Arbëreshi Francesco Altimari ka mbajtur në javën e dytë të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare një ligjëratë për nder të 200-vjetorit të lindjes së rilindësit të shquar arbëresh Jeronim De Rada. Profesor Altimari ligjëroi temën “Jeronim De Rada dhe roli i tij në rilindjet arbëreshe dhe zanafilla e rilindjes kombëtare shqiptare”. “Unë kam ardhur këtu që të flas për albanizmin, koncept ky, i cili nuk duhet të ngatërrohet me nacionalizmin sepse koncepti i albanizmit ka të bëjë njohjen e rrënjëve të popullit dhe historisë tënde”, ishin fjalët e para të Altimar-it, i cili shtroi platformën e tij për mënyrën sesi duhet të shihen ngjarjet historike në dritën e rilindjes kombëtare.
Sipas Francesco Altimar-it, në histori kemi pasur dy rilindje arbëreshe. “Rilindja e parë arbëreshe daton qysh në vitin 1780, pra rilindja arbëreshe ndodhi 1 shekull para rilindjes shqiptare”, u shpreh Altimari duke saktësuar para audiencës prejardhjen. “Një klerik i njohur i asaj kohe At Gjergj Guxeta, në një nga këto seminare pati deklaruar se arbëreshët nuk janë grekë, prejardhja e tyre në fakt nuk vjen prej grekëve, por prej epirotëve dhe maqedonasve”, tha Altimari duke argumentuar me pjesë nga fjalimi i Guxeta-s, të botuara në librin “De Albanesium Italia ritibus excolendis ut sibi totique S.Ecclesiae prosint”, vepër që mbeti e pabotuar për më shumë se dy shekuj, për t’u botuar vetëm në vitin 2007, se: “As maqedonasit e as epirotët nuk janë grekë, por pushtues të grekëve, krijues të perandorisë greke e për këto arsye ata quheshin grekë”.
Në një tjetër pikë kyçe e ligjëratës ishte dhe çështja e kishës së Napolit, e cila sipas Altimarit ishte pika qendrore kulturore e arbëreshëve dhe vatra e rilindjes arbëreshe. “Nga kjo kishë në vitin 1744 doli dokumenti i parë zyrtar në gjuhën shqipe, dokument i shkruar nga At Zef Guxeta, drejtuar Vatikanit”, tha Altimari duke shtuar se “pikërisht kjo datë duhet të festohet nga i mbarë populli shqiptar e jo datat pa domethënie si 7 marsi, datë në të cilën një sulltan despot pati dhënë leje që të hapej një shkollë në shqip”.
Altimari theksoi se shkolla e vërtetë shqipe është hapur shumë më përpara 7 marsit të 1887-s. Altimari ka argumentuar me shembuj mësimet e gjuhës shqipe shumë më përpara këtij viti, ku ka theksuar se me shqipen “intelektualë arbëreshë si Jeronim De Rada, Nikollë Keta, Zef Krispi e Emanuel Bidela e dërguan çështjen shqiptare në botë, ndërkohë që themeluan letërsinë moderne shqipe.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Gusht 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
