Nga Amnistia Penale, e cila u miratua pak ditë më parë nga Qeveria dhe pret të kalojë në Kuvend, nuk do të përfitojnë vetëm shtetasit shqiptar, por edhe shtetas të huaj që janë dënuar në vendin tonë për kundravajtje apo krime të ndryshme.

Në Relacionin për projektligjin për dhënie amnistie, bëhet e ditur se 7 shtetas të huaj do të lirohen menjëherë nga qelitë pas amnistisë.

Ndërsa 12 shtetas të huaj, do të përfitojnë ulje të ndjeshme nga dënimi i mbetur, por nuk do të lirohen menjëherë nga qelitë.

Mbi 20 mijë qytetarë, të dënuar apo në proces hetimi e gjykimi, pritet të përfitojnë nga amnistia penale, që qeveria e miratoi më herët.

Nga drafti i miratuar në Ekzekutiv, sipas ministrit Lamallari pritet të lirohen menjëherë 447 të burgosur të dënuar me vendim të formës së prerë, sipas kritereve që Report Tv më herët ka raportuar.

853 të dënuar të tjerë që përjashton nga falja totale e dënimit prej kategorisë së veprës penale do të përfitojnë ulje dënimi, me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit. Përveç 447 të burgosurve që do të lenë qelitë, falje nga dënimi do të përfitojnë edhe menjëherë, 5077 të dënuar me masa alternative në Shërbimin e Provës.

Për më tepër, do të pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta, të kryera deri në 31 dhjetor 2025, për të cilat parashikohet dënim deri në 3 vjet burg, me përjashtim të krimeve që janë te kriteret ndaluese.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë