Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, është shprehur se Ambasadat shqiptare në vende të ndryshme në botë janë mbushur me ish-deputetë të Partisë Socialiste.
Komentet Zhupa i bëri gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku tha se kjo është një mënyrë për t’u ofruar ish-deputetëve socialistë pensionim luksi, por edhe një mënyrë për t’i shërbyer kryeministrit Rama.
“Ditën që ne po miratojmë këtu këtë ligj që na garanton se shërbimin e jashtëm do ta kemi një shërbim diplomatik të pavarur, pikërisht në të njëjtën ditë vjen njoftimi i Komisionit të Jashtëm për dy emërime politike në krye të diplomacisë. Ish-deputeti Bardhyl Kollçaku bëhet ambasador në NATO dhe ish-akademia politike Jeta Kreka bëhet ambasadore në Katar. Prandaj nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë themi ne nga Vlora. Ambasadat janë mbushur me ish-deputetë të PS-së, për një pensionim luksi. Shumica e ambasadave sot janë nga ish-analistë të majtë, nga ish-deputetë socialistë, nga ish-zv.ministra socialistë. Që kur bëtë ligjin në 2015 që hoqët çdo limit dhe çdo proporcion mes diplomatëve të karrierës dhe të atyre që futeshin jashtë sistemit, sistemi i diplomacisë u kthye në një sistem patronazhimi diplomatik. Në fakt vota e diasporës e tregoi fare mire rolin që luajtën ambasadorët dhe ambasadat. Gjithçka në zgjedhjet e fundit u shndërrua në atë që thotë raporti partia-shtet”, tha mes të tjerash Zhupa.
Më tej Zhupa tha se shpesh herë ambasadorët shqiptarë ankohen jashtë kamerave se nuk marrin mbështetjen e nevojshme nga shteti. Ajo solli rastin e Ambasadorit të Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, që sipas Zhupës, i kërkonte botuesve atje abetare, pasi shteti shqiptar nuk i jepte abetare për komunitetin shqiptar atje.
"Sa herë iu jepet mundësia jashtë kamerave, ambasadorët ankohen. Ankohen edhe te botuesit dhe ne patëm mundësinë ta dëgjonim në komisionin e diasporës, sesi botuesit na thanë sesi ambasadori juaj ish-ministër, Ervin Bushati kërkonte abetare, kërkonte abetare te botuesit, sepse shteti shqiptar nuk i çonte abetare për komunitetin shqiptar atje. Kjo është të investosh në diplomaci, ku ambasadorët të mos kthehen në lypsarë”, vijoi më tej Zhupa.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ Debate për nismën e PS-së që pengon gjykatat të pezullojë ministrat! Bardhi: Dorëzoni Ballukun! Balla: McAallister s’u erdhi te partia











