Pas vendimit të tetorit, të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ku kërkohej që kompanitë të hedhin online  në kohë reale policat kufitare, duket se kjo ka nisur të zbatohet. AMF bëri me dije se “duke nisur nga data 1 nëntor 2017, raportimi dhe identifikimi i policave kufitare të shitura nga kompanitë e sigurimit bëhet në kohë reale nëpërmjet regjistrit elektronik online të shitjeve të sigurimit të detyrueshëm motorik.

Me këtë rast, AMF i bën edhe njëherë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të verifikojnë policën e tyre kufitare. Këtë mund ta bëjnë nëpërmjet faqes zyrtare të AMF, ëëë.amf.gov.al, në rubrikën “Verifikoni Policën tuaj”, duke ndjekur gjithë hapat e nevojshëm, ose duke dërguar me SMS numrin e targës tuaj në numrin e celularit +355 69 40 60 671. Për çdo problem që mund t’ju lindë në lidhje me policën, lutemi të kontaktoni në adresën [email protected] ” thuhet në njoftimin e AMF.

Kjo masë vjen në kushtet kur tregu i sigurimeve ka shfaqur problematika nga më të ndryshmet. Gjatë këtij viti situata me policat kufitare ka shfaqur dy tendenca. E para, kompanitë nën presionin për të përfituar nga situata që krijohet çdo verë kur kthehen emigrantët, kanë ulur herë pas here çmimet që aplikojnë për policat. Së dyti, një pjesë e tyre nisën të shisnin polica kufitare të plotësuara me dorë në Itali.

Kjo situatë alarmoi në atë kohë edhe vetë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare i cili u kërkoi kompanive që të respektojnë kushtet ligjore si dhe kreu një seri inspektimesh në dy portet kryesore në vend Durrës dhe Vlorë. Raportimi në kohë reale i shitjes së këtyre policave kufitare pritet që të minimizojë problematikat e kësaj natyre. Monitor

dy.b/shqiptarja.com