Muzeu Bunk’Art2 është vizituar këtë të diel nga ambasadorët italianë të vendeve të Ballkanit të shoqëruar nga kuratori Carlo Bollino.
Për më shumë se një orë ata kanë vizituar dhomat e këtij muzeu të impresionuar nga horroret e Diktaturës Shqiptare. Vizitorët italianë kanë hyrë në dhomat ku tregohej kryesisht historia e veprimtarisë së ministrisë së punëve të brendshme dhe të sigurimit të shtetit, dy nga institucionet kryesore të diktaturës, ku nisnin vendimet për përgjimet, torturat, persekutimet, vrasjet dhe burgosjet e shqiptarëve që ishin kundër diktaturës, ose atyre që shprehnin pakënaqësi ndaj saj.
Ata janë befasuar para fakteve tronditëse të torturave çnjerëzore që kanë pësuar shqiptarët në diktaturë. Në njërën nga dhomat qëndrojnë pak më gjatë për të lexuar deri në fund tragjedinë e Hatlije Tafaj, e cila është masakruar deri vdekje nga sigurimi i shtetit.
Me vëmendje ambasadorët italianë kanë parë edhe disa dokumente dhe objekte me vlerë muzeale që përshkruajnë ngjarje të rënda si i vrasjet ne kufi apo vuajtjet në kampet e internimit dhe në burgjet e diktaturës.
Të pabesueshme dhe të paimagjueshme për këta vizitorë janë edhe rastet e përgjimit me çimka të qytetarëve apo të të huajve që vinin në Shqipëri. Gjithashtu ambasadorët italianë kanë ndjekur me vëmendje edhe instilacionet artistike që japin mesazhe fshikulluese për krimet e diktaturës.
Bunk’Art 2 që është çelur në fund të nëntorit të vitit që kaloi, vetëm për pak muaj është vizituar nga qindra vizitorë e diplomatë të huaj nga Rajoni, Franca, Italia, Hollanda, Amerika e më gjerë.