Associated Press dhe disa media prestigjoze të huaja shkruajnë për iniciativën e ministrit të Brendshëm mbi armëmbajtjen pa leje dhe aministinë për ata që i dorëzojnë ato vullnetarisht.

Në artikullin me titull “Shqipëria u ofron amnisti për 4 muaj armëmbajtësve”, agjencia ndërkombëtare e lajmeve me seli në New York citon statusin në Facebook të ministrit, Saimir Tahiri. 

Përmes tij, ditën e djeshme u bë e ditur se qeveria shqiptare miratoi të mërkurën një p/ligj sipas të cilit nuk do ketë ndjekje penale as dënime për ata shtetas që ofrojnë vullnetarisht armët brenda datës 30 prill 2017.

Sipas AP, armëmbajtja pa leje mund të dënohet deri me 15 vite burg, por armët e vjetra kallashnikovë dhe pistoletat e reja të blera në Europë janë gjerësisht të përdorura në krime brenda familjes, vrasje me motiv gjakmarrjen, etj.

“Në vitin 1997 shqiptarët të cilët humbën kursimet e një jete në firma piramidale plaçkitën qindra mijëra armë të vogla dhe municione të lehta nga depot e ushtrisë” shkruan AP, ndërsa rikujton se edhe pse një projekt i Kombeve të Bashkuara arriti të mbledhë 200 mijë armë, shumë të tilla mendohet të jenë ende në qarkullim.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com