Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ‘Amnesty International’ ka publikuar një raport për të drejtat e tyre në Europë.
 
Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, Europa nuk po arrin të ulë dhunën ndaj komunitetit rom, madje në disa raste ka nxitur diskriminimin, frikësimin dhe dhunën ndaj tyre.

Drejtori i ‘Amnesty International’ për Europën dhe Azinë, John Dalhuisen tha se ka pasur një rritje të dukshme të dhunës kundër romëve gjatë viteve të fundit në Europë. Sipas tij është e papranueshme që në Europën moderne, disa komunitete rome të jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës dhe sulmeve.

Dalhuisen shtoi se Komisioni Europian, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimin e ligjeve të BE në vendet anëtare, ka dështuar deri më sot të ndërmarrë veprime të qarta për të ndaluar diskriminimin dhe dhunën kundër romëve në vendet anëtare.

Raporti i ‘Amnesty International’, i quajtur “Ne kërkojmë drejtësi: Dështimi i Europës për të mbrojtur Romët prej dhunës raciste” shqyrton dhunën e nxitur nga urrejtja dhe sulmet ndaj romëve nga zyrtarë dhe qytetarë në Republikën Çeke, Francë dhe Greqi, duke ilustruar shqetësimet e organizatës në të gjithë kontinentin.

Në raport nënvizohet se diskriminimi, dëbimet me forcë nga banesat, dhe niveli i ulët i arsimimit të romëve janë normë në shumë vende të Evropës. “Amnesty International” u bën thirrje qeverive dhe Bashkimit Evropian të angazhohen në çrrënjosjen e diskriminimit dhe dhunës ndaj romëve në të gjithë rajonin.