Në sencën e djeshme plenare mazhoranca nuk i votoi dy amendamentet e paraqituar nga Partia Demokratike për uljen e çmimit të energjisë dhe uljen e çmimit të naftës. Në një konferencë pë shtyp, Jorida Tabaku, deputete e  Partis Demokratike ka theksuar edhe një herë se refuzimi i dy amendamenteve nuk ishte një refuzim i propozimeve të opozitës, por por refuzim për të ndihmuar qytetarët, për të lehtësuar jetën e tyre.

Partisë Demokratike propozoi dje në Kuvend uljen në 6 % të TVSH-së për energjinë elektrike nga 20 % që është aktualisht, por Partia Socialiste nuk e votoi propozimin me argumentin se ulja në 6 % e tatimit të vlerës së shtuar të  energjisë do të ndikonte negativish buxhetin e shtetit.

‘Refuzoi pikërisht dyshja Rama-Meta, të cilët premtuan në fushatë çmime më të ulëta dhe kosto më të lira jetese, por në fakt po u jepin shqiptarëve përditë më pak të ardhura dhe më shumë shpenzime’ theksoi Tabaku në deklaratën për shtyp. Sipas PD, duke refuzuar dy amendamentet mazhoranca nuk pranoi që familjet shqiptare të kursenin 112 milion USD nga xhepat e tyre. Kjo barrë e rëndë siç e quan ajo u shkon vetëm atyre që përdorin automjetin dhe se të gjithë Shqiptarët më 21 qershor do t’i kthejnë përgjigjen e merituar kësaj mazhorance arrogante.
 

Më poshtë deklarata e plote për shtyp e PD
 
Mazhoranca konfirmoi dje se qeverisja e saj nuk është asnjë ditë në shërbim të qytetarëve.
Refuzimi i dy Amendamenteve për uljen e çmimit të energjisë dhe uljen e çmimit të naftës, nuk ishte refuzim i propozimeve të opozitës, por refuzim për të ndihmuar qytetarët, për të lehtësuar jetën e tyre.
Refuzoi pikërisht dyshja Rama-Meta, të cilët premtuan në fushatë çmime më të ulëta dhe kosto më të lira jetese, por në fakt po u japin shqiptarëve përditë më pak të ardhura dhe më shumë shpenzime.
Mazhoranca nuk pranoi që familjet shqiptare të kursenin 112 milion USD nga xhepat e tyre duke hequr një barrë të rëndë që nuk i shkon vetëm atyre që përdorin automjetin. Taksa e qarkullimit, e cila në amendamentin drejtuar Kuvendit, u kërkua që të hiqej, prek në mënyrë të drejtë për drejtë produktet kryesore në treg.
Për shkak të saj, përdoruesit e makinave apo mjeteve të ndryshme të transportit paguajnë 1000 lekë taksa sa herë që blejnë naftë. Ndërkohë që secili nga konsumatorët që blen një produkt në treg paguan indirekt koston e kësaj takse në shërbimin apo produktin e blerë.
Pushteti e ka më të kollajtë t’u heqë nga xhepi shqiptarëve 112 milion USD në vit nga kjo taksë, ndërkohë që bizneset pranë qeverisë dhe paaftësia e një administrate të politizuar i shkaktojnë një dëm prej 1 miliard eurosh në formën e evazionit fiskal.
Ky është alarmi që ka lëshuar Banka Botërore me raportin e djeshëm, mbi këtë shkallë të panjohur korrupsioni në vend që fajëson drejtpërdrejt qeverinë e praktikat e saj.
Sot bizneset e ndershme e kanë më të pamundur të mbijetojnë për shkak të korrupsionit, ngaqë qeveria i ndan bizneset, disa të nënës, disa të njerkës.
Dje, mazhoranca, kishte mundësinë të mbante një nga premtimet e saj në fushën e energjitikës. Amendamenti i dërguar pranë Kuvendit, nga Partia Demokratike, lidhej drejtpërdrejt me premtimin e kësaj mazhorance për uljen me 14 përqind të TVSH-së së energjisë elektrike, e cila do të kompensonte sadopak rritjen e çmimit të energjisë me heqjen e fashës të mbrojtur.
Dje, mazhoranca u dëshmoi shqiptarëve se sa përzemër i ka ajo braktisjen e premtimeve me të cilat ka marrë votat e tyre, duke rrëzuar Amendamentin. Qeveria dështoi të kthente përgjigje se përse nuk pranon që të mbajë premtimet me të cilat u kërkoi votat shqiptarëve.
Opozita prej gati dy vitesh ka propozuar 65 amendamente që kanë të bëjnë me uljen e çmimeve dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve. Mazhoranca gjithnjë ka refuzuar.
Por ballafaqimi me popullin dhe me të vërtetën po vjen.
Shqiptarët më 21 qershor do t’i kthejnë përgjigjen e merituar kësaj mazhorance arrogante, që ka braktisur qytetarët dhe vetë është zhtyrur në korrupsion galopant.
Shqiptarët do të përqafojnë ofertën e re që ka të bëjë drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, me taksa të ulëta, me cmime të ulëta, ofertën që sjell zhvillim, punësim, siguri e dinjitet.
 
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)