Michael Waltz
Në një panel në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ambasadori i SHBA-së në OKB, Michael Waltz, mbrojti reformat dhe shkurtimet e nisura nga administrata amerikane.
Ai tha se president Donald Trump kishte të drejtë kur pyeti pse OKB-ja nuk po arrinte rezultate në kriza si Gaza apo konflikte si ai mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Sipas Waltz, “OKB do të dalë më e fortë në fund të këtij procesi”, duke theksuar se status quo-ja ishte e paqëndrueshme dhe nuk po funksiononte.
Në të njëjtën kohë, ai foli për krijimin e organizatave më të fokusuara shumëpalëshe, si “Bordi i Paqes”, duke e cilësuar atë “plotësisht të pranueshme për sa kohë po marrim rezultate”.
Bordi i Paqes u lançua nga president Donald Trump gjatë samitit të Forumi Ekonomik Botëror në Davos, si një koalicion vendesh që do të punojnë për zgjidhjen e konfliktit në Gaza. Megjithatë, agjenda dhe mekanizmat konkretë të këtij organi të ri mbeten ende të paqartë. Me ftesë të presidentit Donald Trump, pjesë e Bordit të Paqes janë edhe Shqipëria dhe Kosova.
Disa aleatë të SHBA-së, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kanë refuzuar t’i bashkohen nismës, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka lënë të hapur mundësinë për t’u përfshirë në të ardhmen.
Lajmi kryesor:
Konferenca e Sigurisë në Mynih nis mes tensioneve SHBA-Europë, kancelari gjerman: Rendi botëror që njihnim nuk ekziston më










