TIRANË- Skënder Hitës i është besuar mandati 5-vjeçar për drejtimin e Policisë së Shtetit. Vendimi për emërimin e tij në krye të bluve është marrë sot nga qeveria, pasi emri i tij u propozua nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari. Lajmi u bë me dije nga vetë ministri, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se ky vendim është i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet.

Hita, 46 vjeç, garoi përballë 13 kandidatëve të tjerë, mes tyre emra të rëndësishëm dhe me karrierë të gjatë në radhët e bluve, si Tonin Vocaj dhe Lorenc Paganika. Emri i tij rezultoi ndër kandidatët më të vlerësuar nga procesi konkurrues dhe iu propozua qeverisë nga ministri Lamallari.

“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam vendimin për dhënien e gradës Drejtues Madhor dhe emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Skënder Hita. Ky është një vendim i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet. Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve.

Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Prandaj, drejtimi i saj kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë publike. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës”, shkroi Lamallari.

Skënder Hita zëvendëson në këtë detyrë Ilir Prodën, i larguar nga kjo detyrë më 1 mars pas protestës së dhunshme të PD me molotovë drejt vilës me artistë. Mbetet për tu parë nëse Hita do ta çojë deri në fund mandatin 5-vjeçar si kryepolic, ndërsa konsiderohet një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e bluve.

Në 5 vitet e fundit ai ka qenë drejtues në qarqet më të vështira në vend, Shkodër, Durrës, Dibër dhe së fundmi në Fier. Me marrjen e detyrës, Hita pritet të nisë një analizë të plotë të drejtorive të Policisë në të gjitha qarqet e vendit.

Në profilin e tij profesional bie në sy edhe fakti se gjatë gjithë karrierës në Policinë e Shtetit, emri i Hitës nuk është përfolur për lidhje me krimin apo grupe kriminale. Ai nuk është përmendur në asnjë rast në kontekst të kultivimit të lëndëve narkotike apo aktiviteteve të tjera të paligjshme, duke ruajtur një profil të pastër dhe një reputacion të qëndrueshëm profesional.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:59
PROFIL/ Kush është Skënder Hita, drejtori i ri i Policisë së Shtetit! Në 5 vite, drejtoi qarqet më të rëndësishme të vendit

Drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, konsiderohet një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e bluve. Karriera e tij është ndërtuar në disa prej qarqeve më të rëndësishme të vendit, si dhe në struktura kyçe që lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër kriminalitetit dhe garantimin e rendit publik. Gjatë viteve, Hita ka mbajtur një sërë detyrash drejtuese në zona me sfida të theksuara për sigurinë, mes tyre edhe në Shkodër. Përvoja në këtë qark, ku ka shërbyer edhe si zëvendësdrejtor i hetimit të krimit, konsiderohet një nga etapat më të rëndësishme në formimin e profilit të tij profesional. Shkodra ka qenë historikisht një zonë problematike për rendin dhe sigurinë, duke kërkuar koordinim të vazhdueshëm mes strukturave operacionale dhe atyre hetimore.

Një tjetër fazë e rëndësishme në karrierën e tij lidhet me drejtimin e Policisë në Durrës, një nga qarqet më të ndjeshme të vendit për shkak të portit më të madh në Shqipëri, aktivitetit të lartë ekonomik dhe fluksit të madh të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Drejtimi i policisë në këtë zonë kërkon përvojë të gjerë në menaxhimin e operacioneve kundër kriminalitetit dhe koordinimin e strukturave në terren. Gjatë kësaj periudhe janë zbardhur edhe disa ngjarje të rënda kriminale. Një ndër rastet më të rëndësishme lidhet me zbërthimin e vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, dëshmia e të cilëve ndihmoi në hedhjen dritë mbi disa ngjarje kriminale në Durrës, Tiranë dhe zona të tjera të vendit.

Në profilin e tij profesional bie në sy edhe fakti se gjatë gjithë karrierës në Policinë e Shtetit, emri i Hitës nuk është përfolur për lidhje me krimin apo grupe kriminale. Ai nuk është përmendur në asnjë rast në kontekst të kultivimit të lëndëve narkotike apo aktiviteteve të tjera të paligjshme, duke ruajtur një profil të pastër dhe një reputacion të qëndrueshëm profesional. Së fundmi, prej rreth 1 viti e gjysmë më drejtimin e Policisë së Fierit, qarku ka njohur nivele të uljes së kriminalitetit.