Shqipëria do të jetë në Bordin Paqes për qeverisjen e Gazës për të paktën një mandat 3-vjeçar me të drejtë rinovimi nga presidenti Donald Trump dhe nuk do duhet të paguajë para për te qenë pjesë.

Për më tepër, anëtarësia e Tiranës zyrtare në organizatën e ideuar dhe themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për administrimin e territorit palestinez pas përfundimit të luftës mes grupit terrorist Hamas dhe Izraelit, mund të vazhdojë për disa mandate me miratimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Pas publikimit të ftesës nga Trump, vetë kryeministri Edi Rama rrëzoi pretendimet e mediave se Shqipëria do duhet të paguajë 1 miliardë euro për të qëndruar në Bordin e Paqes. Më tej, kreu i ekzekutivit përjashton mundësinë e zhvendosjes së palestinezëve në vendin tonë, si dhe përgënjeshtron lajmin se në organizatën ndërkombëtare janë ftuar të gjitha shtetet e OKB 

"Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë! 

Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB 
GËNJESHTËR 

Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO 
GËNJESHTËR

Palestinezët do të vijnë në Shqipëri
GËNJESHTËR",- shkroi Rama.

Në letrën drejtuar Ramës, kreu i Shtëpisë së Bardhë shkruan se pjesëmarrja në Bordin e Paqes është një përgjegjësi fisnike dhe se me përkushtimin e të gjithë liderëve pjesëmarrës, synohet ndërtimi i paqes së përhershme. Rama thekson se është falënderues për këtë privilegj ndërsa shton se do të bëjë gjithçka për të lartësuar emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“MIRËMËNGJES

dhe me nderin e kënaqësinë e ndarjes me ju të letrës që mora dje nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, duke ju falënderuar për privilegjin e besimit që më keni dhënë, si edhe duke ju siguruar se do të bëj deri në fund gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë e dinjitetin e shqiptarëve, ju uroj të diel të qetë

Bashkëlidhur përkthimi

16 Janar, 2026

Shkëlqësia e Tij

Edi Rama

Kryeministër i Shqipërisë

Tiranë

I nderuar Kryeministër,

Është një nder i madh për mua t’ju ftoj ju, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, të më bashkoheni në një përpjekje Historike dhe Madhështore për forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrim një qasje të re plot guxim për zgjidhjen e Konfliktit Global!

Më 29 shtator 2025, shpalla Planin Gjithëpërfshirës për fundin e konfliktit në Gaza, një plan veprimi me 20 pika, i mbështetur menjëherë nga të gjithë Udhëheqësit Botërorë, përfshirë edhe Krerët kryesorë në Botën Arabe, Izrael, dhe Europë. Në vijim të këtij Plani, më 17 Nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë mbizotëruese Rezolutën 2803, duke mirëpritur dhe mbështetur këtë plan.

Tani është koha që t’i kthejmë gjithë Ëndrrat në realitet. Bordi i Paqes është në zemër të këtij Plani dhe ky është Bordi më mbresëlënës dhe më me ndikim i krijuar ndonjëherë, i cili do të themelohet si një Organizatë e Re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Tranzitore.

Arritja jonë sjell së bashku një grup kombesh të dalluara që janë gati të marrin mbi supe përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të PAQES së PËRHERSHME, një Nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembullin e tyre, dhe të përkushtohen me mjeshtëri për një të ardhme të sigurtë e të begatë për brezat që do të vijnë. Në një te ardhme të afërt, ne do t’i mbledhim partnerët tanë të mrekullueshëm e të përkushtuar, shumica e të cilëve janë Udhëheqës Botërorë shumë të respektuar.

Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Shqipërisë të përfaqësuar prej jush, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues, dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit të Paqes. Ky bord do të jetë aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ekzistuar diçka e ngjashme me të! Çdo Shtet Anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar në emër të tij për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime. Bashkëngjitur gjeni Planin Gjithëpërfshirës, dhe Statutin e Bordit, i cili tani është i disponueshëm për nënshkrimin tuaj dhe ratifikimin.

Me kënaqësi pres të punojmë së bashku, edhe për shumë gjatë në të ardhmen, drejt qëllimit të vendosjes së përhershme të PAQES BOTËRORE, MIRËQËNIES, DHE MADHËSHTISË PËR TË GJITHË!

Me urimet më të mira, Unë jam,

Sinqerisht,

 *DONALD*

 DONALD J. TRUMP

PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS”, shkruan kryeministri Edi Rama.

 

Ftesa e Trump për Ramën duket një përgjigje e qartë për Partinë Demokratike, e cila prej kohësh i mëshon pretendimit se kreu i qeverisë nuk mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se marrëdhëniet e tij me Administratën e presidentit republikan nuk janë të mira. Sikur mos të mjaftoheshin me kaq, Berisha dhe besnikët e tij shfrenonin fantazinë për një arrestim të Ramës në njëjtën mënyrë që u kap presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Forcat elitare amerikane Delta.

Struktura e saktë e Bordit të Paqes mbetet ende për t’u sqaruar, por zyrtarisht janë prezantuar dy borde të veçanta drejtuese të nivelit të lartë.

Njëri është “Bordi Ekzekutiv Themelues”, me fokus të lartë në investime dhe diplomaci. Tjetri, i quajtur “Bordi Ekzekutiv i Gazës”, është përgjegjës për mbikëqyrjen e gjithë punës në terren të një strukture tjetër administrative, Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:32
Shqipëria në Bordin e Paqes, Rama: Nuk do paguajmë 1 miliard euro dhe as palestinezët nuk do vijnë në vendin tonë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ftesën zyrtare që Trump i ka bërë Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes, strukturë kjo që do të shërbejë si qeveri tranzitore për të qeverisur Gazën pas përfundimit të luftës. Rama shkruan se Shqipëria nuk do të paguajë për të qenë pjesë e bordit dhe se vendi nuk do të presë emigrantë nga Palestina. Ndër të tjera Rama mohon dhe pretendimet se nga SHBA janë ftuar të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë! 

Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB 
GËNJESHTËR 

Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO 
GËNJESHTËR

Palestinezët do të vijnë në Shqipëri
GËNJESHTËR

E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë: 

Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht. 

Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë. 

Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani