DURRËS- Ish-zv.shefi i Policisë së Burgut të Durrësit, Dezdemon Pazajn dhe 2 prej efektivëve që kanë shoqëruar Altin Ndocin ditën e arratisjes, do të qëndrojnë në burg. Masat e sigurisë u caktuan sot nga Gjykata e Durrësit e cila vendosi të lirojë nga qelia 3 efektivët e tjerë të grupit të shoqërimit Aranit Çela, Preng Marvataj dhe Dorjan Saraçi, për të cilët caktoi masën detyrim paraqitjeje. 5 efektivët shoqëruan pa pranga drejt spitalit të Durrësit 2 të paraburgosur, Ndocin dhe Gerald Kuqin, ndonëse sipas rregullores së Burgjeve për të shoqëruar një të paraburgosur duhen 3 efektivë në dispozicion, pra në ambulancën e burgjeve ditën e arratisjes së Ndocit do duhej të ishin në total 6 efektivë.

Ndonëse Prokuroria e Durrësit kishte kërkuar masën arrest me burg për 8 ish-zyrtarët e akuzuar për shpërdorim detyre, Gjykata lehtësoi masat për disa prej tyre. Kështu nga qelia u liruan 3 efektivët e grupit të shoqërimit, të cilët pasi çuan dy të paraburgosurit në spitalin e Durrësit, u kthen për të dërguar në qeli Gerald Kuqin. Në burg mbetën 2 policët të cilët ruajtën tek në derën e dhomës së repartit Infektiv Ndocin, i cili në fakt nuk mori në asnjë moment mjekim nga mjeku.

Në arrest shtëpie do të qëndrojë kryeinfermieri i burgut, i cili Aulon Çuko i cili ishte personi që firmosi me urgjencë rekomandimin për dërgimin e Ndocit për vizitë në spitalin e Durrësit. Togat e zeza vendosën masën arrest shtëpie edhe Violeta Ukën, punonjëse e policisë së burgjeve, personi që duhej të kishte njoftuar sallat operative për shoqërimin e Ndocit dhe të paraburgosurit tjetër drejt spitalit të Durrësit.

10 të arrestuar kanë shkuar në pranga pas arratisjes së Ndocit më 13 janar, për të cilin ende nuk ka asnjë gjurmë. Dje u arrestua edhe ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj ndërsa u vendos arrest shtëpie për mjeken e burgut, Ylfete Sema, e cila kishte rekomanduar vizitën e Ndocit në spital. Të gjithë ish-zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Ndoci u shoqërua nga qelia në spitalin e Durrësit, në shkelje të procedurave, pa e prangosur, si një qytetar të lirë, edhe pse akuzohet nga SPAK për vrasje, konsideruar krahu i armatosur i organizatës kriminale të Çopjave të Elbasanit. 

Pasi ka kërkuar të shkojë në tualet, Ndoci është arratisur nga kati i 3-të i repartit të Infektivit duke goditur 2 policët që e shoqëronin. Jashtë traut të spitalit të Durrësit e priste një automjet tip “Audi A7” me të cilin është larguar në drejtim të paditur. Prokuroria e Durrësit po heton si u dërgua një person me rrezikshmëri kaq të lartë në burgun e Durrësit dhe po kalon në sitë edhe takimet e tij të fundit në qeli, edhe me persona me precedentë penalë si Edmond Gjyzeli dhe Izmir Kusi. Ndoci  është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, i akuzuar për vrasje me pagesë, grabitje dhe trafik droge.

MASAT E SIGURISË
Aulon Çuko- kryeinfermieri i Burgut të Durrësit (Arrest shtëpie)
Dezdemon Pazaj- Zv.shefi i Policisë së Burgut të Durrësit (Arrest me burg)
Dorian Saraçi- Kryeinspektor (Detyrim paraqitje)
Sali Ferollari- Inspektor (Arrest me burg)
Preng Marvataj- Inspektor (Detyrim paraqitje)
Fation Baçi- Inspektor (Arrest me burg)
Aranit Çela - Kryeinspektor (Detyrim paraqitje)
Violeta Uka- Komisare (Arrest shtëpie)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:45
Avokati i ish-zv.shefit të Policisë së Burgut të Durrësit për mediat: Klienti im është i pafajshëm, i ka zbatuar të gjithë protokollet

 

Zaçe Islami, avokati i ish-zv.shefit të Policisë së Burgut të Durrësit, Dezdemon Pazaj ka deklaruar për mediat se klienti i tij është i pafajshëm pasi nuk është akuzuar me një nen konkret- ku thuhet se ka shkelur një ligj të caktuar.

Sipas tij teksa ka qenë në krye të detyrës Pazaj i ka zbatuar të gjithë protokollet dhe nuk është përgjegjësi e tij se çfarë ndodh jashtë mjedisit të burgut.

“Shpërdorimi i detyrës ka qind artikuj brenda. Nuk ka ndonjë gjë konkrete, të saktë të paktën për klientin tim ku thuhet se ke shpërdoruar detyrën dhe ke shkelur këtë ligj. Unë kërkova arrestim të paligjshëm. Klienti im miratoi atë që thashë unë, është i pafajshëm dhe s’ka asnjë përgjegjësi dhe nuk është akuzuar me një nen konkret - ku thuhet se ke shkelur këtë gjë. I ka zbatuar të gjithë protokollet, se çfarë ka ndodhur jashtë burgut ai nuk ka përgjegjësi”, tha Zaçe Islami avokati i Dezdemon Pazaj.