buda, një dijetar europian në totalitarizmin shqiptar
Mes shkencës e politikës.
Faktet tregojnë për një pozicion të dyzuar mes shkencës dhe politikës, por ai gjeti hapësirën e lirisë së brendshme ku mund të ndiqte interesin e tij intelektual pa ndërhyrjen e qeverisë.
Pas shfrytëzimit të dokumenteve të Arkivit Qendror të Shtetit, atyre të ish Sigurimit dhe letrave origjinale me shënime të vëna në dispozicion nga e bija Tatjana Haxhimihali, doli që në emrin e tij nuk ka asnjë dosje personale, ndonëse përmendet në dosjet e kolegëve që ishin nën mbikëqyrje. Ndaj historia e Budës, është një histori mbijetese në kohët kur jeta vlente më pak se partia. Andi Pinari mbi studimin e të cilit është bazuar ky artikull, e cilëson atë një dijetar europian në totalitarizmin shqiptar. Ai qe, një ndër personazhet më me autoritet të kohës e një ndër personazhet që ia dolën të gëzojnë lirinë, për aq sa mund të gëzohej ajo, në shtetin e izoluar shqiptar.
Bashkëpunëtori “Dhelpëria” raportonte për Budën më 24 dhjetor 1953 se “Bën përpjekje për të përvetësuar Marksizëm-Leninizmin, njeh mjaft Çështjet e Historisë, po ka konfuzion në kokë. Puna kryesore e Seksionit është Historia e Shqipërisë që po përgatitet. Nga sa kemi biseduar me Aleks Budën, monografitë e ndryshme nuk janë bërë në bazë të një modeli të përbashkët dhe as që janë biseduar përpara tezat e çdo monografie (siç bëhet fjala vjen në Bashkimin Sovjetik), po cilido ka vepruar sipas mendjes së tij”. Ai është ndërkohë deputet i Kuvendit Popullor, në dy legjislatura, të viteve 1950- 54 dhe 1954-58. Por nuk është i vetmi nga Instituti i Shkencave, duke qenë se pozicioni i deputetit dhe i vetë Kuvendit Popullor ishte i parëndësishëm për aq kohë sa zgjedhjet ishin formale dhe pushteti real ishte i papërfillshëm.
Ecejaket e tij të përditshme, endeshin nga rruga “Fortuzi” drejt Bibliotekës e Akademisë. Burrit me ballë të gjerë, dikur ju zbardhën flokët dhe iku. E mbajnë mend si një njeri që përpiqej të ndihmonte. Ndërkohë, faktet tregojnë për një burrë në pozicion të dyzuar mes shkencës, angazhimit politik dhe problemeve familjare të diktuara nga regjimi. Por sidoqoftë Prof. Buda arriti të përqendrohej gjithnjë e më tepër në çështjet e shkencës duke gjetur hapësirën e tij të lirisë së brendshme në atë kohë të vështirë. Pas arrestimit të kunetërve e vëllait, ai e ka ditur mirë cilat ishin pasojat nëse rebelohej. Ndonëse në heshtje, gjurmët e lëna tregojnë se nuk pajtohej me luftën e klasave, me mungesën e lirive, me persekutimet politike dhe me kufizimet drastike të kontakteve njerëzore, shkencore e kulturore me botën e jashtme.
6. Enxhi Beka: Kolë Kamsi, intelektuali që i kushtoi jetën arsimit dhe kërkimit shkencor
Burri i ndrojtur që ndërtonte shkolla “E shpëtoi heshtja. E dinte se nuk mund të fliste kundër shtetit. Qëndronte në hije gjithë kohën, rrinte në skaje, jo në qendër”.
7. Joana Doda, Prof. Ass. Dr. Albert P. Nikolla:
Përndjekja e shkencëtarëve shqiptarë në vitet 1945-1955; lidhja ndërmjet shkencës dhe ideologjisë – rasti i përndjekjes së inxhinier Petraq Qafokut
Akuza ndaj inxhinier Qafokut, si në shumicën e rasteve ndaj intelektualëve dhe shkencëtarëve, lidhet me absurdin e “sabotimit”. Si në rastin e inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, ashtu edhe për inxhinier Qafokun shfaqet fantazma e sabotimit. Në dosjen e dënimit të tij, e cila na u vu në dispozicion nga AIDSSH, vërejmë një koordinim të paimagjinueshëm të dashakeqësisë, injorancës, intrigës dhe tinëzarisë së hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve. Sigurisht, këto dinamika antropologjike janë të ushqyera nga dogmatizmi politik që e impononte pushteti. Ajo çka e bën groteske formulimin e aktakuzës është fakti se dallohet qartë që regjimi e ka marrë vendimin për ta dënuar inxhinier Qafokun, me hir apo me pahir. Kjo situatë, në të cilën të gjitha figurat e një grupi të caktuar social kanë të njëjtën mënyrë veprimi me bazë dhunën dhe të njëjtin qëllim për ta dënuar të akuzuarin, përkufizohet nga antropologu francez M. Mauss si “fakt social i përgjithshëm”.10 Gjatë gjyqit të Gjykatës Ushtarake në procesverbalin e mbajtur hidhet akuza e bashkëpunimit me fashizmin dhe e sabotazhit.
Prokuroria ushtarake e këtushme, me komunikatën e saja, nr. 242, i ka sjellë kësaj gjykate proces verbalin e mbajtur nga ana e Seksionit të Sigurimit të Shtetit Tiranë, kundra të pandehurit Petraq Qafoku, i rreshtuar dhe i akuzuar si dhe i pajisur me një edukatë fashiste gjatë okupacionit SIGURIMI DHE SHKENCETARËT | 119 është treguar Anëtar Aktiv i Partisë Fashiste. Në lidhje me Ing. Taraskinon, Zyberin e të tjerë ka rënë në lidhje me ta dhe në çdo mënyrë është përpjekur të sabotojë punën ekonomike si mbas direktivave të organizatës së agjento-sabotatorëve.
8. Prof. As. Dr. Sonila Boçi Kristi Kolçe: Petraq Peppo, intelektuali dhe historiani përballë indoktriminimit komunist
Është në këtë kohë, që Petraq Pepo, një prej themeluesve të Institutit të Shkencave është caktuar si bashkautor i hartimit të një teksti zyrtar për Historinë e Shqipërisë. Duhet të ketë kuptuar se suksesi do të ishte i vështirë për formimin e tij. 45-vjeçari i shkolluar në Perëndim, rezulton të jetë regjistruar në kurset e marksizëm-leninizmit, pikërisht në kohën kur pjesa e parë Historisë ishte në proces diskutimi. Vite më vonë, kur ishte në pension, ai do i porosiste studiuesit e rinj se në rrugën e kërkimeve shkencore, pos skrupulozitetit në vrojtimin e dokumenteve e përkthimeve, studimet në mënyrë që të botohen “spërkatini pak më pluhurin e marksizëm-leninizmit”.
9. Gjergj Kokoshi nga Dr. Enriketa Pandelejmoni (Papa)
Çmimi i kundërshtimit ndaj regjimit Një burrë i pakompromis, ministri pati forcën morale të dorëzonte detyrën në mënyrë vullnetare kur pa se pushteti po shkatërronte vendin
Kokoshi dënohet me 30 vite burg, punë të detyrueshme, humbjen e të drejtave qytetare dhe politike e konfiskimin e pasurisë. Pas gjashtë muajsh në Tiranë, dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel.
Opozita që drejtoi, Bashkimi Demokratik, nuk arriti të dilte në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945 dhe anëtarët e saj u arrestuan kudo. Dënimi i tij do të mbaronte më 23 janar 1976, por ai ndërroi jetë në Burgun e Burrelit më 1961 në moshën 57-vjeçare. Vuante nga tuberkulozi dhe kushtet e këqija duhet ta kenë përshpejtuar ikjen. 18 vitet e fundit të jetës, prej kur iu bashkua luftës qenë një udhëtim drejt vdekjes. Gjergj Kokoshi nuk ishte martuar kurrë dhe nuk la fëmijë.