Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, përmes një letre të hapur dërguar ‘The Guardian’, ka ngritur shqetësimin se shqiptarët po paguajnë një çmim të lartë nga paragjykimet në Britani.
Sipas Uran Ferizit, shqiptarët po demonizohen padrejtësisht nga mediat dhe politikanët britanikë, veçanërisht nga ata të krahut të djathtë.
Ferizi ka vënë në dukje se në Britani ka një ‘obsesion’ për etiketimin e shqiptarëve si problem emigracioni, duke theksuar se ky diskurs ka pasoja të drejtpërdrejta për komunitetin shqiptar në shkolla, vende pune dhe jetën e përditshme.
Ferizi akuzon mediat atje për keq-raportim të statistikave dhe politikanët për përdorimin e shqiptarëve si ‘kurban’ në debatin për emigracionin, duke e krahasuar këtë fenomen me stigmatizimin historik të grupeve të tjera të emigrantëve në Britani.
Në letër thuhet mes të tjerash se, “Shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar po paguajnë një çmim të rëndë në jetën e përditshme, në shkolla dhe vende pune, për shkak të portretizimeve negative nga mediat dhe politikanët e krahut të djathtë”.
Gjithashtu në letrën e tij, Ambasadori denoncoi mënyrën se si disa media britanike, si ‘Telegraph’, kanë keqraportuar statistikat për përfshirjen e shqiptarëve në krim.
Ambasadori Ferizi përmendi një analizë të vitit 2024 që pretendonte se një në 50 shqiptarë në Britani ishte në burg, duke e cilësuar këtë si një manipulim të të dhënave.
Sipas tij, kur statistikat peshohen me numrin real të shqiptarëve dhe kontrollohen për moshë, gjini dhe të ardhura, rezultati tregon se shqiptarët burgosen me të njëjtën shkallë si britanikët vendas.
Ai gjithashtu e zgjeroi kritikën, duke kundërshtuar komentet e politikanëve me prejardhje nga jashtë vendit, përfshirë Mahmood, Suella Braverman dhe të tjerë.
“Është veçanërisht dekurajuese të shohësh politikanë që janë vetë emigrantë të gjeneratës së dytë duke sulmuar emigrantët që i kanë ndjekur ata në Britani”, tha ai.
Ferizi e krahasoi këtë fenomen me stigmatizimin e mëparshëm të grupeve të tjera emigrantësh në Britani, si hebrenjtë, irlandezët dhe polakët, duke thënë se çdo herë rrëfimi pasqyronte ankthet e momentit, jo karakterin e njerëzve.
Ambasadori theksoi se ky diskurs negativ ka pasoja të drejtpërdrejta për komunitetin shqiptar në Britani.
Ai solli shembuj të shqiptarëve që kanë përjetuar diskriminim në vendin e punës, në ngritjet në detyrë apo edhe në jetën sociale.
Një grua shqiptare në sektorin e teknologjisë tha se ngurroi të publikonte një aktivitet në LinkedIn për shkak të komenteve negative mbi shqiptarët.
Një tjetër tregoi se bashkëshorti i saj u paragjykua si “kriminel” vetëm pse deklaroi kombësinë e tij.
Ariseld Muca, drejtues i një kompanie mirëmbajtjeje pronash në Londër, raportoi se klientët shpesh i referohen lajmeve për “kriminelët shqiptarë”, gjë që e vështirëson punën e tij.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha: “Ne e vlerësojmë shumë komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe partneritetin tonë të gjatë me qeverinë shqiptare për të goditur migracionin e paligjshëm dhe kriminalitetin.”
“Kushdo që ndodhet ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht kombësisë, nuk duhet të ketë dyshime se do të largohet sa më shpejt të jetë e mundur”, vijoi ai më tej.
Komente










