TIRANE - Një grup ambientalistësh kundërshtojnë Planin Urbanistik të Tiranës. Gjatë një prononcimi për median, ata e kanë quajtur shkatërrim dhe çrregullim, madje i kanë kërkuar Këshillit Kombëtar të Territorit të anulojë këtë plan urbanistik.

Ambientalisti Lavdosh Feruni shprehet se ky plan synon ta çojë Tiranën në rreth 25 mijë banorë për km katrorë, ndërsa shpreson në anulimin e miratimit të këtij Plani.

“Plani rregullues i Tiranës për mendimin tim është plan çrregullues, jo vetëm i Tiranës, por i gjithë vendit. Normat dhe standardet evropiane janë 4 mijë banorë për Tiranën. Tirana realisht ka 15 mijë banorë për kilometër katrorë. Parashikohet me këtë plan që të shkojë rreth 25 mijë banorë për km katrorë, që është numër 1 në botë. Të ngjeshësh Tiranën më tej është vërtetë kriminale, prandaj ne mendojmë që Këshilli Kombëtar i Territorit do ta marrë në konsideratë këtë reagim qytetar dhe do të anulojë çdo miratim të këtij plani”, u shpreh për media Feruni.

Ndërkaq, Artan Shkreli nga ana e tij e cilësoi Planin Urabanistik një plan “kriminal”.

“Ky plan përveçse kriminal është shumë vështirë t’i gjesh një emër tjetër. Intesitetet e ndërtimit shkojnë deri në 6 herë, intensitete të cilat janë në qytetet mesatare të Evropës” tha Shkreli.

Këshilli Bashkiak miratoi 4 dite më parë Planin Urbanistik të Tiranës vetëm me votat e mazhorancës. Në një debat pothuajse prej 4 orësh në mbledhjen e 24 dhjetorit të Këshillit, të majtët votuan kundër këtij plani, me përjashtim të këshilltarit të PS, Ervin Bushati i cili abstenoi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)