TIRANE-  Të gjithë e njohin rrugën e ambasadave në Tiranë. Për ata që jetojnë jashtë kryeqytetit, rruga, i kthen në kujtesë eksodin e korrikut 1990 kur mijëra shqiptarë u dyndën nëpër ambasada për tju larguar regjimit komunist drejt një jete më të mirë.

Për ata që jetojnë në Tiranë, rrugica që zyrtarisht e ka emrin “Rruga Skënderbej” njihet për gjelbërimin, pastërtinë dhe për më tepër qetësinë, aq shumë të munguar në rrugët e tjera të kryeqytetit. Ndër vite shumë qytetarë, sidomos familjarë me fëmijë të vegjël me karroca, që banojnë në zonat përreth e shfrytëzojnë këtë rrugicë për të kaluar 1- 2 orë të qeta, sidomos pasditeve të nxehta të verës. Apo dhe për një shëtitje të qeta, pa dëgjuar zhurmën e boritë e makinave ndërsa kalojnë nga rruga e Kavajës, në rrugën e Durrësit.

Në të dy anët e kësaj rruge, ku janë të vendosura disa seli ambasadash, ndodhet një postbllok dhe pas viteve ’90 policia nuk lejonte kalimin e automjeteve, ndërsa rruga ishte e hapur vetëm për këmbësorë. Por prej disa ditësh familjarë që zgjedhin këtë rrugë për të kaluar pak kohë me fëmijët e tyre të vegjël u kërkohet të largohen.

Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik ka marrë letra ankese nga ambasada gjermane dhe ambasadat e tjera për të mos lejuar qytetarë të qëndrojnë në bllokun e këtyre ambasadave, pasi i prishet qetësia por dhe për shkaqe të sigurisë, mëson Shqiptarja.com dhe Tv A1 Report.
Nisur nga kjo punonjës policie apo dhe roje të sigurisë së ambasadave u këkojnë të largohen dhe të mos qëndrojnë në këto ambiente. Në një bisedë jashtë kameras së TV A1Report një roje e sigurisë i afrohet një gruaje me një fëmijë që ishte ulur pranë një bordure dhe i kërkon të largohet se po prishte qetësinë. “Vijmë këtu sepse është qetësi dhe pastër. Makinat nuk ecin me shpejtësi dhe fëmijët lozin të lirë”- tregon qytetarja. Ajo pranon për kamerat e TV A1 report se shpesh policët nuk i lejojnë të qëndrojnë sidomos nëse janë me fëmijë të vegjël dhe me karroca.

Qytetarët tregojnë se shpesh ndalohen nga policia për të mos qëndruar në këto ambiente jo vetëm për shkak të prishjes së qetësisë por dhe për shkaqe të sigurisë. Për atë moment ata i binden policisë, largohen për tu rikthyer sërish nesër, ose ndoshte një ditë tjetër duke kujtuar këshillën e policëve për të mos bërë zhurmë se përndryshe do të duhet të largohen.
(su.ge/shqiptarja.com)