I dua flamingot dhe fluturimin e tyre elegant dhe aftësinë që kanë për të qëndruar drejtë edhe vetëm me një këmbë. Më pëlqyen ata ambientalistë që dolën të parët në shesh për t’i mbrojtur. E kam admiruar protestën në fazat e saj të para, sepse më në fund i dha zë popullit të mosvotës, më të heshturit nga të gjithë, aq të edukuar sa për 35 vjet kishte zgjedhur të heshtte, ndoshta nga ndrojtja, ndoshta nga mungesa e besimit te forca e zërit të vet.

Ne, si Report Tv, ishim televizioni i parë që transmetuam pamjet dhe denoncuam dhunën e neveritshme të ushtruar nga rojet private ndaj pak protestuesve që më 30 maj ishin mbledhur në Zvërnec kundër idesë për ndërtimin e një resorti të familjes Trump. Deri në atë moment, projekti i resortit kishte tërhequr vëmendjen vetëm të një pakice të vogël shqiptarësh dhe të asnjë të huaji. Atë ditë edhe ''revolucionarët'' që sot udhëheqin protesta ishin në plazh, postonin video vallëzimi apo gallata në TikTok, ose bënin selfie nëpër qytete evropiane. As Sali Berisha, as dhëndri i tij, as televizioni i familjes dhe as papagajtë e tyre "alla Belind" nuk ishin marrë ndonjëherë me Zvërnecin.

Që nga ajo ditë, edhe falë denoncimit tonë mediatik, gjithçka ndryshoi.

Kam shkruar se ishte e bukur të shihje të rinjtë në shesh duke protestuar me pankarta në formë flamingosh, në vend që t’i shihje të emigronin si zogjtë që po mbronin. E kam përshkruar atë protestë si plot fantazi, qytetare dhe krijuese. Ishin pikërisht pamjet e ditëve të para ato që emocionuan lëvizjen botërore kundër Trump-it dhe Netanyahut, e cila pa te turma e mbledhur në Tiranë, paqësore dhe plot ngjyra, një shembull befasues të mobilizimit qytetar. Por ditët kaluan dhe natyra e protestës u trasformua. Ndërsa jashtë vendit vazhdohej të besohej se shqiptarët ishin ende në shesh për të mbrojtur flamingot, këtu motivet kishin ndryshuar. Këtë e zbuluan edhe gazetarët e huaj, të cilët erdhën në Tiranë të bindur se do të gjenin një popull të tërë mbledhur kundër imperializmit amerikan që donte të pushtonte Shqipërinë. Në vend të kësaj, zbuluan se "qindra mijëra" shqiptarët e prodhuar nga deep fake-et në socialmedia, nuk protestonin më për të mbrojtur flamingot, por për të ndëshkuar politikën shqiptare për të gjitha fajet që gjatë 35 viteve populli i mosvotës nuk kishte pasur guximin të denonconte. Kjo shpjegon edhe pse jashtë vendit kjo çështje tashmë ka dalë nga vëmendja e opinionit publik dhe media.

Interesi e papritur ndërkombëtare që protesta fitoi në ditët e para u dha energji dhe entuziazëm protestuesve shqiptarë. Por, në një vrull euforie, ata nuk arritën të ruanin frymën ambientaliste që e karakterizonte lëvizjen në fillim. Refuzimi (ose pamundësia) për t’u pajisur me një lidership që të përcaktonte rregulla dhe objektiva të qarta, siç e kishim parashikuar edhe ne, bëri që ky lumë njerëzor të dilte nga shtrati i vet. Nga një përrua i freskët e i kthjellët, që rridhte me vrull dhe me gjithë energjinë e tij, ai u shndërrua në një lumë të fryrë, të ngadalësuar nga trungjet dhe balta që merr përpara gjithçka, përpara se të humbasë në det.

Pasioni për flamingot, që në fillim ishte mbi të gjitha zemërim ambientalist, sot është shndërruar pothuajse vetëm në urrejtje politike. Por ky transformim, që në mënyrë të pashmangshme ia ndryshon fytyrën çdo proteste kur mungon një lidership i qartë dhe transparent, po ndjek objektiva e një lëvizjeje anarkike dhe radikale. Me propozimet e saj utopike, ajo po shpërdoron energjinë e jashtëzakonshme që në ditët e para kishte arritur të mblidhte në bulevard dhe të fitonte mbështetjen e opinionit publik ndërkombëtar. Nga një sondazh spontan, edhe pse jo shkencor, i zhvilluar nga Shqiptarja.com, rezulton se vetëm 20 për qind e shqiptarëve ndajnë kërkesat e paraqitura nga Dritan Goxhaj në planin e tij utopik të publikuar në Facebook, i cili u përmblodh në mënyrë të qartë edhe në kërkesat e lexuara për dy ditë radhazi në bulevard nga protestuesit. Ky është një detaj domethënës, sepse tregon se idetë e Goxhajt, sado ekstremiste dhe të parealizueshme të jenë, nuk janë vetëm të tijat, por ndahen "100 për qind", siç pretendon edhe ai vetë, nga i gjithë ''grupi i koordinatorëve'' të protestës. A ndajnë ata edhe bindjen e tij se rotacioni politik "realizohet me plumba dhe duke derdhur gjak si në Kosovë"? Fakti që këta koordinatorë misteriozë vazhdojnë të refuzojnë të identifikohen publikisht dhe të japin intervista e bën të vështirë shpërndarjen e këtyre dyshimeve.

Ne megjithatë vazhdojmë të besojmë se protesta do ta ruajë deri në fund natyrën e saj plotësisht paqësore. Por problemi është një tjetër. Plani i Goxhajt, i konfirmuar edhe nga kërkesat e lexuara në bulevard, është tërësisht antikushtetues:

1) Kushtetuta nuk mund të reformohet nga një Asamble e përkohshme popullore e përzgjedhur me short.
2) Parlamenti nuk mund të shpërndahet me dorëheqjen e deputetëve, por vetëm me dekret të Presidentit të Republikës.
3) Një qeveri, qoftë edhe teknike, duhet domosdoshmërisht të marrë votëbesimin e një parlamenti të dalë nga zgjedhjet, i cili është i vetmi institucion i legjitimuar edhe për të miratuar reforma të reja.
4) Po kështu, kur shpërndahet Kuvendi, Kushtetuta përcakton që zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve dhe jo pas 12 muajsh, siç teoritizojnë "koordinatorët".

Në fund të fundit, i njëjti radikalizëm ka qenë për 13 vjet edhe fryma e protestave të Sali Berishës, i cili, me ose pa dhunë, ka pretenduar vazhdimisht të përmbysë pushtetin pa kaluar përmes zgjedhjeve kushtetuese, të cilat i ka humbur gjithmonë. Dhe çfarë ka arritur në fund? Asgjë!

Radikalizmi i këtyre kërkesave po i djeg energjitë pozitive e protestës. Po të kishte qëndruar me këmbë në tokë, kjo lëvizje populore do të kishte pasur shumë më tepër mundësi për të arritur rezultate konkrete. Mund të kishte hapur një tryezë negociatash për të diskutuar rregulla të reja, ndryshime ligjore, garanci shtesë dhe madje edhe reforma kushtetuese apo zgjedhje të parakohshme, por duke u përballur politikisht me një delegacion të qeverisë, qe mbetet e mbështetur nga një shumicë prej 83 deputetësh, legjitimiteti i të cilëve deri më sot nuk është vënë kurrë në diskutim nga asnjë prej protestuesve që sot ndodhen në shesh.

Anashkalimi, madje edhe shpërndarja e institucioneve me pretendimin për t’i rindërtuar ato nga e para, pa dialog e pa negociata, është një praktikë që i përket vetëm grushteve të shtetit. Revolucioni i flamingove nuk është një grusht shteti, megjithatë, ai pretendon të arrijë të njëjtat rezultate. Një protestë paqësore që i vendos vetes objektiva të parealizueshme dhe antikushtetuese përfundon duke u shndërruar në një kontradiktë pa kuptim, aq utopike sa, herët a vonë, do të zbrazet plotesisht nga energjia e saj dhe nuk do të zgjojë më interesin e askujt.