Për Gani Çelepijën, pensioni nuk ka qenë periudhë pushimi. Prej 50 vitesh, endet në fshatrat e Shkodrës për t’iu ardhur në ndihmë fermerëve si veteriner.
“Kam mbaruar fakultetin e Mjekësisë Veterinare në vitin 1977. Kam filluar punë në fermën e Bushatit dhe që atëherë edhe sot janë mbushur 50 vite që kam punuar vetëm me lopë. Me ato jam marrë pothuajse në të gjitha sferat, por kryesisht me kirurgji dhe riprodhim.”, thotë Ganiu për fillimet e tij.
“Ndër veterinerët e vjetër kemi mbetur dy ose tre dhe hapësira është shumë e madhe. Detyrohem me punu shumë, bile më shumë se sa kam punuar më herët. Megjithatë kjo nuk është punë e lodhshme, vetëm se je i angazhuar gjithë ditën”, shprehet veterineri duke shtuar se veterinerët e rinj nuk kanë hyrë ende në linjën e punës, ndaj i duhet të asistojë fermerët për problemet që hasin me lopët.
Emocionet dhe përgjegjësitë në këtë punë janë prezente çdo ditë. Ganiu tregon rastin më delikat që i ka mbetur gjatë në memorie.
“Janë rreth 11.500 viça që kam pritur. Më ka mbetur në kujtesë kur më erdhi një fëmijë 13 vjeçar dhe më tha:”Aman ma shpëto lopën!”
Viçi doli si gjysmë i ngordhur, dha vetëm një shenjë të vogël dhe unë i bëra shpejt një manovër. Shpëtoi lopa dhe viçi dhe kur dola jashtë përveç shpërblimit monetar më dha një lepur. Gati sa nuk qava nga gjesti i tij. Raste të tilla kam shumë. Lutej i zoti i shtëpisë t’i shpëtoja lopën dhe vihesha në pozitë.’”, thotë ndër të tjera.
Tashmë që është në pension, kënaqësinë më të madhe e ndjen kur lopa është mirë me shëndet, jo tek pagesa.
“Kam kënaqësinë, ta them me sinqeritetin më të madh, jo te fermeri që më lëvdon ose më jep paratë, por kur shikoj lopën në këmbë.”, përfundon Ganiu rrëfimin e tij.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.










Komente
Komento