Kjo do të sillte një zgjerim të përfituesve nga amnistia e fundvitit, por për këtë gjë do të vendosin sot deputetët. Aktualisht, vjedhja e energjisë elektrike parashikon dënim deri në tre vjet burg, ndërsa projektligji i deritanishëm, lejon amnisti vetëm për personat që janë nën hetim për vepra që dënohen deri në dy vjet, ose që u kanë ngelur dhe dy vjet dënim.
Nëse komisioni do ta ndryshojë kufirin deri në tre vjet, këta persona mund të përfitojnë. Sa i takon ndërtimit të paligjshëm, kur ai është në tokën e vetë ndërtuesit, aktualisht e përfshin amnistia, sepse dënimi është deri në 1 vit burg. Në rastet kur ndërtimi është bërë në tokë publike, apo për qëllime fitimi, dënohet deri në 5 apo 8 vjet, ndaj nuk përfshihet në këtë amnisti sipas draftit të qeverisë.
Po ashtu, dhe dhënia e ndihmës për ndërtim të pa ligjshëm, aktualisht nuk përfiton, sepse dënohet deri në 3 vjet. Edhe vitin e shkuar, pavarësisht se qeveria nuk e kishte parashikuar në draftin e saj, deputetët shtuan personat e dënuar për këto vepra penale në grupin e përfituesve. Xhafaj është përgjigjur se do të vijojë puna me intensitet për këtë ligj.
“Në në komisionin tonë, si komision përgjegjës do të punojmë që ta mbarojë sa më shpejt dhe ta miratojmë këtë të enjte në seancë. Por kjo nuk mund të thuhet me saktësi se varet si do të kooperojmë me komisione të tjera, si ai i sigurisë për dhënie mendimi. Kështu që, nëse nuk ia arrijmë këtë të enjte, do të duhet të mblidhemi posaçërisht për këtë çështje në datën 29, dhe na duhen 84 vota”,-ka thënë Xhafaj.
Në mbledhje, Erjon Brace është shprehur i shqetësuar për rrëzimin në Komision të Shëndetësisë të një projektligji për vendosjen e pullës fiskale për barnat. Dje, LSI dhe PD në këtë komision rrëzuan projektligjin, i cili parashikonte një rritje rreth 2.4 % të çmimit të barnave. Braçe, i cili është përgjegjës për këtë projektligj si pjesë e paketës fiskale, ka kërkuar që mazhoranca të unifikojë qëndrimet në këtë projektligj të rëndësishëm. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka thënë se bllokimi i këtij ligji do të pengojë qarkullimin e disa barnave në vendin tonë, duke penguar tregun farmaceutik dhe duke dëmtuar pacientët.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com