/ATSH/- Tregu i sigurimeve u rrit me 14.4% në tre muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2015 kapën vlerën mbi 3,021 milionë lekë.

Rritja edhe gjatë këtij viti po vjen kryesisht nga sigurimet e detyrueshme motorrike. Për periudhën janar-mars, të ardhurat nga këto produkte janë rritur afro 35% me bazë vjetore dhe ato përbëjnë mbi 64% të vlerës së primeve të shkruara bruto.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 92.5% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.5%. Për tre muajt e parë të vitit, vlera e dëmeve të paguara nga kompanitë është rritur me 18.6%. Raporti mes dëmeve dhe primeve ngelet në nivele shumë të ulëta, me më pak se 23.6%.