Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u takuan sërish këtë të mërkurë në Kuvend, një ditë pas përplasjes së fortë politike të shkaktuar nga refuzimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për të mbështetur kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Pas përfundimit të takimit, Kurti u largua pa bërë asnjë deklaratë për mediat. Ndërsa Abdixhiku tha se takimi kishte si qëllim informimin reciprok për zhvillimet e fundit në të dyja partitë.
“Është njoftim i rregullt pas zhvillimeve në të dy partitë. Siç e do rendi, kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojmë zyrtarisht njëri-tjetrin për zhvillimet partiake. Atë që ka ndodhur dje, e njoftova Kurtin dhe ai më njoftoi për zhvillimet në kryesinë e VV-së dhe të Grupit Parlamentar”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së pranoi se situata politike mbetet e bllokuar, duke theksuar se aktualisht nuk ekzistojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
“Përpjekje do të ketë, por numrat për momentin nuk janë për të zgjedhur presidentin e vendit. Për hapin e radhës duhet të pyesni ata që po duan ta çojnë Kosovën në një fazë të paqartë. Gjendja numerikë në Kuvend është kjo që është. Unë jam përpjekur të gjej një zgjidhje, por distancomi i partive të tjera po e çon Kosovën në zgjedhje të reja. Çdo parti është e mirëseardhur të ndihmojë në këtë situatë. Ne jemi në një situatë të pamundur numerike për të zgjedhur presidentin e ri” , u shpreh ai.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut u zhvillua në kulmin e krizës politike që u thellua pasi gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke vënë në pikëpyetje sigurimin e shumicës së nevojshme në Kuvend.
Një ditë më parë, Kurti e cilësoi vendimin e tyre “të papërgjegjshëm”, ndërsa ish-emisari amerikan Richard Grenell doli sot publikisht në mbështetje të deputetëve rebelë. A
bdixhiku, nga ana tjetër, deklaroi se LDK-ja nuk e ka pasur në axhendë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por paralajmëroi se zhvillimet e fundit po e çojnë Kosovën drejt një ngërçi politik.









Komente
Komento