Prodhimi vendas, përditë e me shumë, e ka të vështirë të mbërrijë në tavolinat tona. E shohim të gjithë. Nuk mjaftojnë të gjitha fotografitë, selfiet, videot e një prej ish-ministreve “fotozhenike” të administratës sonë, të na e mbushin mendjen se po bëhet shumë për bujqësinë dhe fermerët. E dimë mirë se edhe sot e kësaj dite, në çdo treg shqiptar, mbi banakët e sistemuar do të shohim mollët perfekte të importit, domatet me të njëjtën masë, specat prej disa centimetërsh dhe kastravecat të gjithë një gjatësi, e poshtë, të ulur në dhe e nëpër cepa, me sytë katër se do të kapen nga polici i radhës, me pak qese, prodhuesit vendas, si të ishin, njësoj si fshatarët e kohës së keqe, duke kërkuar bukë gruri që i ishte mohuar në diktaturë.

“E di kam bërë bozë me statuset e mija për prodhimin vendor. Ju ngrihet lart niveli i snobit, s'keni faj. Se nuk e keni bërë provë t’ju thoni s’mund ta blej dot prodhimin 20 vetave në ditë, burra 70 vjeçar me duart me kallo, nëna, hallxhi, rini të demoralizuar sepse nuk arrijnë të marrin mbrapsht mundin që bëjnë me tokën”… Shkruan sot, për të njëqindtën herë Altini i Mrizit.

Nuk mund të mjaftojnë as ulërimat dhe dëshpërimi i vetëm një deputeti. E njohim të gjithë. Erjon Braçe quhet! As puna e një medie të vetme që denoncojnë politikat penalizuese të grosistëve dhe të tregjeve agro-ushqimorë që sillen me prodhuesit vendas si skllavopronarët e fushave të pambukut në Amerikën e të tjerëve shekuj.

E si për ironi të fatit, në social media shfaqet Bill Gates në Etiopi, i gëzuar me faktin se atje fermerët po ja dalin të mëkëmben. Nëse pyesni ChatGTP e Mira Muratit se “çfarë po bën Bill Gates dhe Melinda Gates në ato anë”, mund të keni një panoramë të përgjithshme të përpjekjeve ndër vite për t’i ndihmuar ata të rimëkëmben, të gëzojnë prodhimin e tyre e të gjejnë dhe tregje.

Sigurisht, do të thoni, Etiopia ka 123 milionë banorë dhe ne jemi një grimcë para tyre dhe interesave që një Bill Gates mund të ketë për përmasa të tilla, por, meqë sot festojmë dhe Nënë Terëzën, shqiptaren tonë më të famshme në botë, a nuk po kopjojmë të gjithë krenarë e po shpërndajmë mësimet e saj? “Mos u shqetëso për numrat, - thotë ajo, - ndihmo një e nga një dhe nise me njeriun më afër teje”.

Si për ironi të fatit, elita e influencerave shqiptarë, ata më të pasurit, më të vlerësuarit më të klikuarit e më të lakmuarit, me një aparat kinez në dorë, vendosur nga oligarku i radhës së bostanëve, kastravecave, domateve, shalqinjve, të importit, shtojnë zerot në Ibanët e tyre të strëfryrë nga gjithçka duke thënë: “O Zot, sa nitrat paskan bostanët e Lushnjës!...” Dhe për këtë askush nuk heton, sepse lufta ndaj prodhimit vendas është vërtetë e gjithanshme! Kjo është e dukshme.