Sofia Moreira de Sousa është ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Shqipëri. Diplomatja portugeze i dorëzoi sot letrat kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht mandatin e saj në Tiranë.Kreu i shtetit vlerësoi rolin kyç të delegacionit të BE-së në forcimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit dhe në mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.Begaj shprehu besimin se gjatë mandatit të ambasadores Sofia Moreira de Sousa, Shqipëria do të jetë anëtarësuar në BE.

Moreira de Sousa pason në këtë post italianin Silvio Gonzato, i cili ka qenë në krye të Delegacionit të BE-së në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Emërimi i diplomates portugeze në Tiranë vjen pas një karriere të gjatë në institucionet europiane dhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ku ajo ka mbajtur disa poste të rëndësishme. Përpara ardhjes në Shqipëri, Moreira de Sousa drejtoi Përfaqësinë e Komisionit Europian në Portugali, detyrë të cilën e mori në shtator 2021. Ajo ka shërbyer gjithashtu si ambasadore e BE-së dhe shefe e Delegacionit të Bashkimit Europian në Republikën e Kepit të Gjelbër, ku qëndroi për katër vjet. Eksperienca e saj në diplomacinë europiane shtrihet edhe në Afrikë. Më herët ka qenë zëvendëskryetare e Delegacionit të BE-së në Afrikën e Jugut, ndërsa gjatë viteve 2009-2011 ka shërbyer në Delegacionin e BE-së pranë Bashkimit Afrikan në Addis Ababa.

Në këtë periudhë, ajo është marrë me zhvillimet politike dhe proceset e integrimit rajonal në Afrikë, si dhe me partneritetin strategjik mes BE-së dhe vendeve afrikane. Karriera e Moreira de Sousës përfshin edhe angazhime në një prej periudhave më të rëndësishme të politikës së jashtme europiane. Nga viti 2003 deri në 2007, ajo ka qenë pjesë e ekipit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Javier Solana, ku ka punuar kryesisht për marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Rusinë dhe Ukrainën. Ajo ishte gjithashtu pjesë e përpjekjeve europiane për ndërmjetësimin e krizës politike në Ukrainë pas Revolucionit Portokalli të vitit 2004.

Në vitet 2005-2006, diplomatja portugeze ka shërbyer si këshilltare e lartë e Përfaqësuesit Special të BE-së për Kaukazin, një detyrë që e ka përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike të rajonit. Më pas, deri në vitin 2014, ajo ka qenë këshilltare e lartë e zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të BE-së dhe pjesë e strukturave që merreshin me negociatat për çështje të lidhura me Iranin dhe marrëdhëniet e BE-së me Partnerët Lindorë. Rruga profesionale e Moreira de Sousës nuk ka nisur drejtpërdrejt në diplomaci. Në fillimet e karrierës, ajo ka punuar në departamentin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Agjencisë Europiane të Hapësirës, ku është angazhuar në aspektet ndërkombëtare të programit satelitor Galileo.

Ajo ka drejtuar gjithashtu programe trajnimi në Akademinë e Drejtësisë Europiane në Trier të Gjermanisë, ku është marrë me përgatitjen e kurseve për gjyqtarë dhe magjistratë mbi të drejtën dhe jurisprudencën europiane. Para angazhimit në institucionet europiane, Moreira de Sousa ka ushtruar profesionin e avokates për dy vjet në një studio ligjore në Porto, qytetin e saj të lindjes. Diplomatja portugeze ka studiuar drejtësi në Portugali dhe ka përfunduar një program LLM në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Hamburgut, në Gjermani.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:51
Ambasadorja e re e BE-së i dorëzoi letrat kredenciale presidentit Begaj, Moreira de Sousa: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së në fazë vendimtare

Ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, i paraqiti sot letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht detyrën si Shefe e Delegacionit të BE-së në Tiranë.

Diplomatja portugeze do të përfaqësojë Bashkimin Evropian në Shqipëri dhe do të drejtojë Delegacionin e BE-së gjatë katër viteve të ardhshme.

Pas ceremonisë, Moreira de Sousa tha se procesi i integrimit të Shqipërisë ka hyrë në një fazë vendimtare.

“Është nder të jem këtu. Rruga e Shqipërisë drejt BE-së ka arritur në një fazë vendimtare, me të gjitha grup-kapitujt të hapur dhe tre kapitujt e parë tashmë të mbyllur. Por anëtarësimi nuk ka të bëjë vetëm me grup-kapituj dhe kapituj. Ai ka të bëjë me përmirësimin e jetës së qytetarëve. Së bashku me ekipin tim, pres me padurim të punoj ngushtë me autoritetet shqiptare dhe me të gjithë partnerët, në koordinim me Shtetet Anëtare të BE-së, për çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët.”, u shpreh ajo.

Sofia Moreira de Sousa është shtetase portugeze dhe ka një përvojë të gjerë në politikën e jashtme dhe të sigurisë në nivel evropian dhe ndërkombëtar.