Edmond Gjyzeli dhe Izmir Kusi janë dy emra që po verifikohen nga grupi hetimor pasi rezultojnë se gjatë muajve të fundit kanë zhvilluar disa takime me Altin Ndocin në paraburgimin e Durrësit, raportojnë burime për gazetarin e Report Tv Sokol Dema.

Të njëjtat burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se këta të fundit janë emra të skeduar nga drejtësia dhe ka dyshime se mund të jenë të përshirë ose të kenë patur dijeni për planin e arratisjes nga paraburgimi.

 Megjithatë kjo është deri tani në fazën e hetimeve paraprake, por po punohet për të gjetur prova nëse Gjyzeli dhe Kusi janë të përfshirë apo jo. Ende nuk dihet nëse hetuesit kanë arritur që ti lokalizojnë për ti marrë në pyetje apo jo.

Altin Ndoci u arratis tre ditë më parë nga spitali i Durrësit ku ishte dërguar për të kryer një ekzaminim shëndetësor. Shoqërimi u bë me ambulancën e burgut jashtë standardeve të sigurisë, duart e palidhura me pranga dhe mjaft i lirë ashtu si dhe grupi shoqërues i Policisë së Burgjeve.

Ndoci është arratisur nga kati i 3-të i repartit të Infektivit, pasi ka goditur 2 policët që e shoqëronin. Jashtë traut të spitalit të Durrësit e priste një automjet tip “Audi A7” me të cilin është larguar në drejtim të paditur. Ndoci prej vitit 2020 ndodhej i izoluar në qendrën e paraburgimit të Durrësit i akuzuar për vrasje e vepra të tjera penale.