Kim Kardashian ka rikthyer vëmendjen te jeta e saj sentimentale, pasi ka zbuluar se personi me të cilin është aktualisht në një lidhje plotëson të gjitha 55 kriteret që ajo kërkon te partneri ideal. Edhe pse nuk përmendi emrin e tij, fansat dyshojnë se bëhet fjalë për pilotin britanik të Formula 1, Lewis Hamilton.

Deklarata u bë gjatë episodit më të fundit të reality show-t “The Kardashians”, në një bisedë me aktoren dhe komedianen Nikki Glaser, gjatë xhirimeve për filmin e ri “The Fifth Wheel”.

E pyetur për mënyrën se si ndihet kur gjen dikë që përputhet plotësisht me pritshmëritë e saj, Kardashian u shpreh se është “shumë, shumë e lumtur”, duke lënë të kuptohet se po kalon një periudhë të veçantë në jetën personale.

Një tjetër detaj që ka nxitur spekulimet është deklarata e saj se 44 për qind e prejardhjes së saj është britanike. Ky numër tërhoqi vëmendjen e fansave, pasi 44 është edhe numri me të cilin Hamilton garon në Formula 1.

Thashethemet për një lidhje mes Kardashian dhe pilotit britanik nisën në fillim të vitit 2026, ndërsa paraqitjet e tyre të përbashkëta kanë shtuar interesin e mediave dhe publikut.