Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar shtrenjtimin e jetesës dhe vështirësitë ekonomike të familjeve shqiptare, duke u shprehur se pagat në Shqipëri janë vetëm 43% e mesatares europiane, ndërsa çmimet janë rritur pesë herë më shumë se në vendet e rajonit dhe se mesatarja e Bashkimit Europian.

Tabaku akuzon qeverinë se nuk po ndërmerr masa konkrete për të përballuar situatën dhe argumenton se çmimet e larta janë pasojë e taksave, mungesës së konkurrencës dhe mungesës së kontrollit përgjatë zinxhirit të shpërndarjes. 

" Kush e bën vetë pazarin e di shumë mirë situatën dhe përse kemi arritur deri këtu. Kush vendos produktet në tryezën e familjes e di se çmimet në Shqipëri janë të larta. Kushdo që blen mjetet shkollore e sheh sa të vështirë e ka të përmbushë nevojat, kërkesat dhe dëshirat e fëmijëve. Pagat janë vetëm 43 për qind e mesatares europiane, ndërsa çmimet janë rritur pesë herë më shumë se në vendet e rajonit dhe se mesatarja e Bashkimit Europian. Qeveria, në vend që të ndërmarrë veprime konkrete, premton se do të lidhë “Besën”. E vetmja besë që ata kanë lidhur është ajo me këtë sistem, me kostot e larta dhe me korrupsionin. Shkaqet e çmimeve të larta janë taksat, mungesa e konkurrencës dhe mungesa e kontrollit përgjatë zinxhirit të shpërndarjes. Ekonomia informale dhe paraja e zezë e kanë bërë sot thuajse të pamundur që bizneset shqiptare të prodhojnë, të eksportojnë dhe të ofrojnë produkte konkurruese në treg. E vetmja besë që ata kanë lidhur është ajo për të mbajtur çmimet e larta. E vetmja besë e kësaj qeverie është ruajtja e këtij sistemi. Ndërsa besa e shqiptarëve është tjetër. Ata kërkojnë ndryshimin e kësaj qeverie. Shqiptarët duan ndryshim. Asnjë besë tjetër, vetëm ndryshim" shkroi ajo në rrjete sociale.