Altin Koruti:Isha me fat që bëra
shkollën e baletit në Shqipëri

Altin Koruti:Isha me fat që bëra<br />shkollën e baletit në Shqipëri
TIRANE - Ata janë dy balerinë shqiptarë Altin Koruti dhe Danilo Zeka. Me Danilo Zekën dhe sfidat e tij në skenë u njohëm në intervistën  e një jave më parë. Ndërsa Altin Koruti vjen në këtë intervistë për “Shqiptarja.com” nga skena e provave të baletit “Ëndrra e një nate vere” që do të ngjitet më 8 qershor në skenë nga regjisori dhe koreografi Arjan Sukniqi në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

Danilo Zeka dhe Koruti kanë korrur suksese, jo vetëm teatrot kombëtare të Athinës, por dhe në skenat ndërkombëtare. Tashmë ata janë lidhur ngushtë me drejtorin rishtar të teatrit kombëtar të Athinës zviceranin e famshëm Renato Zanela. Ai i mbështet premierat greke, pikërisht mbi shpatullat e dy balerinëve shqiptarë. Janë të dy solistë të talentuar.

Ndaj regjisori dhe koreografi Arjan Sukniqi i ka ftuar në premierën e madhe “Ëndrra e një nate vere”, për të kurorëzuar, siç duket, edhe ëndrrën e një suksesi të sigurt me dy yjet e baletit Korutin e Zekën. Altin Koruti rrëfen rrugën e tij të vështirë të suksesit, duke shprehur gëzimin që do të kërcejë edhe në Tiranë dhe ndihet mirë kur mendon se me sukseset e shumta ua ka shpërblyer mësuesve të tij shqiptarë të baletit që e rritën dhe burrëruan në skenë.

Balerini Koruti ka hapur edhe vetë një shkollë baleti për fëmijë në Greqi. Ka shumë sukses me të dhe natyrisht ndihet krenar që është një nga ata shqiptarë që përcjell dhe dhuron vlera në vendin ku ka mërguar.
 
Si u gjendët në Tetarin Kombëtar të Athinës, duke mbartur peshën e solistit të premierave?
-Në ‘90-n unë mbarova Liceun Artistik. Siç ishte ajo kohë, atëherë ne sapo ishim evidentuar ndër balerinët e talentuar me Ilir Shaqirin, djalin e Mukadez Erebarës një nga kërcimtaret më të mira, por edhe me dy-tre balerinë të tjerë. Më Ilirin u futëm në TOB si solistë dhe deri në vitin ‘92 kemi kërcyer në shumë role, si te “Don Kishoti” etj, etj.

Megjithatë kur u nisa drejt Athinës kujtova se do na prisnin me lule se do të na fusnin në punë direkt dhe fatkeqësisht vitet e para patëm shumë vështirësi deri ne vitin ‘94. U njoha me një koreograf atje dhe e mbajt mend gjithë jetës këtë moment. Isha pak i mërzitur dhe po ecja nëpër Athinë. Kur shoh një teatër. Lexoj “Tetari ai Akropolit” dhe aty shoh se kishte një shfaqje me fëmijë me balerinë të vegjël.

Kur dëgjova muzikën hezitova të hyja. Pata atë frikën e tmerrshme se mos bëja ndonjë gjë të pakëndshme, por megjithatë u futa. Kur hyra u mallëngjeva aq shumë sa më dolën lot. Afrohet një koreograf i shkollës. Ai më pa me sy të përlotur dhe më erdhi afër. Komunikova me atë me atë pak greqishte që dija. Ai më tha: “Pse jeni mallëngjyer aq shumë,keni ndonjë fëmijët të afërt këtu?”.

“Jo, -i thashë, -dhe i tregova historinë time, që kisha dy vjet pa kërcyer. Që nga ai moment ai më mori tek shkolla e baletit. Unë fillova të merrja pjesë në rrethin e kërcimtarëve dhe kështu nisëm e m’u hapën dyert. Ky takim ishte një fat i madh dhe një lumturi e madhe, sepse që në 94-a e deri tani jam solist i parë atje në Greqi.

Cili mendon se ka qenë çelësi i artë i suksesit tënd që nga ‘94-a deri më sot në shtetin fqinj?
-Ka qenë shkolla që bëmë këtu në Shqipëri. Kemi pasur profesorë të mrekullueshëm. Një pjesë e më të vjetërve që erdhën nga shkollat ruse dhe më vonë profesorët Hajdar Shtuni, të cilin e kemi edhe në Athinë, Pëllumb Agalliu. Miltiadh Papa, Agron Alija, Petrit Vorpsi. Më pas kishim të rinjtë Ilir Kërnin, etj.

Këta kanë qenë profesorë shumë të specializuar, falë të cilëve ne njohim shuam balerinë të talentuar dhe na dhanë bazën për t’u bërë neve kërcimtarë të mirë. Nuk është e çuditshme që në të gjithë botën janë kërcimtarë ne teatro shumë të mira dhe të dëgjuar si në Spanjë, në Amerikë, në Europë, në Athinë, etj.

Unë pashë vetë dallimin që kemi pasur ne dhe shkolla e baletit në Athinë. Ne në Shqipëri e nisnim që të vegjël shkollimin për t’u bërë balerinë profesionistë, Ndërsa në Athinë i çojnë në fillim për hobi dhe më pas zgjedhin se çfarë do të bëhen.

Unë kam vetë një shkollë baleti në Athinë dhe aty shihet arsyeja pse ata nuk kanë shumë kërcimtarë dhe djemtë atje mungojnë në balet. Ndaj edhe ne balerinët shqiptarë atje kishim peshë, siç është Danilo Zeka, Blendi Latifi, etj. Jemi 11 balerinë shqiptarë në tetarin e operës kombëtare greke. Atje kemi dhënë një frymë tjetër dhe kemi rritur nivelin e baletit grek.
 
Të kthehemi tek “Ëndrra e një nate vere”, si po shkojnë punët?
-Kisha biseduar me Arianin që pas ardhjes sime në 2010-n, kur më bëri një ftesë për rolin e Zorbës, që u prit nga publiku shqiptar me shumë entuziazëm dhe më lumturoi. Dhe kështu pas tre vjetësh ishte një kënaqësi shumë e madhe që na u bë ftesa për një balet ndryshe, sepse ne vërtetë ndihemi si në shtëpinë tonë në tetarin ku luajmë, por kthimi në teatrin e Tiranës është si kthimi në shtëpinë e nënës.

Nuk kthehemi vetëm për publikun dhe për prindërit tanë që kanë lumturi kur na shohin që kemi sukses në skenë. Tani që kam edhe unë fëmijë dhe kujtoj kur pashë vajzën time të madhe 8 vjeçe në skenë, e nisa të qaja, kuptova prindërit e mi se çfarë ndjejnë për mua.
 
Cili është roli juaj te “Ëndrra e një nate vere”?
-Është roli i Pukut, këtu i thonë Elfi. Është rol komik dhe natyra e tij është shumë komplekse. Ai trazon me çdo gjë, me magjinë e tij ai bënë që dy djem të dashurohen me të njëjtën vajzë, ose në një rast me magjinë e tij bënë një vajzë që të dashuroj një gomar. Ka një mijë e një komentime rreth kësaj figure interesante dhe mesazhit të çuditshëm që përcjell.
 
Çfarë projektesh keni në Athinë, pas premierës së Tiranës?
Do të ngjitem në skenë me baletin “Shakespare in Love”. Kam një nga rolet kryesore, mikun e Shekspirit. Pastaj do të kemi shumë turne në Greqi nëpër ishuj me pjesë baleti që i ka bërë Renato Zanela.
 
Nga se përbëhet familja juaj në Greqi?
Jam martuar me Melinën, balerinë greke, dhe kam dy vajza. Njëra është 8 vjeç dhe tjera katër. Kur u njoha me Melinën, babai i saj që ishte ushtarak, u shqetësua shumë dhe pati paragjykime, sepse ka qenë një kohë e turbullt pas ‘90-s, ku është folur shumë keq për shqiptarët kudo.

Por që nga çasti që ne u njohëm, ai mendon krejt ndryshe dhe më do shumë. Jemi një familje e lumtur. Me Melinën punojmë bashkë, kemi sukses të përbashkëta dhe vajzat na lumturojnë. Kemi hapur edhe një shkollë baleti për fëmijë bashkë atje,ku kërcejnë edhe vajzat tona. Ndihem mirë që përcjell idetë dhe profesionin tim tek fëmijët e vegjël.
 
JU keni pasur sukses me dhjetëra role, të tashmë të njohura, por cilin rol keni më shumë për zemër?
-Roli im më i preferuar ka qenë roli i Zorbas dhe roli tjetër që kam për zemër është te baleti “Don KIshoti”, ku Renato Zanela më besoi rolin e Bazilios që e kam pasur ëndërr që kur isha i vogël. Që kur u futa në balet kisha ëndërr të realizoja rolin e Bazilios, sepse e kisha parë në video nga balerini i famshëm Zhikov. Por rolet nuk kam mbarim. Ndihem ende i fortë dhe i ri dhe besoj se ëndrra vazhdon...

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm