TIRANE-Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara zhvilloi sot takime prezantuese me Ministrin në Detyrë të Punëve Europiane dhe të Jashtme Gent Cakaj, Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Gjatë takimeve, Ambasadorja Kim sipas njoftimit në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e Shqipërisë si një aleate e NATO-s dhe mbështetjen e saj të rëndësishme në misionet tona të përbashkëta.
Ambasadorja gjithashtu "rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara në ndihmë teknike për zbatimin e reformës në drejtësi dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian" thuhet në njoftim.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka pritin sot në një takim, ambasadoren e sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ministrja e Mbrojtjes vlerësoi angazhimin e ambasadores Kim në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e Mbrojtjes.
Kujtojmë se një vit më parë, zonja Kim ishte pjesë e stafit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, gjatë vizitës që ministrja Xhaçka zhvilloi në SHBA.
“Ishte vërtet një kënaqësi që prita sot në takimin e saj të parë zyrtar, pas prezantimit të letrave të saj kredenciale, ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim. E lumtur që ashtu si në takimin tonë të parë në Pentagon, vitin që shkoi, kur ambasadorja Kim ishte pjesë e stafit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, ndamë të njëjtat vlerësime e konsiderata për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes vendeve tona. Është fat për ne, që SHBA përfaqësohen në Shqipëri me një zonjë të kalibrit të ambasadores Kim dhe jam optimiste që falë punës e angazhimit të saj, bashkëpunimi e partneritetit mes Departamenteve tona të Mbrojtjes do të vijojë e do të fuqizohet akoma më shumë, duke ndihmuar në modernizimin e FA dhe duke i mundësuar Shqipërisë të japë një kontribut gjithmonë e më të madh për sigurinë, stabilitetin e paqen krah për krah aleatëve tanë amerikanë. Mirëserdhe në Tiranë e dashur Yuri!”
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim Ambasadoren e sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.
Cakaj me anë të në një postim në rrjetet sociale shprehu se gjatë takimit me Ambasadoren Kim u diskutuan gjerësisht çështje që lidhen me angazhimin e Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE-në, kryesimin e OSBE-së dhe marrjen e ulëses jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022.
“Mirënjohës për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për reformat e brendshme dhe forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. SHBA-ja është partner i pazëvendësueshëm politik e strategjik për Shqipërinë!”- përfundoi Cakaj postimin e tij.