Amarildo Ruçi, 29-vjeçari që bëri edhe muzeun e Louvri-t 'të flasë shqip': Që kur kam marrë ftesën, kam 3 muaj plot adrenalinë! Është ndjesi ndryshe

Emocionet e para të Amarildo Ruçit drejt Luvrit

“Unë e kam provuar dhe më parë Europën, ka  ekspozuar në Milano, Berlin, por ky është një moment i magjishëm në jetën e një artisti, ekspozimi në majën e piramidës artistike, në Luvër”.

Janë përgatitjet e fundit për udhëtimin drejt muzeut më të madh në botë që strehon koleksionet më mbresëlënëse të artit në histori, në Luvër!

“Unë jam Amarildo Ruçi dhe mirë se erdhët në shtëpinë time. Kjo nuk është vetëm shtëpi, por siç e shikoni është e mbuluar me piktura. Lart është dhe studio ku unë punoj. Sapo bëra gati valixhen dhe tashmë çdo gjë është në rregull për udhëtimin tim në Paris”, e nis artisti rrëfimin e tij.

29 vjeçari jo vetëm do të ekspozojë 5 veprat e tij në "Focus Art Fair PARIS 2022’" në Luvër, por edhe do të jetë një ndër artistët e përzgjedhur që do të pikturojë me duar përballë një publiku.

“Që në momentin që kam marrë ftesën, këto 3 muaj kanë qenë plot adrenalinë, ka qenë një ndjesi tjetër”, thotë Amarildo.

Kjo është historia e Amarildo Ruçit që ëndrra iu bë realitet.

“Ky është Xhinxher, na shoqëron kur dalim për kafen e mëngjesit. Është dhe pjesë e pikturave që do të shkojnë në Luvër. Ndodh shpesh që jam në lëvizje me aktivitete, ekspozita, jashtë vendit. Kur kthehem, Xhinxher është tek aeroporti, duke parë oraret e fluturimeve”, tregon Amarildo për qenin e tij.

“Nuk jam shumë njeri i mëngjesit, më pëlqen të zgjohem pa zilen e telefonit. Tirana më pëlqen, por nuk jam artist i natyrës. Arti im është më shumë tek mendimi dhe shpirti. Besoj, pjesa më e madhe e frymëzimit vjen nga njerëzit që më rrethojnë dhe kanë ndikim në gjendjen time emocionale, shpirtërore, ose ngjarjet që mund të ndodhin rreth meje”, thotë mes të tjerash.

Amarildo ka nisur të pikturojë rreth moshës 7 vjeçare. Do të merrte pjesë në shumë konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare ku ka qenë fitues i shumë çmimeve deri në klasë të tetë ose të nëntë.

Befas u zhduk gjithçka. Për ofro 3-4 vite me radhë ai iu largua pasionit të tij duke përfunduar edhe studimet për Administrim Biznesi.

Deri sa një ditë, ëndrra e fjetur iu shfaq krejt papritur dhe ai rinisi të pikturojë, por këtë herë… me duar.

“Që të dalë një pikturë e bukur duhet të kesh edhe guxim, e s’duhet të kesh frikë asnjëherë”, tregonte Amarildo 4 vite më parë.

4 vjet më parë ai e kishte një qëllim…

"Përpos qëllimeve që ka çdo artist për të hapur ekspozita ose për të treguar punimet, një nga qëllimet e mia është që të jem i përjetshëm në këtë fushë dhe të kujtohem; të arrij që të ndikoj në jetën e njerëzve nëpërmjet artit”.

4 vjet më pas…

“Tani po ngjitem në studio, të shikoj pak pikturat që kemi për në Paris, ato i kemi më shumë me merak se të tjerët. Këto janë pikturat që kanë një rëndësi të veçantë për mua, për momentin. Një nga arsyet që nuk kam zgjedhur që të shkoj me avion në Paris është që këto të jenë gjithë kohën pranë meje, ndaj do shkoj me makinë.

Për mua gjatë krijimit të një vepre, është momenti kur unë marr emocionin më të madh.  Ngjyra është shpirtërore, lind nga momenti sesi ndihesh, asnjëherë nuk është e përcaktuar. Ka disa rregulla, por s’më ka pëlqyer kurrë të luaj sipas rregullave. Gjithnjë ka qenë një natyrë kontroverse, si nga teknika si nga ajo çfarë kam përcjellë me anë të veprave të mia. Kjo është e bukura e artit, liria.

Ka qenë një ekspozitë, para dy viteve, që unë kam kaluar në një materie tjetër, në realizimi e veprës, ku kam pikturuar mbi pasqyra. Ka qenë një ekspozitë e realizuar në Suharekë të Kosovës, e më pas një ekspozitë tjetër në Muzeun Kombëtar. Ishte një përjetim tjetër, marrëdhënia ime me veprën ishte ndryshe. Gjatë realizimit të veprës, kishe dhe një marrëdhënie me veten, sepse shikoje çdo lëvizje që realizoje në atë moment. Ka pas një moment që mendoja që nuk do i rikthehesha më pëlhurës dhe do e vazhdoja krijimtarinë time vetëm në pasqyrë, por ky lloj frymëzimi, zgjati rreth një vit, një vit e gjysmë dhe pastaj ndërrimi i materies erdhi natyrshëm dhe kalova përsëri në telajo.

Ndoshta shkëputja ka qenë pjesë e rrugëtimit dhe frymëzimit, sepse çdo gjë ndodh për një arsye. Pas rikthimit dhe fillimit të kësaj teknike, për mua ka qenë si një lloj shpërthimi, i cili vazhdon akoma, plot frymëzime, plot ide dhe përjetime akoma më të forta”.

Amarildo tregon lidhjen me objektet në studion e tij

"Unë jam shumë i lidhur me objektet që ndodhen në studion time, çdo objekt ka një kujtim, ka një lidhje me mua dhe është pjesë e rrugëtimit tim.

Këtu është një top basketbolli. Para 9 viteve jam shkëputur nga sporti.  Kam luajtur që i vogël deri në moshën 20 vjeçare. Ka qenë pjesë e pasioneve të mia, por besoj që edhe pjesa e disiplinës sportive, ka ndihmuar në ndërtimin e karakterit tim dhe disiplinës që kam për të arritur gjëra.

Këto janë pjesët ku unë përziej bojërat dhe i ruaj. Këtu mund të kem 20 ose më shumë, por që gjithsej, kam dhe disa të tjera në Itali, mund të jenë rreth 100. Ndoshta një ditë do të ndërtoj një instalacion. Janë piktura dhe art më vete, ka një lloj nostalgjie kur i shikon, mënyra sesi i ke përzierë bojërat".

Në Carrousel Du Lovre u përfaqësuan rreth 100 artistë nga e gjithë bota, me teknika, mediume dhe vepra të ndryshme, nën koncepte të artit kontemporan. Midis tyre edhe artisti shqiptar Amarildo Ruçi.

Përveç ekspozimit të 5 veprave të tij në Focus Art Fair, Amarildo përjetoi një emocion të veçantë, ai u përzgjodh ndër 6 artistët që performuan në sy të vizitorëve, secili sipas zhanrit të tij.

Destiny u quajt vepra të cilën Amarildo e realizoi për rreth 60 minuta dhe spikati që në momentin e parë kur pa penela, aty ngjitur e murin e Charlesit të V, vetëm me duart e tij dhe ngjyrat mbi një sfond të bardhë, arriti të realizojë imazhe, karaktere dhe atmosferë pozitive.

Amarildo bëri edhe Louvri të flasë me gjuhën e një artisti shqiptar.

“Rrugëtimi vazhdon, janë shumë plane të tjera për të ardhmen, të cilat shumë shpejt, edhe pas Parisit do të realizohen. Është hapur një front i ri artistik në karrierën time. Është një moment shumë i mirë që po e shijoj çdo ditë.”, thotë Amarildo.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shqiptari: 08/10/2022 14:27

    Shume suksese djalit! I urojmë më të miren. Bravo i qofte. Lum prinderit qe e kanë se i ka nderuar, lum edhe ne shqiptaret per njerezit e zot shaiptare.

    Përgjigju
  • Asnjëanës: 08/10/2022 13:46

    Respekt Djalosh, ndero veten dhe Vëndin tënd jam krenar për ty.

    Përgjigju
  • Lulja: 08/10/2022 13:45

    Carrousel Du Lovre nuk është muzeu i Louvrit por një qendër tregtare aty ngjitur. Mirë që “piktori ja fut kot, po gazeta nuk I kontrollon faktet. Thjesht futu në internet dhe e gjen.

    Përgjigju
    • Elion: 08/10/2022 16:27

      O lule trendeline, Carrousel Du Luvre de Luvre eshte pjese e Luvre. Djali ne asnje moment nuk ka thene qe ekspozita eshte bere ne muze. Ne muze nuk mund te behen ekspozita kjo nuk eshte sekret. Cdo veper qe eshte aty e cila ne shumicen e rasteve eshte prone muzeut e ka vendin e percaktuar prej vitesh. Ekspozita ne te cilen ka marre pjese djali organizohet nga Focus Art Vair e cila eshte nje organizate agjensi nderkombtare qe nuk ka as mik dhe as "qoka". Vendet ku organizohen ekpsozitat percaktohen nga kjo organizate dhe te siguroj qe ashtu si CDL jane vende prestigjoze. Ik laj ndonje hale ne france ate bej emogrante

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja