Amerika ka rezultuar java e madhe e Max Verstappen në Formula 1 për këtë sezon. 4 herë kampioni i botës triumfoi në pistën e Austin, duke ngushtuar edhe më shumë diferencën me dy pilotët e McLaren, 40 pikë pas kryesuesit Oscar Piastri.
Një garë e mirë për pilotin e Red Bull, që dominoi në pistën e Austin nga xhiro e parë deri tek e fundit. Në vendin e dytë u rendit piloti britanik Lando Norris me McLaren, që 5 xhiro nga fundi arriti të parakalojë Charles Leclerc të Ferrari-t, që u rendit në vendin e tretë.
Një rikthim në podium ky për “kokëkuqen”, që synonte më shumë, por duhet të kënaqet me vendin e tretë. Paraqitja e mirë e “kokëkuqes” në këtë pistë kompletohet me Leëis Hamilton. Piloti britanik u rendit në vendin e katërt, por pa arritur dot në podium. Për t’u përmendur edhe fakti që këtë sezon Hamilton nuk është renditur kurrë në mesin e 3 më të mirëve, ndërsa Ferrari s’ka fituar asnjë Çmim të Madh këtë sezon. Gjithsesi, makina italiane arrin të pozicionojë dy pilotë në “top-5”, duke dueluar me Mercedes në garën për vendin e dytë për konstruktorë.
Kryesuesi i botërorit, australiani Oscar Piastri, u klasifikua në vendin e pestë, por tashmë është vetëm 14 pikë para shokut të tij të skuadrës në renditje. Gjithsesi, McLaren u duk në vështirësi në këtë garë, duke mos synuar dot fitoren. Deri në fund të sezonit kanë mbetur gjithsej edhe 5 gara, që mbyllen me Çmimin e Madh të Abu Dabit me 7 dhjetor.
Komente





