Në mbledhjen e radhës së qeverisë, u hap drita jeshile për amnistinë ndaj të burgosurve. Shqiptarja.com ka siguruar draftin e plotë ku parashikohen dhjetëra kategori përfituesish.
Nga drafti i miratuar pritet të përfitojnë 4 mijë persona mes tyre 1 mijë të dënuar dhe 3 mijë persona në hetim të cilën një pjesë e mirë e tyre ndodhen në paraburgim dhe janë të proceduar për vepra penale të cilat kanë marzh dënimin maksimumi deri në 2 vite.
Risia e kësaj amnistie është se nuk përfitojnë nga kjo amnisti përsëritësit e të njëjtës vepër penale, ata që i janë shmangur drejtësisë, apo të liruarit me kusht. Risi është edhe amnistia për të dënuarit me dëmtime të përhershme fizike apo të diagnostikuar me sëmundje të rënda të pashërueshme.
Drafti i plotë më poshtë jep të detajuar kategorinë e përfituesve, ndërsa Shqiptarja.com saktëson se cilat vepra penale nuk amnistohen në rastin e pushimit të hetimeve për vepra që dënohen deri në dy vjet.
Pushohen ndjekjet penale për çështjet në proces, për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2016, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet.
Disa nga veprat penale që nuk aministohen
- Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik;
-Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik;
-Goditjet për shkak të detyrës;
-Kanosja për shkak të detyrës;
-Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik;
-Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore;
-Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore;
-Ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël dhe i shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar dhe Mbajtja pa të drejtë e uniformës.
Në këtë amnisti sipas draftit janë përfshirë pesë institucione Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme Prokuroria e Përgjithshme si dhe Drejtoria e Burgjeve dhe Shërbimi i Provës.
Këto institucione sipas draftit do të ndjekin hap pas hapi lirimin e të dënuarve përfshi dhe sjelljen e tyre në komunitet pas fitimit të lirisë.
"Gjelin e detit" do e hanë në burg, amnistia zbatohet në Janar 2017
Pavaresisht se zyrtarisht marrin faljen, "Gjelin e detit" do e hanë në qeli. Asnjë nga 1 mijë të dënuarit që përfitojnë nga aministia nuk do ti kalojë Krishtlindjen apo Vitin e Ri pranë familjeve pasi efektet e amnistisë nisin të zbatohen në Janar 2017.
Burime për Report Tv e Shqiptarja.com nga grupi i punës sqaruan se pas miratimit në qeveri, drafti i amnistisë do të kalojë në parlament e më pas do të marrë dhe dekretimin e presidentit.
Ndërkohë administrata e burgjeve e cila ka për detyrë përpilimin e listave të personave që përfitojnë nga aministia sqaroi për Report Tv e Shqiptarja.com se në Janar 2017 ata janë përgatitur për lirimin e përfituesve dhe për sa i përket faljeve deri më 7 dhjetor 2016-ës është depozituar apo miratuar asnjë kërkesë.
