LAÇ-340,000 doza vaksinash Coronavac do të mbërrijnë në Tiranë, për të intensifikuar edhe më tej vaksinimin masiv ndaj COVID19. Ka qenë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila e ka dhënë lajmin gjatë inspektimit të punimeve të qendrës shëndetësore në Borizanë, e cila po rindërtohet nga themelet, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit. Manastirliu tha se ky do të jetë një sezon, ku fokusi do të jetë tek vaksinimi dhe mbrojtja e jetës së çdo qytetari.
“Edhe pse në një kohë të vështirë, siç është pandemia, ne nuk ndalëm asnjëherë punën për investimet në shëndetësi dhe gjithashtu me programin e rindërtimit, për të mundësuar shërimin e plagëve të tërmetit të Nëntorit. Ndaj jam shumë e kënaqur që po çojmë përpara projektet për rehabilitimin e një seri qendrash shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti, spitalin e ri të Laçit, Maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’, etj. Brenda mandatit të ardhshëm ne do të vijojmë me programin e rehabilitimit të plotë të qendrave shëndetësore kudo në vend”, tha Manastirliu.
Duke folur për shërbimet socio-shëndetësore, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se pjesë e planit të zhvillimit të kujdesit parësor është ngritja e qendrave të mjekësisë familjare.
Qendra e re Shëndetësore e Borizanës po ndërtohet me mbështetjen e qeverisë zviceriane, nëpërmjet programit “Shëndet për të Gjithë”. Në kuadër të programit të rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit, janë në rikonstruksion 6 objekte të sistemit parësor: Qendra Shëndetësore Thumanë, Qendra Shëndetësore Bubq, Ambulanca Borizanë, Ambulanca Varosh, Ambulanca Luz, Qendra Shëndetësore Ishëm dhe së shpejti fillon edhe Qendra Shëndetësore nr. 1 në Durrës. Sa i takon spitaleve të dëmtuara, ka filluar puna për ndërtimin e Spitalit të Laçit dhe për rikonstruksionin dhe zgjerimin e Maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’.