Ambasadori amerikan paralajmëron Hungarinë për lidhjet 'e ngushta' me Rusinë

Ambasadori amerikan paralajmëron Hungarinë për lidhjet 'e ngushta' me Rusinë

Ambasadori amerikan në Budapest, tha të enjten se aleatët e NATO-s po paralajmërojnë Hungarinë për rreziqet e marrëdhënieve të saj "të ngushta dhe në zgjerim" me Rusinë dhe nëse kjo është zgjedhja e politikës së Budapestit, "ne do të duhet të vendosim se si të mbrojmë më mirë interesat tona të sigurisë".

Marrëdhëniet midis Budapestit dhe Uashingtonit janë acaruar për shkak të zvarritjes së ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO, që u miratua përfundimisht nga Budapesti muajin e kaluar dhe gjithashtu për shkak të lidhjeve të ngrohta të kryeministrit nacionalist Viktor Orban me Moskën, pavarësisht agresionit rus në Ukrainë.

“Këto shqetësime të ligjshme të sigurisë të 31 aleatëve të Hungarisë, nuk mund të shpërfillen”, tha ambasadori amerikan David Pressman, në një fjalim me rastin e 25 vjetorit të anëtarësimit të Hungarisë në aleancën ushtarake të NATO-s.

Ambasadori Pressman tha se Hungaria është një aleate "që sillet ndryshe nga të tjerët".

“Ky fjalim ka të bëjë me një qeveri që etiketon dhe trajton Shtetet e Bashkuara si një “kundërshtar”, ndërsa bën zgjedhje politike që e izolojnë atë gjithnjë e më shumë nga miqtë dhe aleatët. Ky fjalim ka të bëjë me një mik dhe aleat prej kohësh që thotë dhe bën gjëra që dëmtojnë besimin dhe miqësinë”, tha ai.

Tensionet midis qeverisë së kryeministri Orban dhe administratës së presidentit amerikan Joe Biden, janë përkeqësuar në javët e fundit pasi zoti Orban mbështeti hapur kandidaturën e zotit Donald Trump për postin e presidentit amerikan, pas një takimi në Florida. Zoti Orban e vlerësoi zotin Trump si kandidatin e vetëm presidencial që mund t'i jepte fund luftës në Ukrainë, duke ndërprerë ndihmën ushtarake për Kievin.

Budapesti kundërshton agresionin rus në Ukrainë, por kryeministri Orban ka refuzuar t’i dërgojë armë Kievit dhe ka kritikuar vazhdimisht sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Qeveria e tij ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën, pjesërisht për shkak të varësisë së vazhdueshme energjetike të Hungarisë nga Rusia.

Ambasadori Pressman tha se Hungaria po i bën hapur thirrje SHBA-së dhe aleatëve të tjerë që t’i japin fund mbështetjes ushtarake për Ukrainën në mënyrë që ta detyrojnë në një armëpushim të menjëhershëm dhe negociata paqeje.

"Shtetet e Bashkuara duan gjithashtu paqen. Ne duam që kjo luftë të përfundojë. Por propozimi hungarez nuk përkon me realitetin”, tha ai./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mirel Josa nuk është më trajneri i Besës! Pas 12 ndeshjesh në drejtim të ekipit kavajas ndërpritet marrëdhënia

Mirel Josa nuk është më trajneri i Besës! Pas 12 ndeshjesh në drejtim të ekipit kavajas ndërpritet marrëdhënia