Tiranë, 6 Mars /ATSH/ - Ambasadori i Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri, Najeeb Abdulrahman Al-Bader u prit sot në një takim nga zëvendësministri i Jashtëm Selim Belortaja në mjediset e Ministrisë së Jashtme.
Pas takimit, Ambasadori Al-Bader bëri të ditur se ai diskutoi lidhur me një sërë çështjesh të interesit të përbashkët, kryesisht lidhur me përgatitjet për mbajtjen e sesionit të parë të Komisionit Ndërqeveritar të Bashkëpunimit mes Kubajtit dhe Shqipërisë, që kryesohet nga ministrat e jashtëm të të dy vendeve dhe që është planifikuar të zhvillohet në Kuvajt në fillim të majit.
Në këtë kuadër, Al-Bader konfirmoi se sesioni i parë i Komisionit Ndërqeveritar përfaqëson aspiratat reciproke drejt avancimit të perspektivës së bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme të bashkëpunimit si ajo e bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor etj.
Nga ana e tij, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Belortaja shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Shteti i Kuvajtit i ka siguruar Republikës së Shqipërisë në fushën e zhvillimit, çka pasqyron lidhjet historike dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të miqësisë, që bashkojnë të dy vendet.
Duke folur lidhur me mbajtjen e sesionit të parë të Komisionit Ndërqeveritar, Belortaja theksoi se ky takim do të kontribuojë më tej drejt përmbushjes së aspiratave të përbashkëta të të dy palëve, duke nënvizuar se marrëdhëniet dypalëshe po njohin zhvillim të jashtëzakonshëm.
/u.sh/ /a.g/