Shtetet e Bashkuara po hyjnë në një fazë të re të përdorimit të inteligjencës artificiale në ushtri. Pentagoni ka mbyllur marrëveshje me disa nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë, duke i hapur rrugë përdorimit të AI-së në operacione të klasifikuara.
Bëhet fjalë për kompani si OpenAI, Google, Microsoft, Amazon, Nvidia dhe SpaceX, të cilat do të ofrojnë teknologjitë dhe modelet e tyre për përdorim në mjedise sekrete. Ajo që do të ndodhë është se në një avantazh qartësisht strategjik, ushtria amerikane do të përdorë inteligjencën artificiale për të analizuar më shpejt të dhëna dhe për të marrë vendime më të sakta në terren.
Deri tani, bashkëpunime të tilla kanë ekzistuar, por më shumë në nivel testimi. Me këto kontrata të reja, AI-ja kalon nga eksperimenti në përdorim të përditshëm në sistemet ushtarake.
Në të njëjtën kohë, jo të gjitha kompanitë janë rreshtuar me Pentagonin. Kompania Anthropic refuzoi marrëveshjen dhe përplasja zgjati me muaj. Madje, autoritetet amerikane e etiketuan si “rrezik”, duke rritur presionin për të gjetur alternativa të tjera.
Zyrtarët amerikanë e kanë të qartë objektivin. Sipas Emil Michael, ushtria duhet të pajiset me mjete që i japin “epërsi absolute” në vendimmarrje. Një tjetër element i rëndësishëm është përdorimi i modeleve “open-source”, që janë më të hapura dhe më të kuptueshme. Sipas ekspertëve, këto modele janë më të përshtatshme për sigurinë kombëtare, sepse mund të kontrollohen dhe përshtaten më lehtë.
Edhe Kina po ecën me ritme të shpejta në inteligjencën artificiale, sidomos me modele të hapura që synon t’i eksportojë. Kjo e kthen AI-në në një garë të drejtpërdrejtë mes fuqive të mëdha. Megjithatë, shumë prej kompanive kanë vendosur kufij të qartë, duke deklaruar se teknologjitë e tyre nuk do të përdoren për mbikëqyrje masive apo armë autonome.
Pentagoni nga ana tjeër zotohet se përdorimi i inteligjencës artificiale do të jetë i kontrolluar dhe “i përgjegjshëm”. Analistët thonë se me marrëveshjet e fundit të Pentagonit, lufta moderne po hyn në një fazë të re, ku vendimet mbështeten gjithnjë e më shumë te algoritmet.
Komente









