ATSH: Na lejoni t'ju urojmë për festën Tuaj kombëtare dhe të shprehim kënaqesinë për këtë intervistë, në vigjilje të kësaj feste. Data 3 maj është festa kombëtare e Polonisë. Do të ishte me interes për publikun të dinim diçka rreth simbolikës së kësaj date?
Ambasadori Jeziorski: Data 3 Maj u vendos si Festë Kombëtare e Republikës së Polonisë në vitin 1919 për të shenjuar dhe festuar përvjetorin e miratimit të Kushtetutës së parë të Polonisë më 3 maj të vitit 1791. Ajo ishte kushtetuta e parë moderne e Evropës dhe e dyta në botë pas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qëllimi i saj ishte krijimi i sistemit modern kushtetues për menaxhimin e çështjeve shtetërore dhe të marrëdhënieve mes shtetit dhe qytetarëve të tij. Miratimi i saj konfirmoi forcat vitale të shoqërisë polake dhe të elitës së saj politike në periudhën më të vështirë të historisë së Polonisë, kur vendet fqinje u përpoqën të grabisnin pjesë nga territoret e saj. Kështu, Kushtetuta e 3 Majit u shndërrua në simbol të një Polonie të pavarur dhe si e tillë ajo festohet edhe sot. Kjo është një Festë Kombëtare tepër e gëzueshme që bashkon gjithë njerëzit e vendit tonë në admirimin dhe respektin për tokën e tyre.
ATSH: Polonia është një vend anëtar i BE-së dhe së bashku me mjaft shtete me një të kaluar të përafërt përsa i takon regjimeve totalitare, është pjese e familjes evropiane, për të cilën synojnë që brenda një kohe sa më të afërt të mundshme aspirojnë të jenë anëtare edhe Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Kosova e të tjerë. Sa e vështirë ka qënë rruga e Polonisë dhe çfarë standartesh janë realizuar për të qënë pjesë e BE-së?
Ambasadori Jeziorski: Ndryshimet demokratike në Poloni në vitin 1989 na hapën rrugën për t'u bërë pjesë e strukturave evropiane dhe euroatlantike të integrimit. Ky ishte një qëllim i qartë i politikës së jashtme të Polonisë që nga dita e parë e qeverisë së drejtuar nga Tadeusz Mazowiecki, i cili në shtator të vitit 1989 u shndërrua në kryeministrin e parë jokomunist në Evropën Qendrore dhe Lindore. Kështu që, qeveria filloi menjëherë të gjitha reformat e domosdoshme: reformat ekonomike dhe monetare që ndryshuan plotësisht strukturën ekonomike dhe financiare në vend që nxitën aktivitetin e biznesit dhe investimet e huaja, reformën e marrëdhënieve të pronësisë nëpërmjet formave të ndryshme të privatizimit, reformën e vetëqeverisjes vendore që faktoi se ishte thelbësore për stimulimin e demokracisë si edhe zhvillimet ekonomike dhe sociale në nivel lokal, reformat për forcimin e garancive ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Polonia premtoi ngritjen në një nivel cilësisht të ri të marrëdhënieve të saj me fqinjët. Ju lutem, kujtoni se në vitin 1992 të gjitha vendet fqinje me Poloninë ishin shtete të reja, pas ribashkimit të Gjermanisë, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe divorcit të kadifenjtë të çekëve dhe sllovakëve. Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, prej tre vitesh, ne ishim në gjendje të nënshkruanim traktate të rëndësishme bashkëpunimi dhe miqësie me të shtatë shtetet e reja përreth kufijve tanë, që përmbajnë dispozita të rëndësishme mbi zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë klauzolat për mbrojtjen e minoriteteve bazuar mbi standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Ne stimuluam gjithashtu forma të ndryshme të bashkëpunimit rajonal, me Grupin e Vishegradit (Poloni, Republika Çeke, Sllovaki dhe Hungari) duke zënë një vend të spikatur ndërmjet tyre. Marrëdhëniet pozitive rajonale përfaqësuan një nga kontributet më të rëndësishme të Polonisë kur ajo u anëtarësua në NATO, në vitin 1999 dhe në Bashkimin Evropian, në vitin 2004. Në vitin 1997 ne filluam bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, që vazhduan për shtatë vjet. Ne duhej të pëmbushnim standarde të përcaktuara qartë, të ashtuquajturat Kriteret e Kopenhagës, në çdo fushë dhe sektor. Ato kërkuan mjaft përpjekje për reformimin e vendit, jo vetëm në letër, në formën e një legjislacioni të formuluar mirë, por fillimisht dhe mbi të gjitha në praktikë. Ne ishim të vendosur dhe konseguentë. Të gjitha forcat politike në vend ishin bashkëpunuese dhe të bashkuara përballë këtij objektivi strategjik mbarëkombëtar. Kjo qasje na ndihmoi shumë dhe mund të shërbejë si një leksion i vlefshëm për t'u mësuar edhe nga Shqipëria.
ATSH: Cilat mund të veçoni ndër efektet që ka ndjerë ekonomia polake, pas pranimit të vendit Tuaj në BE, por edhe të vështirësive që janë shfaqur, duke patur parasysh se një pjesë e vendeve te BE-se kanë standarde shumë të larta jetese dhe prodhim të përgjithshëm bruto për frymë të popullsisë në shifra të larta ?
Ambasadori Jeziorski: Njëmbëdhjetë vite të anëtarësimit në Bashkimin Evropian kanë qenë për Poloninë një periudhë e një suksesi të paprecedent. Fondet e Bashkimit Evropian për strukturimin dhe kohezionin luajtën një rol të rëndësishëm. Në periudhën 2004-2006 Polonia përfitoi 12,8 miliardë euro, ndërsa në periudhën 2007-2013 - 63,7 miliardë euro. Ky ishte një stimul i madh në çdo aspekt. Polonia dhe rajonet e saj ndryshuan jashtëzakonisht. Kushti për bashkëfinancim bëri që qeveria qendrore dhe autoritetet lokale të mobilizonin burime buxhetore dhe të krijonin një sistem transparent dhe efektiv të menaxhimit të financave publike. Kjo ndihmoi në fokusimin mbi prioritetet e zhvillimit. Nëpërmjet financimit të Bashkimit Evropian, që nga viti 2004 janë implementuar rreth 172 000 investime. Ato krijuan vende të reja pune, rritën konkurueshmërinë e ekonomisë polake, stimuluan rritjen e eksporteve (BE është destinacioni i 77 për qind të eksporteve polake) dhe forcuan ritmin e rritjes së PBB-së. Rritja e akumuluar e PBB-së në Poloni që nga viti 2004 është rreth 60 për qind. Kur ne u anëtarësuam në Bashkimin Evropian, PBB-ja për frymë ishte vetëm 51 për qind e mesatares së BE-së, në vitin 2014 ajo u rrit në rreth 70 për qind. Në periudhën në fjalë Polonia ishte i vetmi vend anëtar i Bashkimit Evropian që nuk kaloi në recesion. Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP) e Bashkimit Evropian na ndihmoi që të ndryshonim plotësisht panoramën e fshatit polak. Deri në vitin 2013 fermerët polakë dhe zonat rurale përfituan rreth 26 miliardë euro nga CAP-i. Si rezultat, të ardhurat mesatare në bujqësi u rritën më shumë se 60 për qind.
ATSH: Mbështetur mbi përvojen Tuaj të këtyre viteve si pjesë e unionit, si e parashikoni rrugën që po ndjekin vendet joanëtare në përpjekjen e tyre për t'u anëtarësuar në BE ? Është fjala për Shqiperinë dhe vendet fqinje me ne.
Ambasadori Jeziorski: Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ne ju mbështesim në këtë përpjekje. Suksesi i tij kërkon mobilizim dhe vendosmëri konstante dhe përmbushje të kritereve të përcaktuara qartë dhe të pranuara bashkarisht. Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perënduimor në Bashkimin Evropian duhet të përgatitet shumë mirë. Parimi i kushtëzimit nuk duhet të kuptohet si një pengesë e panevojshme, por si një instrument i domosdoshëm për reformimin e vendit dhe element i rëndësishëm për forcimin e kohezionit të brendshëm të Bashkimit Evropian si një bashkim vlerash, standardesh dhe solidariteti. Ju bëni reforma për veten tuaj dhe jo për ne. Populli shqiptar ka nevojë për një Shqipëri me një shtet të fortë të së drejtës, me një administratë publike që funksionon në mënyrë efikase dhe menaxhim të shëndoshë të financave publike, të çliruar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, ku garantohet mbrojtja e të drejtave të njeriut për çdo shtetas.
ATSH: Polonia dhe Shqipëria prej kohësh kanë marëdhënie shumëplanëshe bashkëpunimi. Cilat nga këto aspekte marrëdhëniesh do vlerësonit më shumë dhe ku gjykoni se duhet intensifikuar ky bashkëpunim ? A i përgjigjet për mendimin Tuaj niveli shumë i mirë i komunikimit politik midis dy vendeve, edhe ai i bashkëpunimit ekonomik ?
Ambasadori Jeziorski: Marrëdhëniet polako-shqiptare janë të shkëlqyera. Dialogu politik, përfshirë atë të nivelit më të lartë, është zhvilluar prej vitesh. Në vitin 2014, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati vizituan Poloninë. Ministrat e Jashtëm nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit në Fushën e Integrimit Evropian. Brenda strukturës së zbatimit të tij, Ambasada e Polonisë në Tiranë ka organizuar dy seminare në Tiranë, në dhjetor 2014 dhe në mars 2015, në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrinë e Integrimit Evropian, me pjesëmarrjen e ekspertëve polakë. Çështjet e diskutuara në këto seminare u shtrinë që nga koordinimi i politikës evropiane në nivelin e qeverisjes, nëpërmjet praktikave më të mira për thithjen e fondeve të Bashkimit Evropian, vlerësimi i ndikimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian deri te Politika e Përbashkët Evropiane për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Përvoja jonë nga periudha e anëtarësimit në Bashkimin Evropian vlerësohet shumë në Shqipëri. Ne jemi gati të vazhdojmë me asistencën tonë, si në nivel dypalësh ashtu edhe brenda strukturës së projekteve ndërkombëtare. Në pikëpamjen time, me rëndësi të jashtëzakonshme janë edhe kontaktet e afërta dhe bashkëpunimi mes institucioneve të pavarura publike shqiptare dhe polake. E kam fjalën për bashkëpunimin mes Avokatit të Popullit dhe Avokatit Polak për të Drejtat e Njeriut apo për Kontrollin e Lartë të Shtetit të të dy vendeve. Në këtë kontekst, Polonia, si partner kryesor, do të implementojë një projekt binjakëzimi të BE-së për të mbështetur KLSH-në. Ekspertët polakë do të përfshihen në projektin e binjakëzimit italo-francez, për të mbështetur funksionimin e Shkollës shqiptare të Administratës Publike.
Marrëdhëniet ekonomike polako-shqiptare ecin mirë. Që nga fillimi i vitit 2012 shkëmbimet tona tregtare janë rritur rreth 140 për qind, ku eksportet polake në Shqipëri përbëjnë më shumë se 80 për qind të volumit të përgjithshëm tregtar. Në Shqipëri është shtuar numri i kompanive polake. Ndërmjet tyre ka kompani nga sektorë të ndryshëm, IT, makineri për industrinë minerare, pajisje elektrike dhe kozmetikë. Ka interes në vendosjen e bashkëpunimit në industritë tekstile dhe atë të përpunimit të ushqimeve. Zhvillimi i fundit më i rëndësishëm ishte pjesëmarrja e një përfaqësimi të konsiderueshëm shqiptar në Kongresin Ekonomik Evropian në Katovicë, Poloni, nga data 20 deri më 22 prill të këtij viti. Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe zëvendësministrja për Zhvillimin Ekonomik, Tregtinë, Sipërmarrjen dhe Turizmin, Brunilda Paskali morën pjesë në një numër panelesh dhe u takuan me partnerë polakë nga institucionet shtetërore dhe biznesi. Ne shpresojmë se këto kontakte do të sjellin forcimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike mes vendeve tona.
ATSH: Në fushën e arsimit, Polonia ka ofruar mundësi të shumta studimi për studentë nga Shqipëria. Kjo mbështetur edhe mbi një traditë të vjetër të këtij komunikimi që nisi në vitet '50, por u ndërpre dhunshëm nga autoritetet shqiptare komuniste të kohës, duke shkaktuar edhe probleme të mëdha sociale. Cila është perspektiva e kësaj marëdhënie në fushën e studimeve ?
Ambasadori Jeziorski: Shkëmbimet tona në fushën e arsimit vazhdojnë. Çdo vit një numër studentësh shqiptarë diplomohen në Poloni dhe studentë të tjerë shkojnë atje për studime. Aktualisht, ne jemi në procesin e përgatitjes së programeve të reja të shkëmbimit në këtë fushë. Ne jemi në pritje të vlerësimit nga ana e Ministrisë shqiptare të Arsimit të projektprogramit të fundit të paraqitur nga pala polake. Shkëmbimet në rritje mes universiteteve polake dhe shqiptare janë një shenjë shumë inkurajuese. Ato përfshijnë bashkëpunim shkencor dhe akademik dhe shkëmbime lektorësh dhe studentësh. Angazhimi i rëndësishëm i arkeologëve nga Universiteti i Varshavës në Shkodër vazhdon.
Ambasada e Polonisë mban kontakte me shqiptarët e diplomuar në universitetet polake, si nga gjenerata e vjetër ashtu edhe nga ajo e reja. Vitin e kaluar, më 1 tetor, dita kur në Poloni fillon tradicionalisht viti akademik, ambasada organizoi një takim ku pjesëmarrja ishte e lartë. Jam i sigurt se takime të tilla do të shndërrohen në një traditë të këndshme, të dobishme dhe emocionuese.
ATSH: Si vende me një histori me shumë pika takimi, mendoni se është bërë aq sa duhet për një komunikim intensiv në fushën e njohjes dhe promovimit të traditave, kulturës, turizmit e të tjerë, te cilat mund t'i bëjnë më të afërta vendet tona ?
Ambasadori Jeziorski: Komunikimi polako-shqiptar po bëhet gjithmonë e më shumë intensiv. Tradicionalisht, një rol të rëndësishëm e kanë kryer miqtë tanë të ngushtë në Shqipëri, aktivë në Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni dhe në Shoqatën Shqiptare "Chopin". Aktivitetet që promovojnë muzikën, letërsinë dhe filmat polakë në Shqipëri janë bërë një traditë e vlerësuar nga shumëkush. Tani ne po punojmë për përgatitjen e një vizite në Shqipëri të ministrit të Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë. Gjatë kësaj vizite do të diskutohet dhe do të bihet dakord për një bashkëpunim të mundshëm kulturor ndërqeveritar.
Turizmi ka qenë një fushë ku kontaktet tona janë zhvilluar shumë shpejt gjatë viteve të fundit. Në vitin 2014, rreth 52 000 polakë vizituan Shqipërinë, rreth 50 për qind më shumë sesa në vitin 2013. Për shembull, turistët polakë përbënë më shumë se gjysmën e gjithë turistëve të huaj që vizituan Sarandën vitin e kaluar. Unë nuk kam dyshime se ky numër do të rritet këtë vit. Këto zhvillime çojnë në një komunikim më të ngushtë mes popujve tanë. Vendet tona e njohin më mirë njëri-tjetrin. Ne shpresojmë se rritja e shkëmbimeve turistike do të mund të sjellë edhe investime në këtë fushë.
ATSH: Duke u munduar të dilni pak nga kostumi juaj i diplomatit, por në rolin e një vizitori me qendrim afatgjatë në Shqipëri , çfarë do vlersoni më shumë nga vendi ynë dhe ku mendoni se duhet më me shumë shpejtësi gjërat të ndryshojnë ?
Ambasadori Jeziorski: Ka tri çështje që dua të theksoj. E para, unë vlerësoj shumë mikpritjen e shqiptarëve. Unë e përjetoj këtë gjë çdo ditë gjatë kontakteve të mia profesionale dhe personale. E dyta, natyra sipërmarrëse e shqiptarëve është shumë e dukshme. Ju nuk duhet të prisni nga shteti që t'ju ofrojë gjithçka. Në vend të kësaj, ju merrni fatin tuaj në duart tuaja dhe përpiqeni për përmirësoni jetën e familjes tuaj duke kërkuar aktivisht mudësitë për biznes. Një numër i madh kompanish të vogla dhe të mesme në Shqipëri e konfirmojnë këtë. E treta, jam i impresionuar nga roli i gruas shqiptare në procesin e modernizimit të vendit. Ato janë shumë punëtore, të mirarsimuara dhe sjellin vlera të rëndësishme të jetës së vendit në të gjitha aspektet. Është pozitiv fakti se një numër gjithnjë e më i madh i tyre po përpiqen të hyjnë në politikë, biznes, arsim dhe aktivitetet sociale. Nuk ka dyshim, gratë do të kontribuojnë shumë në zhvillimin e ardhshëm të Shqipërisë.
ATSH: Ju flisni një shqipe të rrjedhshme dhe mjaft të bukur. Kjo sigurisht ju bën të ndjeheni mjaft mirë në Shqipëri, por do ishte me interes të dinim si erdhët deri tek ky nivel kaq i lartë i komunikimit në shqip ?
Ambasadori Jeziorski: Unë studjova gjuhën shqipe gjatë viteve të mia studentore. Unë kam punuar këtu si një diplomat i ri dhe në vitin 2012 erdha në Shqipëri sërish, këtë herë si ambasador. Në ndërkohë, unë kam vizituar vendin tuaj dhe rajonin shumë herë në kuadër të kontakteve dypalëshe dhe si pjesë e punës time si këshilltar te Komisioneri i Lartë të OSBE-së për Minoritetet Kombëtare. Së bashku me kolegun tim, Jerzy Wi?niewski ne kemi botuar fjalorin Polonisht-Shqip dhe Shqip-Polonisht, të botuar fillimisht në vitin 1992 dhe të ribotuar në vitin 2010. Kështu pra, siç e shihni, kontaktet e mia me gjuhën shqipe kanë qenë të shumta për vite të tëra. Mua më pëlqen gjuha juaj dhe përpiqem gjithë kohën të zbuloj shprehje të reja. Më pëlqen të flas shqip