TIRANË- Rritja e çmimeve ka sjellë debate mes të ftuarve në emisionin “Pa Protokoll” në Report Tv, me gazetaren Anduela Ndreu. Në vëmendje ka qenë edhe projektligji i amnistrisë fiskale, për të cilën deputeti socialist Vullnet Sinaj e ka cilësuar si pozitive.

“Kam pasur kërkesa nga miqtë e mi emigrantë që thonë kemi punuar në të zezë dhe duam të sjellim të ardhurat tona”, tha Sinaj.

Mirëpo kjo ka sjellë reagim të ashpër të deputetit demokrat Flamur Hoxha, sipas së cilit kjo nuk është bërë për emigrantët e thjeshtë, por për të pastruar paratë e drogës e krimit.

“Pse s’kemi familjarë tonë ne andej, nuk blenë dot një shtëpi, dhe kursejnë dhe ujin, nuk ka shqiptar që nga emigrimi normal të ketë 2 mln euro cash, është pastrim i parave të drogës, nuk bën 1 mln euro ai që bën në bujqësi. Jam kundër mënyrës që e argumentoi, ku në një vend si i yni rreth 46% e të ardhura shkojnë për bukë, pra në një vend si Shqipëria ku jemi të parët për korrupsion. Në një vend ku të gjithë duan të iki, ku qeverisja nuk e fut dorën te xhepi i vet”, tha Hoxha.

Një tjetër sektor ku është vënë re rritja e çmimeve janë edhe hidrokarburet. Ish- ministri i Ekonomisë, Florjan Mima tha se këtu ka abuzime, duke propozuar edhe heqje taksash.

“Çmimi i naftës duhet të ishte 190 lekë, por këtu ka raste abuzive, Shqipëria ka një takstë të përvitshme të regjistrimit të automjeteve, hiqe këtë te për litrin e karburantit dhe kjo punë zgjidhet, me qumështin që vjen nga Shqipëria, po falimentojnë bizneset shqiptare, duhet të qeveri patriote”, tha Mima.

Mirëpo nuk ka qenë i këtij mendimi deputeti i PS-së, Sinaj.

“Ekonomia është art jo vetëm llogari, dëgjoj që ngelën te heqja e taksave, po ku do vemi pa këto të ardhura , Ka një problem me investimet publike që kanë pasur një moment frenimi për shkak të rritjes së çmimeve të lëndës së parë dhe për këtë ka një akt normativ, se ndryshe do kishim ngelur pa investime publike”, tha ai.

Duke u ndalur te ky akt normativ, për ekspertin Klodian Muço, kjo është një nismë që duhet vlerësuar, por prioritet duhet të jenë qytetarët.

“Kjo rritje e çmimeve do vijojë deri në mesin 2023, në të tilla kushte duhet të kishim një indeksim të pagave, inflacioni në materiale është me 6-7%, lind pyetja mos duhet ndihmuar këta pensionistët këto shtresat në nevoja”, tha Muço.

Në fund një mesazh për qytetarë ka pasur Bardhi Sejdarasi.

“Duhen protesta për mirëqenie për protestat në nevojë, le të protestojnë njëherë shqiptarët për vete, jo për politikë’, përfundoi ai në Report Tv.